Vajos Vajopulos

Profesor i Asociuar i Departamentit të Historisë

i Universitetit Jonian, Korfuz

– Fjala e mbajtur me rastin e ceremonisë së shpalljes së

Kryepiskopit Anastas “Doktor Nderi” i këtij Universiteti – Kërkim nr. 3, Tiranë, 2009.

Në personin e tij shfaqet një paradoks që të lumturon: njerëz nga çdo mjedis politik e social, indiferentë mbi çështjet fetare, mosbesues me ose pa të drejtë ndaj çdo gjëje që lidhet me Kishën zyrtare, njerëz që nuk humbasin rastin të apelojnë për gjëra të parëndësishme ose të mëdha, me një mënyrë thuajse të magjishme, kur diskutimi, në forma zyrtare ose në bisedat e jetës së përditshme, prek personin e Kryepiskopit Anastas, papritur kanë të njëjtin mendim dhe përputhja e opinioneve dhe e gjykimit është absolute. Madje, edhe kur nuk ekziston një informacion i plotë për veprën e këtij njeriu, shqisa e njerëzve i plotëson boshllëqet e njohurisë dhe i fal me bujari Fortlumturisë fjalën e mirë. Paraqitja përmbledhëse e veprës së tij, si e asaj të mirëfilltë akademike, dhe e asaj sociale e më gjerë, humanitare, do të mund të ofronte vetëm përshkrime fragmentare ndaj këtij fenomeni – sepse realisht kemi të bëjmë me një fenomen. Kjo, sepse në rastin e Kryepiskopit Anastas hasim një stimulim të padyshimtë e të rrallë të instinktit popullor, i cili nuk impresionohet automatikisht ose me program dhe as ia atribuon vetvetiu vlerat personaliteteve emblematike, qoftë edhe atëherë kur ka vlera apo kontribute.

Lavdërimi i pasur që do të lindte nga vazhdimi i një diskutimi  të tillë, megjithëse dëgjuesit do t’i dukej i pamjaftueshëm, ka shumë mundësi të bezdisë thjeshtësinë e natyrshme të vetë personit që lavdërohet. Prandaj, do të kufizohem në një ekspoze sa më të shkurtër e të thjeshtë të jetë e mundur lidhur me aspektin e mirëfilltë akademik të veprës së tij, edhe pse një gjë e tillë është shumë e vështirë.

Si është e mundur të paraqiten, qoftë edhe duke cituar vetëm titujt e mbi 400 studimeve, shkrimeve dhe artikujve, e të paktën dhjetë monografive, teksteve të botuara në revista prestigjioze shkencore ndërkombëtare, të përkthyera ose të shkruara që në fillim në anglisht, gjermanisht, frëngjisht, spanjisht, finlandisht, suedisht, serbisht, rumanisht, rusisht dhe shqip? Mos vallë një paraqitje e jetës së tij do të kish qenë më e lehtë? Dy biografi të zgjeruara për të janë në qarkullim, nga sa njoh, njëra nga profesor Athanasios Delikostopulos, tjetra nga filologu Kristos Romas. Edhe këta e kanë pasur të pamundur të përfshijnë të gjithë rrugëtimin e Fortlumturisë, edhe pse të dyja biografitë, të marra së bashku, e trajtojnë atë në më tepër se 550 faqe.

Me këtë prezantim do të përpiqem të sjell disa të dhëna nga jeta dhe vepra e tij, duke pohuar njëherazi pamjaftueshmërinë time qoftë edhe për një trajtim disi të kënaqshëm të veprës së tij gjigande.

Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, profesori i Fakultetit Theologjik të Universitetit Kombëtar Kapodistrian të Athinës, Anastas Janullatos, me prejardhje nga Qefalonia, lindi në nëntor të vitit 1929 në Pire dhe i kaloi vitet e adoleshencës në Athinë. Përfundoi Gjimnazin e Dytë të Djemve të Athinës, një nga shkollat më të rrepta e më të mira të kohës së tij, me rezultate të shkëlqyera, duke dhënë qysh në vitet e arsimimit të tij të përgjithshëm prova për rrugëtimin e shkëlqyer që do të vazhdonte. Dhe, teksa shkëlqente dhe kryesonte në të gjitha fushat, duke u bërë kështu shembulli i bashkëmoshatarëve të tij dhe i më të vegjëlve, mburrja e botës fëmijërore – siç e kujtojnë bashkënxënësit e tij, sot njerëz të shquar shpirtërorë, ndërsa mund të zgjidhte çdo lloj fushe shkencore që pëlqente, dëshira për t’i ofruar njeriut dhe kërkimet e tij të brendshme e shtynë të riun karizmatik të studiojë theologji dhe jo ndonjë shkencë tjetër më të vlerësuar sipas kritereve të zakonshme. Vendimi i tij përbënte një skandal të madh për kohën, por edhe një hap të parë drejt një vetëmohimi të vullnetshëm, anët e tjera të të cilit nuk vonuan të dalin në skenë.

Pasi kryesoi dhe shkëlqeu në provimet e pranimit në Fakultetin Theologjik të Universitetit të Athinës, u diplomua, më 1952, me notë mesatare 9.53, kreu shërbimin ushtarak (1952-54), ndoqi në Athinë kurse të homilitikës dhe gazetarisë (1955-1958) dhe iu përkushtua tërësisht veprës së Hierapostullimit të brendshëm (brenda vendit). Ndoqi me vendosmëri një rrugë kontributi, duke spikatur për cilësi të larta udhëheqësi, të ndërthurura me humanizëm dhe me një mirësjellje e fisnikëri të lindur.

Shumë shpejt u ndërgjegjësua se nuk duhet ta shtynte më realizimin e një vizioni rinor: në vitin 1960, dorëzohet dhjak, duke pasur si qëllim të vetëm përkushtimin e vetes në veprën e ringjalljes së Hierapostullisë së jashtme (jashtë vendit) dhe në ruajtjen e porosisë së Ungjillit “shkoni dhe mësoni të gjitha kombet”. Pikërisht, këtë porosi orthodhoksët gjatë shekujve të fundit, të zënë me “çështjet e shtëpisë” dhe duke u kujdesur më tepër për ruajtjen e traditës së tyre, ndoshta e kishin lënë në harresë. Anastasi luftoi prirjen e vetizolimit dhe të provincializmit fetar, të cilën e konsideronte si një pengesë frenuese në çështjen e përbotshmërisë së krishterimit dhe, falë përpjekjeve të tij këmbëngulëse, u realizua një dalje dinamike e Orthodhoksisë në botë dhe u synua përsëri, dimensioni i harruar i qenësisë së saj apostolike dhe katholike (gjithëpërfshirëse). Si një strateg i mirë, u përkujdes (në vitin 1961), në kuadrin e këtij qëllimi, për krijimin e stafit të tij: themeloi dhe drejton ende dhe sot Qendrën Ndërorthodhokse “Porefthentes”, e cila do të përbëjë bërthamën e aktivitetit të tij dhe, ashtu si edhe buletini i saj me të njëjtin titull, do të fitojë një njohje ndërkombëtare me rezonancë mbarëbotërore. Pas shekujsh, falë Anastasit, u realizua zgjimi hierapostolik i Kishës Orthodhokse, çelja e horizonteve të saj drejt gjithë botës.

