Prof. dr. Tritan Shehu, deputet

Kërkim nr. 3, Tiranë, 2010.

Të shkruash disa radhë për Shkëlqesinë e Tij, Imzot Janullatosin, në 80- vjetorin e ditëlindjes së tij, mbas një periudhe rreth 18-vjeçare që ai është midis nesh, si protagonist i shumë ndryshimeve e zhvillimeve tek ne, si pjesë e shndërrimeve tona të mëdha, si një ndër inspiruesit e jetës paqësore dhe bashkëjetesës sonë, është një kënaqësi e veçantë për mua. Për të realizuar këtë, aq sa mund të realizohet, në disa dhjetëra rreshta, do të më duhet në fillim të kthehem disa vite mbrapa në kohë.

Shqipëria në fund të viteve 80-të ishte i vetmi vend në botë me ateizëm absolut dhe të detyruar për qytetarët e tij. Shqipëria ishte vendi ku shkatërrimi i vlerave morale mori dimensione të pallogaritshme. Krahas shtypjes fizike, mohimit të lirive më elementare, varfërisë së thellë, izolimit të plotë, regjimi komunist shqiptar kërkoi të zhdukë dhe thelbin e vlerave morale, konceptet bazë të etikës, historinë e vërtetë të vendit. Dhe të gjitha këto ishin të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme me luftën e egër që i bëhej besimit fetar. Diktatori mund të pranonte vetëm një perëndi, veten e tij. Dhe në mënyrë të paevituesheme kjo do të çonte drejt rrënimit të vlerave njerëzore, drejt varfërimit të botës shpirtërore, drejt krijimit të “njeriut të ri” ose më mirë “robotit të ri”.

Kjo ishte me dy fjalë gjendja e vendit në vigjiljen e ndryshimeve të mëdha demokratike, ky ishte realiteti i besimeve fetare te ne. Kjo ishte e papajtueshme me të ardhmen, sepse demokracia është poliedrike, ajo përfshin të gjitha rrafshet e jetës njerëzore. Ekonomia e tregut, përsosja e institucioneve, iniciativa e lirë, zhvillimi e integrimi, kanë nevojë për një mentalitet të lirë, psikologjie të menduar jashtë kuadrateve komuniste, hapësira intelektuale të pafund, principe etike e morale krejt të ndryshme nga ato të mëparshmet. Ndryshe mekanizmi demokratik nuk funksionon. Dhe pikërisht për këtë ndryshim të madh, për rikrijimin e botës së tyre shpirtërore, shqiptarët që në hapat e parë të demokracisë, rindezën besimet fetare midis nesh, duke nxjerrë nga vetja shkëndijat e tyre, të ruajtura me fanatizëm, brenda vetes, për 50 vite me radhë. Edhe në këtë zhvillim të madh e historik, ne realizuam ndryshimin, duke qenë të hapur e pa paragjykime, edhe duke pranuar e kër kuar mbështetje nga figura të shquara të hapësirës ndërkombëtare. Kjo ndodhi me të gjitha besimet fetare në Shqipëri, kjo ndodhi dhe me Kishën Orthodhokse tek ne.

Kështu, Hirësia e Tij Janullatosi erdhi në vendin tonë, pikërisht në një kohë tejet të vështirë, por të vrullshme në ndryshimet e saj, si për shqiptarët në përgjithësi, ashtu edhe për komunitetet fetare në veçanti. Tashmë çdo gjë duhej mbledhur nën rrënoja. Çdo gjë duhej nisur nga disa shkëndija të fshehura në zemër, për të ndërtuar të ardhmen tonë. Dhe ashtu si arkitekti apo artisti, që gur pas guri, me durim dhe këmbëngulje ndërton një mozaik gjigant, ashtu dhe Hirësia e Tij ditë pas dite dhe vit pas viti, me durim e këmbëngulje për t’u admiruar, arriti që të ngrejë këtë Kishë Orthodhokse që kemi sot. Ajo u rimëkëmb nga rrënojat dhe, duke jetuar në atmosferë ringjalljeje, u zhvillua me ritme shumë të shpejta.


Në këto vite ringritjeje është shumë e rëndësishme mënyra se si ai e orientoi Kishën Orthodhoksë Shqiptare, në raport me historinë, traditën, realitetin dhe pjesët e tjera të shoqërisë sonë. Së pari ai e orientoi gjithmonë me tolerancë dhe nëpërmjet bashkëpunimit me komunitetet e tjera fetare, duke dhënë kështu një kontribut të madh për zhvillimet e mëtejshme të shoqërisë shqiptare, pikërisht në përputhje me frymën tonë të bashkëjetesës.

