Prof. dr. Neritan Ceka
Kërkim nr. 3, Tiranë, 2010.

Dalja e një libri të mirë ka përbërë për mua gjithmonë një ngjarje të gëzuar, por, kur ky libër botohet nga një mik i mirë, gëzimi është edhe më i madh. Nis pastaj reflektimi mbi atë që është shkruar, mbi fjalën si mesazh dhe si energji për ndryshim.

Që prej dhjetë vjetësh që njihem me Hirësinë e Tij kam ndjerë vazhdimisht atë mungesë kohe dhe mundësinë për të qëndruar më gjatë pranë tij dhe për të dalë nga qerthulli i bisedave të zakonshme, drejt diskutimeve më të thella mbi kohën që jetojmë. Libri Globalizmi dhe Orthodhoksia i është përgjigjur gjerësisht kësaj dëshire, duke më vënë në një dialog intensiv me mendimet e tij që i drejtohen një spektri shumë të gjerë interesash. Si shumë lexues të tjerë, kam gjetur në këtë libër rrugët që të çojnë te pyetjet dhe shpjegimet mbi çështjen e misionit të njeriut dhe shoqërisë njerëzore, gjë që i jep veprës një karakter të gjerë filozofik. Kam gjetur gjithashtu një trajtim aq sa të thjeshtë sa edhe të thellë mbi këndvështrimin orthodhoks mbi problemet më aktuale të shoqërisë së sotme, i cili më ka entuziazmuar për qartësinë dhe optimizmin me të cilin parashikon zgjidhjen e tyre në një Shoqëri Mbarëbotërore të Dashurisë.

Gjithashtu, si historian, kam ndjekur me pasion retrospektivën në historinë e hershme të krishterimit, që është edhe historia e krijimit të qytetërimit të sotëm evropian e perëndimor, të mbështetur në vlerat e humanizmit, lirisë, solidaritetit e të sakrificës për të tjerët.

Trupëzimi i Fjalës së Perëndisë si një fuqi e re e shoqërisë përbën një motiv themelor në vështrimin filozofik të autorit. Njohja e së keqes, pranimi i realitetit të konfliktit dhe përçarjes tragjike mbarënjerëzore nuk duhet të na çojë në pesimizëm dhe vetëmbyllje, por në një lëvizje të re drejt unitetit brenda historisë njerëzore, drejt një shoqërie të një rangu dhe cilësie tjetër, ku çdo person dhe grup personash ftohen që ta realizojnë veten në harmoni me të tërën.

Në radhë të parë me botën që na rrethon, sepse, siç shkruan autori, “rigjetja e dimensionit të shenjtërisë së na- tyrës, e harmonisë fillestare të saj me natyrën njerëzore, është një kontribut vendimtar në arritjen e një shoqërie mbarëbotërore”.

Po kaq rëndësi ka për autorin dimensioni njerëzor i drejtësisë shoqërore, një nga kontributet universale të Kri- shterimit, i cili mbetet sot një nga motivet themelore për ndërtimin e Shoqërisë Mbarëbotërore të Dashurisë, në ndeshje me pabarazinë sociale e nacionale, racizmin dhe me shkeljen e të drejtave themelore të njeriut në përgjithësi. Njohja e universalitetit dhe njëkohësisht e individualitetit në të gjitha përmasat e kësaj shoqërie e dallojnë atë qartë nga modelet e internacionalizmit, duke pranuar veçantinë si një atribut themelor të globalizmit. Për këtë arsye, glo- balizmi konceptohet nga autori si një tendencë funksio- nale dhe jo rrafshuese, si një sistem ku zbulohet dhe ruhet bukuria e veçantë e natyrës së përbashkët njerëzore në një rajon të caktuar.

Dua të citoj këtu një përcaktim emocionues të autorit për kohën në të cilën zhvillohet lëvizja drejt Shoqërisë Mbarëbotërore të Dashurisë, për atë që ne e quajmë thjesht histori: “Historia është një lëvizje dramatike drejt shoqërisë përfundimtare të njerëzve më Perëndinë” dhe “Realiteti i Krishtit e tejkalon historinë”.

Siç shprehet autori, këto janë ndjesi që aktivizojnë shpresën dhe japin shtysën dinamike për kapërcimin e institucioneve dhe situatave të ashpra, kultivojnë realizmin dinamik për të arritur të mundurën me orientimin drejt së pamundurës. Është pikërisht kjo fusha ku misioni i politikës konvergon më pranë atij të Kishës.

Duke pranuar globalizmin si një perspective normale të shoqërisë njerëzore, autori e shikon atë si një realizim të personave të lirë në dashuri, sipas modelit të Trinisë së Shenjtë.