Nga viti 1964, si anëtar i Working Committee on Missionary Studies i Këshillit Botëror të Kishave, pozicion ku shërbeu për gjashtëmbëdhjetë vjet, si edhe nga pozicione të tjera të vetë organizmit, merr pjesë në kongrese ndërkombëtare, konferenca ndërkristiane, mban kontakte me përfaqësues të feve të tjera, duke kontribuar në formulimin e theologjisë dhe të praktikws së hierapostullisë moderne të krishterë. Si anëtar, nga viti 1967, i Regional Handbooks Editorial Board, i Komisionit Ndërkristian të Këshillit Botëror të Kishave dhe i Documentation Centre Romeokatolikbashkëpunon në botimin e një sërë librash për krishterimin dhe për pozitën e tij në botë. Ndërsa në vitin 1969, Këshilli Botëror i Kishave e fton të pranojë pozicionin e veçantë, që u krijua për nder të tij, në Sekretari, për hulumtimin dhe marrëdhëniet me kishat orthodhokse. Në vitin 1970, vendoset në postin e drejtuesit të Qendrës së Studimeve Misionare. Në vitin 1971, i caktohet nga Sinodi i Shenjtë i Kishës së Greqisë organizimi dhe drejtimi i Qendrës Ndërorthodhokse të Kishës së Greqisë.

Në vitin 1964, një mëngjes maji dorëzohet prift dhe po atë mbrëmje, largohet me ngut për në Uganda, duke shfaqur në mënyrë esenciale qëllimin e rrugës së vështirë të përkushtimit priftëror. Beson se do të qëndronte në Afrikë për pjesën e mbetur të jetës së tij.

Kur Anastasi, pasi mbaroi gjimnazin, zgjodhi theologjinë, kur më vonë iu përkushtua Kishës dhe teksa, duke dashur “të jetë i pari”, vendosi të shërbejë si “i fundit nga të gjithë”, ai përparonte duke kërkuar jetën e vërtetë, në një “zgjedhje të vdekjes” së vullnetshme. Se sa reale mund të rezultonte kjo e fundit, u duk më së miri, kur një sere vështirësish dhe rreziqesh që përballoi në Afrikë, i shkaktuan një tronditje serioze të shëndetit. Malaria e rëndë nga e cila u sëmur, e detyroi të kthehet në Greqi. Atëherë, një anë tjetër kërkonte pjesën e saj nga përkujdesja e tij, anë shumë e rëndësishme, një faqe e personalitetit të tij: vetja e tij “shkencore”. Iu përkushtua, pra, studimit sistematik në lëmin e fetarologjisë, duke modernizuar dhe përmirësuar mënyrën e shërimit të këtij objekti gnostik, falë koordinimit të hulumtimit të tij me zhvillimet studimore ndërkombëtare të kohës, por edhe me ndërthurjen e studimit bibliografik në kontakt të drejtpërdrejtë me objektin nën studim.

Me bursë të veçantë të Këshillit Botëror të Kishave, në vitin 1965, shkoi në Gjermani, ku, si student pasuniversitar i Fakultetit të Filozofisë të Hamburgut, më pas të Marburgut dhe, në vazhdim, si bursist i Fondacionit Alexander von Humboldt, studioi etnologji, fetarologji, misionarologji, afrikanologji dhe u specializua në historinë e feve. Studioi simbolikën afrikane në lidhje me traditën simbolike orthodhokse, kurse gjatë qëndrimit të tij në Gjermani, u mësonte studentëve gjuhën dhe filologjinë e re greke.

Pasi u kthye në Uganda, në vitin 1967, me anë të studimit në terren të fenomenit të pushtimit nga shpirtrat (pneumatolipsia), krijon të dhëna të reja për sa i takon fushës fetarologjike. Me qendër Universitetin e Makereres në Kampala dhe i pajisur me njohjen e shumë gjuhëve të huaja (njeh frëngjisht, gjermanisht, anglisht, spanjisht, italisht, latinisht, rusisht, gala dhe suahili – këtyre gjuhëve iu shtua më vonë edhe shqipja – pra njeh dhjetë gjuhë përveç greqishtes, nëse i numëroj saktë dhe nuk harroj ndonjë prej tyre) studioi fenë tradicionale të fiseve bandu dhe hartoi punimin shumë të rëndësishëm fetarologjik Frymërat m’bandua dhe kuadri i adhurimit të tyre. Hulumtim fetarologjik i aspekteve të fesë afrikane, që u dorëzua si punim për mbrojtje doktorate në Fakultetin Theologjik të Universitetit të Athinës dhe u miratua njëzëri me vlerësimin “shkëlqyeshëm”. Pasojnë studime nismëtare lidhur me fetarinë afrikane, si Zoti i Shkëlqimit, Perëndia i fiseve pranë Malit Kenia, Figura të ritualit afrikan, Ruhanga Krijuesi, Hulumtim fetarologjik i pikëpamjeve të fesë afrikane në Ugandën Perëndimore etj.