Shqipëria sot, ashtu si dhe kurdoherë në historinë e saj, është një vend i virtytshëm, vend që ka marrëdhëniet ndërfetare të harmonishme, thellësisht paqësore, shembullore, gjë për të cilën krenohemi të gjithë. E për të ruajtur e forcuar këtë, krahas komuniteteve të tjera fetare, një rol të dorës së parë kanë dhe besimtarët orthodhoksë, Kisha Orthodhokse Shqiptare, me në krye Hirësinë e Tij Janullatosin, roli i të cilit është i padiskutueshëm. Ai ka ditur në këto vite të jetë në lartësinë e këtij virtyti kombëtar shqiptar.

Nga ana tjetër, Kisha jonë Orthodhokse u rrit e u zhvillua në këto vite duke ruajtur e zhvilluar autoqefalinë e saj. Hirësia e Tij që në fillim e orientoi Kishën Orthodhokse drejt principit se autoqefalia nuk është një qëllim në vetvete e as një dëshirë e izoluar. Ajo arrihet e forcohet nëpërmjet dijes, njerëzve të aftë e të përgatitur, vizioneve e niveleve të larta kulturore e intelektuale.

Pikërisht, për krijimin e kuadrove vendës, që në fillimet e vitit 1992 nisi funksionimin shkolla Teologjike-Hieratike, e cila më pas, me kalimin e viteve dhe konsolidimin e saj, mori emrin Akademia Teologjike “Ngjallja e Krishtit”. Po kështu u ngrit në Gjirokastër Shkolla e Mesme Kishtare “Kryqi i Nderuar”. Që nga ajo kohë e fillimit e deri më sot, janë përgatitur me qindra klerikë të rinj, të cilët japin kontributin e tyre të çmuar në të gjithë vendin.

Forcimi i autoqefalisë së vërtetë dhe plotësimi i hierarkisë kishtare orthodhokse tek ne, është pa diskutim një nga kolonat më të rëndësishme të aktivitetit të Kryepiskopit Anastas. Kjo është një vepër e madhe në rindërtimin e kësaj Kishe.

Kryepiskopi Anastas, nuk e ka parë autoqefalinë si etiketë, por si një realitet. Kjo mënyrë perceptimi e veprimi bënë që brenda pak vitesh jeta kishtare të njohë një lulëzim të gjerë. U dorëzuan dhjetëra priftërinj dhe u përgatitën qindra kuadro, u zhvillua arsimi kishtar dhe u inkurajua vepra hierapostolike. Më 1998 u krijuan premisat, që çuan në krijimin e Sinodit të Shenjtë dhe që bënë të mundur forcimin e autoqefalisë, e cila u konsolidua akoma më shumë me zgjedhjen dhe hirotonisjen e tre episkopëve të tjerë. Ndërkaq ekzistenca e kuadrove të tjerë në moshë të re, të aftë e të mirëpërgatitur, të cilët do të thirren në të ardhmen për t’i dhënë një shtysë akoma më të madhe veprës që po kryhet, përbëjnë garanci të plotë se Kryepiskopi Anastas është kujdesur edhe për perspektivën e saj, në vitet që vijnë.

Arritjet e mësipërme, falë të cilave Kisha Orthodhokse është sot me të vërtetë autoqefale, janë bashkudhëtare me përpjekjet e të gjitha komuniteteve fetare për rehabilitimin dhe konsolidimin e institucionit të fesë, në frymën e tolerancës, bashkëjetesës e vlerave universale të kombinuara me ato tonat, kombëtare. Njëkohësisht këto arritje, janë bashkudhëtare me përpjekjet dhe aspiratat e qytetarëve shqiptarë për demokraci dhe përparim shoqëror, prandaj dhe e radhitin Kryepiskopin Anastas, gjithashtu, ndër personalitetet e shquara të këtyre viteve të demokracisë në Shqipëri, për periudhën paskomuniste të saj. Në tërësinë e veprimtarisë, ai është treguar në realitet një intelektual i nivelit të lartë, jo thjesht kishtar, por gjithashtu dhe një filozof, dijetar e autor veprash. Ai ka ditur të demonstrojë në këtë mënyrë kurdoherë fizionominë e tij, si një njeri me horizont e interesa shumë të gjerë, duke i dhënë vetes jo rrallë, në mome ntet e vështira të vendit, një rol të rëndësishëm në kapërcimin e tyre, në zbutjen e tensioneve sociale, në normalizimin e marrëdhënieve, në forcimin e miqësive e lidhjeve me vendet e popujt e tjerë fqinjë, apo perëndimorë.