Problemi i vetë esencës së njeriut dhe i lirive të tij universale përbën një nga temat më të preferuara të trajtimit filozofik të autorit, i cili duke u nisur nga një analizë e dokumenteve themelore ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut dhe pasi bashkohet me kërkesën e respektimit të tyre, na ka dhënë një nga studimet më të thella e më poliedrike mbi këtë temë. Trajtimi i parakushteve të realizimit të lirive të njeriut vetëm si një koncept juridik, i bazuar mbi të drejtën natyrore, ka përbërë një nga kufizimet jo vetëm në kuptimin filozofik të tyre, por edhe në zbatimin praktik në shoqëritë demokratike. Sipas autorit, liria s’duhet parë vetëm si një e drejtë politike, e shtrënguar ligjërisht, por në radhë të parë si një atribut i brendshëm i ekzistencës së njeriut, si një mundësi për rilindje dhe metamorfozë shpirtërore. Si e tillë, ajo përbën parakushtin themelor për realizimin e saj në shoqërinë njerëzore.

Veç faktorëve të jashtëm shtetërorë apo socialë, të cilët rrezikojnë të drejtat dhe liritë njerëzore, ekziston edhe një antinomi e natyrshme në qenien njerëzore dhe teorema bazë e saj mbetet tragjedia e mëkatit njerëzor dhe mundë- sia e kapërcimit të tij. Para së gjithash në raportin midis të drejtave dhe detyrimeve si përgjegjësi, ku autori sheh një mundësi kapërcimi pikërisht te perspektiva ekumenike, universale, ashtu siç thoshte Gandi se “edhe vetë e drejta e jetës na përket vetëm kur bëjmë detyrën tonë si qytetarë të botës”. Për këtë arsye, thekson autori, “deklaratat ekzistuese janë formulime të pikënisjes dhe nuk garantojnë dinjitetin e njeriut nga robëria në egoizmin e tij dhe as nga faktorët kompleksë të strukturave shumëformëshe dhe të shëm- tuara të shoqërisë moderne dhe teknologjike”. Përkundrazi, brenda doktrinës orthodhokse mbi Trininë e Shenjtë lidhen dhe harmonizohen personi dhe shoqëria: integrimi i plotë në të dhe ruajtja e tërësisë personale. Ky është edhe hapi që ndan afirmimin e të drejtave nga deklaratat, si struktura ligjore intelektuale, nga realitetet biomatike brenda jetës njerëzore. Synimi është liria e brendshme, si parakusht për zhvillimin e përgjithshëm të personalitetit njerëzor. “Pranimi i lirë i kryqit dhe jo kryqëzata, shkruan autori, është fuqia dhe metoda për zhvillimin e barazisë dhe vëllazërimit mbarëbotëror”.

Njeriu nuk mund të jetë i lirë po të mos përpiqet për lirinë e të tjerëve. Ky është lajtmotivi i trajtimeve interesante të raportit të Ungjillit me kulturën dhe të dialogut të ortho- dhoksisë me fetë e tjera, veçanërisht me islamin, të mbë- shtetur në një përpjekje ekuilibri dhe mirëkuptimi, një koordinim me traditat e universalitetit dhe globalizmit.

“Që Ungjilli të përjetohet në globalizmin e tij, në çdo vend dhe në çdo kohë, shkruan autori, çdo popull, në çdo rajon të botës, duhet të thellohet përsëri në të, ta jetojë brenda kuadrit të premisave të tij dhe ta shprehë me zërin dhe me shpirtin e vet… Çdo kishë lokale është e detyruar që të ofrojë dhe të zhvillojë vlerat pozitive të kulturës kon- krete sipas temperamentit të saj kombëtar, gjuhësor dhe racor”. Sa pranë qëndron fjala me veprën e Hirësisë së Tij në rimëkëmbjen e Kishës Orthodhokse Shqiptare!

Si një teolog i shquar, autori na njeh me pesë etapat e zhvillimit të dialogut historik midis Krishterimit dhe Isla- mit, duke qenë ai vetë një nga aktorët e zhvillimit të dia- logut konkret “jo më duke folur ballë për ballë me njëri -tjetrin ose kundër njëri – tjetrit, por duke vështruar së bashku shenjat e reja të kohëve, problemet e reja të mprehta”.

Tre kapitujt e fundit të librit përmbledhin idenë the- melore të librit, atë të dinamikës së ndryshimit të për- gjithshëm dhe të vazhdueshëm, si një nga atributet theme- lore të filozofisë së krishterë dhe njëkohësisht të veprimit të saj universal: “Ndryshohu me ndryshimin e mirë” (Grigor Theologu, 383 m. Kr.). Dëshmitë e Tre Hierar- këve (Vasili i Madh, Grigor Theologu dhe Joan Gojarti) janë më se aktuale sot në domosdoshmërinë për ndryshim në marrëdhëniet njerëzore midis burrit dhe gruas, të pasurit dhe të varfrit, autoritetit dhe njerëzve në nevojë. Kjo nuk është një thirrje për t’u kthyer në idealet e epokës së Krishterimit të hershëm, e cila i ngjante kohës sonë për nga dramaciteti historik, por edhe për nevojën për ndryshim. Sepse “ndryshimi i mirë” lëviz në kuadrin e lirisë së njeriut dhe antropologjia e Tre Hierarkëve mbetet antropologji e hireve dhe e lirisë. Sa aktuale është thënia e Grigor Theologut “Urrej predikimet e tyre, meqë jeta e tyre është në kundërshtim me to” dhe çfarë optimizmi përcjell mesazhi i tij se “për ty do të jenë qielli i ri dhe toka e re”.