Në vitin 1976, u zgjodh me votim unanim profesor i katedrës së Historisë së Feve në Fakultetin Theologjik të Universitetit Kombëtar Kapodistrian të Athinës, ku do të shërbente edhe si dekan. Anastasi edhe këtë pozicion, ashtu si edhe detyrat e tjera që i janë ngarkuar, e përdor si një vendrojë, nga ku forcon më tej hierapostullinë e tij të jashtme. Merr në shqyrtim fenomenin e fesë në dimensionet e tij globale, jep mësime lidhur me fetë afrikane, por edhe për fetë e mëdha, siç është Induizmi, Budizmi dhe Islami (mësimi i të cilit futet për herë të parë në Greqi), duke shkruar në të njëjtën kohë edhe punime përmbledhëse që mbulojnë boshllëqe në bibliografinë fetarologjike (p.sh. Islami, një kundrim fetarologjik, Athinë, 1975, studim që do të kthehej në një pikë referimi për të gjithë specialistët që merren me dialogun ndërfetar dhe ndëretnik dhe është në qarkullim me botimin e tij të 15-të).

Anastasi e kupton mirë nevojën e krijimit të “një theologjie të feve” dhe domosdoshmërinë e kuptimit të të gjitha feve nga pikëpamja e krishterë e, madje, nga ajo orthodhokse dhe merret intensivisht me hulumtimin e pozicionimit të krishterimit në përgjithësi dhe të Orthodhoksisë në veçanti, në lidhje me çështjen e mësipërme, gjatë vazhdës së historisë. Hulumtimi në qendra të ndryshme adhurimi, i ndërthurur me vëzhgimin e skenave të ceremonialit adhurues, me regjistrimin e muzikës kishtare, me studimin e objekteve fetare, si edhe me burime të tjera të informacionit japin fryte të pasura shkencore me shkrimin e punimeve origjinale, vlera e të cilave njihet botërisht nga komuniteti shkencor. Në dhjetë monografitë e tij dhe, përgjithësisht, në mbi 450 botimet e tij, çelen horizonte të reja në studimin e historisë së feve, por edhe për çështje të një interesi më të gjerë: Për komunitetin global, Mundësi dhe përgjegjësi, “Gjurmë nga kërkimi i Transhendentes, Koleksion i studimeve fetarologjike, (Feja, Induizmi, Islami, Fetë Afrikane, Misticizmi etj.), “Globalizmi dhe Orthodhoksia”, Hierapostullim në gjurmët e Krishtit, Perëndia u shfaq në mish, janë vetëm disa tituj tregues të librave që kanë njohur dhjetëra ribotime dhe janë përkthyer në shumë gjuhë.

Në vitin 1972, Anastasi u zgjodh episkop titullar i Andrusës dhe caktohet Drejtor i Përgjithshëm i Apostoliki Diakonia, (Shërbimit Apostolik), pozitë nga ku punon për zhvillimin e vetëndërgjegjësimit theologjik të Kishës. Dhe ndërkaq nuk resht kurrë së studiuari dhe së shkruari. Në vitin 1973, kur shënohet revolta e parë studentore kundër diktaturës me pushtimin e Fakultetit të Jurisprudencës në Athinë, episkopi arrin në rrugën Solonos i ngarkuar me ushqime dhe ilaçe për studentët, duke veshur vetëm një raso të thjeshtë dhe një kryq hekuri. Personat që e shoqëronin dhe ai vetë zmbrapsen dhunshëm nga policia, por episkopi arrin të futet fshehurazi dhe t’u japë furnizimet studentëve që kishin ngritur krye për liri e demokraci. Kjo ngjarje, që është thjesht një tregues i qëndrimit të tij, por jo i vetmi, është bërë e njohur nga dëshmitë e ballafaquara të dëshmitarëve okularë.