Lidhjet, që Kisha Orthodhokse Shqiptare ka krijuar në këto vite kudo në botë, janë pa asnjë dyshim pjesë e lidhjeve tona me botën e qytetëruar, pjesë e hapjes sonë të madhe. Ato i shërbejnë jo vetëm asaj vetë, por dhe njohjes e imazhit tonë të ri, të mbarë vendit tonë. Këto janë një kontribut i rëndësishëm i afrimit tonë me familjen evropiane, si dhe për integrimin tonë të shpejtë në atë bashkësi. Kështu, midis shumë aktiviteteve e lidhjeve ndërkombëtare, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë merr pjesë në mënyrë aktive në veprimtaritë e Kishave të tjera Orthodhokse. Ajo është anëtare e Këshillit Botëror të Kishave, e Konferencës Evropiane të Kishave dhe në përgjithësi kontribuon në përpjekjet e bashkëpunimit paqësor dhe solidaritetit në Evropën Juglindore. Askush nuk mund ta mohojë se kjo është një meritë e padiskutueshme e Hirësisë së Tij Janullatos dhe konfirmon aftësitë e tij të mëdha në jetën dhe artin e diplomacisë.

Jeta sociale e njerëzve do të përbënte një tjetër aspekt të aktivitetit të Hirësisë së Tij në këto vite të vështira për zhvillimin e vendit, në këto vite lufte për përsosjen shpirtë- rore të shqiptarëve. Kështu ai nuk la mbas dore edhe përpjekjet konkrete për përmirësimin e kushteve të jetesës së njerëzve, veçanërisht të atyre që ishin më shumë në vështirësi. Duke vëzhguar me vëmendje këtë veprimtari rreth 18-vjeçare, nuk mund të mos konstatosh se detyra kryesore, qe ai i vuri vetes, që në fillim, ishte që krahas me ringritjen e Kishës Orthodhokse, të punonte jo vetëm për ringritjen shpirtërore, por edhe për atë materiale, të komunitetit orthodhoks si dhe më gjerë, në Shqipëri.

Në këto vite Kisha Orthodhokse e Shqipërisë zhvilloi një veprimtari të gjerë sociale. Duke filluar me ndarjen e mijërave tonë me ushqime, veshje, ilaçe, në ndihmë të familjeve të varfra dhe të refugjatëve kosovarë, me dhurime pajisjesh spitalore në qytete, fshatra dhe institucione sociale e deri në programe integruese zhvillimi. Kështu në fushën e shëndetësisë kontribuon me Qendrën Diagnostike “Ungjillëzimi” në Tiranë, poliklinikat në Kavajë, Korçë, Lushnjë dhe Jergucat, si dhe njësitë ambulante dentare. Gjithashtu mund të përmendim dhe programe të tjera, po kaq të rëndësishme, si ato për zhvillimin bujqësor, përmirësime rrugësh, ekonomi shtëpiake, arsim etj. Dhe në të gjitha këto, roli e kontributi i Hirësisë së Tij është themeltar.

Slogani i tij është frymëzues: “Një pyll nuk është i bukur kur ka vetëm një tip pemësh, çështja është që pylli të jetë i shëndetshëm”.

Dhe kjo është ajo, që Hirësia e Tij është përpjekur të bëjë konkretisht.

Kështu, ky personalitet fetar e intelektual, me veprimtarinë dhe praninë e tij në tërë këto vite, me kontributin e dhënë, me rolin e luajtur në situata nga më të ndryshmet  e të komplikuara, që Kisha Orthodhokse e vendi kanë kaluar, ka treguar se tashmë ai është kthyer në një faktor serioz e të rëndësishëm i bashkëjetesës fetare te ne, i paqes e mirëkuptimit në tërësi, i forcimit të urave të miqësisë  me popujt e tjerë, i përsosjes së botës sonë shpirtërore dhe kulturore.

I uroj Hirësisë së Tij: Gëzuar ditëlindjen, jetë të gjatë e plot suksese në shërbim të Kishës sonë Orthodhokse e në të mirë të vendit!