I parë në këtë këndvështrim edhe globalizmi nuk konceptohet si një e keqe e re që po pllakos botën, si një lloj i ri imperializmi ekonomik, një rrezik për lirinë dhe personalitetin e njeriut. Autori e shikon atë si një fenomen të natyrshëm të zhvillimit të përgjithshëm botëror, të përcaktuar nga zhvillimi i shpejtë i teknologjisë dhe informacionit, nga shembja e strukturave politike dhe shpirtërore të socializmit real dhe nga veprimi i një stra- tegjie sinergjike të shteteve të mëdha në formën e një planifikimi ekonomik e politik.

Autori shënon aspektet pozitive të këtij procesi në përmirësimin e gjendjes ekonomike të popujve, rritjen e komunikimit midis tyre, ngritjen e rolit të gruas dhe rinisë në shoqëritë e reja, njohjen e të drejtave të njeriut, luftën e përbashkët kundër të këqijave botërore dhe forcimin e solidaritetit. Njëkohësisht ai sintetizon edhe rezultatet negative të këtij procesi në thellimin e hendekut midis vendeve të pasura dhe të varfra të botës, apo midis shtre- save shoqërore brenda të njëjtit vend, rritjen e papunësisë dhe parazitarizmit, korrupsionit e krimit, si dhe krijimin e një humnere hipokrizie që ndan deklaratat dhe parimet teorike të organizmave botërore nga zbatimi i tyre në praktikë. Sepse globalizmi nuk është vetëm një proces ekonomik, por imponon një sistem mendimi, një kulturë, nën ndikimin e së cilës shpesh shkatërrohen marrëdhëniet njerëzore. Megjithatë prognoza mbetet optimiste, sepse siç shkruan autori, duke cituar studiuesin francez Ph. Defarges “…globalizmi nuk sjell fundin as për njeriun, as për historinë e tij… nuk është rastësi që globalizmi realizohet në çastin kur njeriu zhytet në dy pafundësi: në vogëlsinë e pafund të materies dhe në madhësinë e pafund të yjeve”.

Drejtimi te Pafundësia mbetet karakteristikë e përvojës fetare dhe, vizioni i një shoqërie mbarëbotërore ka qenë gjithnjë karakteristikë e feve të mëdha. Në këto kushte autori vlerëson rolin e orthodhoksisë në pranimin e qëndrueshmërisë së shumëllojshmërisë fetare dhe të rolit të veçantë që luajnë fetë e mëdha në krijimin e një klime dialogu e mirëkuptimi në një botë që po globalizohet. Njëkohësisht ngrihet shqetësimi për rolin militant të grupeve fondamentaliste si një agresion i relatives për të zëvendësuar absoluten fetare, por kjo nuk mund të çojë në përplasjen e qytetërimeve të Huntigtonit, pas së cilës fshihet arroganca e kulturës gjoja më të mirë dhe preokupimit se si do të mbrohet ajo. Autori me të drejtë konsideron si absurde idenë e një aleance antiperëndimore të botës Orthodhokse me Islamin. Mesazhi i autorit është krejt i kundërt në afrimin midis feve të ndryshme, por edhe në një përshtatje të orthodhoksisë në ecjen drejt globalizmit dhe në ndikimin mbi formën e tij përfundimtare.

“Globalizmi është tashmë një proces në evolucion dhe nuk ka fuqi, me sa duket, që ta ndalojë atë. Ai i hap njerëzimit mundësi të shkëlqyera dhe perspektiva të papritura. Por gjithashtu mbart turbullira dhe rivendosje të papritura”. Përfundimi i autorit është optimizmi përpara kësaj perspektive, kur duhet “të rrosh me sigurinë se shoqëria mbarëbotërore e dashurisë së personave të lirë është një ideal, për të cilin ia vlen të luftosh”.

Duke përmbyllur reflektimet e mia mbi këtë libër fondamental të mendimit Orthodhoks, por edhe të filozofisë universale, duhet të dëshmoj për ndjesinë e pranisë së Hirësisë së Tij që kam pasur gjatë gjithë kohës së leximit të librit. Jam i sigurt që kjo nuk ka qenë vetëm një ndjesi e imja, por e të gjithë atyre që e kanë njohur dhe e kanë dashur atë. Kjo për arsyen e thjeshtë, sepse siç i ngjan njeriu i mirë Krijuesit, ashtu i ngjan ky libër i mrekullueshëm autorit të tij.