Në vitin 1981, ftohet nga Patriarku i Aleksandrisë të kontribuojë në normalizimin e gjendjes së Kishës së Kenias, që ndodhej në prag të shpërbërjes. Gjatë një dhjetëvjeçari, e kushton kohën e tij midis Afrikës Lindore dhe Athinës. Ndërton dhe vë në funksionim Fakultetin e vetëm Orthodhoks në mbarë Afrikën, ndërton kisha, shkolla, qendra mjekësore, klinika, organizon kampingje,  përkthen Liturgjinë Hyjnore në katër gjuhë afrikane, realizon një vepër të jashtëzakonshme sociale dhe kulturore, pikërisht ngaqë i respekton kulturat që ndesh dhe nuk përpiqet t’i shkrijë apo t’i njëjtësojë ato. “Afrika” do të thotë ai vetë “është një vend, ndaj të cilit janë bërë padrejtësi të shumanshme. Por fatmirësisht për një gjë nuk i është bërë padrejtësi: askush nuk ia ka ndaluar kurrë, ndryshe nga çka ndodhi në Shqipëri, të besojë dhe, për më tepër, të këndojë e të vallëzojë për Perëndinë… Fetaria afrikane quhet “primitive” nga disa. Unë e kam ndryshuar termin dhe e quaj “fillestare”. Njeriu që jeton në kushte të tilla, nuk do të thotë se është primitiv, ne e shikojmë kështu. Sistemi i mendimit, i gjuhës, i komunikimit, është shumë i rëndësishëm dhe shumë i komplikuar. Është thjesht fillestar”.

Në vitin 1991, me vendim të Patriarkut Dhimitër dhe të Sinodit të Shenjtë të Patriarkanës Ekumenike shkon në Shqipëri si Eksark Patriarkal dhe, në vitin 1992, zgjidhet Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë. Ndërkohë që kishat në Shqipëri ishin mbyllur për 23 vjet me radhë, një nga përkujdesjet e tij të rëndësishme, krahas çeljes dhe ndërtimit të kishave, ishte edhe ngritja e shkollave.

Marrja përsipër e kësaj detyre koincidoi me periudhën  një krize të madhe në Shqipëri. Nuk mungojnë shpirtvogëlsitë, kurthet, kritikat dhe gjykimet e ashpra dhe keqinformimi, shpifjet e bëra nga disa qarqe orthodhokse në Greqi, (që kishin si qëllim të ndikonin edhe Patriarkanën Ekumenike). Por nuk mungojnë as përpjekjet e qeverisë së atëhershme shqiptare për ta larguar atë nga Shqipëria. Ai vetë do të thoshte: “Nuk pranova më shumë një fron, sesa përqafova një kryq”. Një plumb vrastar kundër tij do të ndalte në xhamin e dyfishtë të zyrës ku punonte, gjatë periudhës së turbullirës politike në Shqipëri. Do ta lërë aty të ngulitur, për t’i kujtuar, siç shprehet ai vetë, se jeta mund të përfundojë në një minutë dhe prandaj nuk duhet kaluar më kot as edhe një ditë të vetme.

Ndan të njëjtat kushte të thjeshtësisë – më saktë varfërie – që kaloi edhe pjesa tjetër e popullsisë, has në pengesa të çdo lloji, por arrin të riformojë strukturën organizative të Kishës. Themelon Shkollën Theologjike, gazetën periodike, ndërton nga themelet ose rindërton kisha (mbi 300), merr përsipër një aktivitet të gjerë botues, ndërton klinika e shkolla, kopshte, ujësjellës, shkolla teknike, qendra shëndetësore – mjaft e njohur është Qendra Diagnostike në Tiranë me 24 specialitete – njësi të lëvizshme dentare, institute të formimit profesional dhe, të gjitha këto, në dispozicion të qytetarëve të çdo kombësie dhe të besimtarëve të çdo feje, natyrisht në dispozicion edhe të atyre që nuk besojnë; disa do ta quanin “Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë ateistëve”.

Me iniciativat e tij sigurohen vende pune për mijëra njerëz, krijohen vepra të infrastrukturës sociale dhe Kisha Orthodhokse e Shqipërisë shquhet si një faktor shpirtëror shumë dinamik dhe, ndoshta, një nga faktorët më të besueshëm sa i takon zhvillimit të këtij vendi. Përkujdesja për mjedisin dhe ekologjinë është diçka tepër domethënëse për horizontet e mendimit të tij: përuron bashkëpunimin mes Departamenteve të Biologjisë të Universitetit të Tiranës, Athinës dhe Selanikut në katër programe për mbrojtjen e mjedisit në lidhje me trajtimin e ekosistemit, mbrojtjen e llojeve të rralla të faunës dhe florës, trajtimin e mbetjeve etj. Ai financoi programe për zgjidhjen e problemit akut të furnizimit me ujë, ndërtohen kanale dhe ujësjellës, ndërmerren programe për modernizimin e prodhimit bujqësor. Mundëson dhënien e sasive të mëdha të ushqimit, veshmbathjes, ilaçeve për të gjithë popullin e Shqipërisë pa dallim. Punon si pajtues midis dy popujve të Shqipërisë dhe Greqisë, sikundër ekziston klimë paqeje dhe tolerante në Shqipëri midis komuniteteve fetare të ndryshme.

Në vazhdën e krizës së 1997 -s, në mes të gjëmimeve të krismave dhe trazirës së pakontrolluar politike, dallon zëri i Kryepiskopit: “Jo më gjak” do të thërriste, “jo luftës, jo urrejtjes”. Por kërkesa e tij për paqe do të lidhet edhe me vlera të tjera. “Paqja – do të thotë, duke marrë shkak nga luftërat e ndryshme që i shkaktojnë të fuqishmit e dheut – është fryti i drejtësisë. Një botë e padrejtë dhe e paligjshme, nuk mund të presë paqe. Dëshirë e pastër për paqen botërore do të thotë dëshirë e vërtetë për drejtësinë mbarëbotërore”. Për rolin e tij esencial në konsolidimin e paqes në Ballkan, propozohet për çmimin Nobel të paqes nga 37 akademikë dhe personalitete botërore nga i gjithë globi.

Në kohën e luftës së Kosovës, merr përsipër materializimin e një programi (mbi 12 milionë dollarë) me qëllim ndihmën dhe pritjen e 33.000 refugjatëve, në shumicë myslimanë, duke luftuar kundër paragjykimeve dhe kokëfortësisë së të gjitha palëve. Në mes të refugjatëve, rreth 300 foshnja dhe nënat e tyre pajisen me rroba dhe ushqim prej duarve të tij. Veprimi i tij, për grumbullimin në mes të krizës të 600.000 dollarëve, të cilat i ofron me qëllim rindërtimin e një kishe dhe xhamie në Kosovë ose për ndërtimin e një qendre rinore, mallëngjen njerëzit dhe i fut në mendime. “Djegia e kishave dhe e xhamive – do të thotë, duke iu drejtuar fanatikëve të të gjitha palëve, “nuk fuqizon drejtësinë dhe paqen… Sado të drejtë të ketë dikush, duhet të respektojë shenjtërinë dhe rolin që kanë vendet e hirshme të kultit. Ato duhet të kthehen në qendra të pajtimit e të paqes dhe jo në vatra të konservimit të armiqësive”.

Duke dhënë vetë i pari një shembull jo thjesht tolerimi, por pranimi dhe mirëkuptimi “të tjetrit”, të të ndryshmit, arrin të zbusë kundërshtimet midis grupimeve fetare në rajon dhe – pa nënvlerësuar rëndësinë e veçantisë kulturore të çdo populli, pa ndërmjetuar në afazinë etnike apo gjymtimin e memories kombëtare – largon racizmin etnik, mikrob që tjetërson ndër të tjera edhe vetë Orthodhoksinë.

Dhe orthodhoksia e tij e çon në “Orthopraksi” të mençur. Bagazhet e pasura teorike nuk i lejojnë vetëm të ketë vizione, e udhëheqin dhe në një konceptim të saktë të aktualitetit, në realizëm. Përkujdeset, gjithashtu, edhe për anën praktike, që do të lehtësojë vështirësitë e jetës së përditshme dhe nuk do të premtojë vetëm shpëtimin e shpirtrave pas vdekjes: kur kryetari i Shoqatës së Emigrantëve Grekë e pyet se për çfarë gjëje kishte nevojë, Anastasi i kërkon një buldozer që të hapë rrugë…

Kur, në dhjetëvjeçarin e viteve 80-të, bashkëstudentët e mi në Fakultetin e Filozofisë të Athinës dhe unë, dëgjonim për një mësues të madh në Fakultetin fqinj të Theologjisë dhe kur aroma e fjalës së tij derdhej përtej amfiteatrove të Ilisias, nuk iu shmangëm tundimit për të ushtruar kritikë ndaj Kishës zyrtare: si ishte e mundur, e pyesnim veten, që një personalitet i tillë të ketë vetëm titullin e episkopit (ose të ndihmës-episkopit) dhe të mos ketë nën drejtimin e tij baritor grigjën e ndonjë mitropolie?

Por, me sa duket, jeta, historia, fati ose Perëndia i bëjnë ndryshe llogaritë e tyre dhe korrigjojnë mangësitë e mundshme individuale. Pavarësisht faktit, nëse ne kishim ose jo të drejtë në kritikën tonë rinore ndaj administratës së Kishës – dhe ndoshta kishim – Anastasi duket përfundimisht se ishte plani i jetës ose i Perëndisë – nëse nuk i trembeni kësaj fjale – të mos izolohet “në feudin” e ndonjë mitropolie, sepse Kisha, njerëzit mbi të gjitha, kishin kudo nevojë për të; komuniteti akademik ndërkombëtar kishte nevojë për fjalën e tij shkencore, për ndriçimin e hierapostullisë së tij dhe veprën e tij sociale e reformuese në të gjithë planetin: në Azi, Afrikë dhe në fund “në Afrikën e Evropës” në Shqipëri, për të huazuar kështu një shprehje të tijën.

Dhe sigurisht, meqë askush nuk mund të fshehë diellin ose të fshihet prej tij, nderimet, çmimet dhe vlerësimet, edhe pse nuk i kishte pasur synim, vonë ose shpejt iu ofruan me bollëk. Përmendim këtu dekorimet nga Patriarkana e Aleksandrisë, nga Kisha e Çekosllovakisë, medaljen e argjendtë të Akademisë së Athinës, Kryqin e Madh të Urdhrit të Nderit të Republikës Greke, u shpall doktor nderi i filozofisë ose i theologjisë i (rreth pesëmbëdhjetë) degëve të filozofisë dhe theologjisë së Fakulteteve të Universiteteve të Greqisë dhe të atyre jashtë shtetit si dhe u bë anëtar korrespondent dhe, kohët e fundit, anëtar nderi i Akademisë së Athinës. Ka qenë dhe vazhdon të jetë President i Asamblesë së Këshillit Botëror të Misionarizmit të Këshillit Botëror të Kishave, President i Këshillit për Mbështetjen e Çështjes së Qipros, President i Komitetit për Përkujdesjen e Trashëgimisë Kulturore të Qipros, Anëtar i Këshillit Administrativ të Qendrës së Studimeve Arabe dhe Mesdhetare, anëtar nderi i Kuratorium-it të Institutit Katolik Pro Oriente. Në vitin 2004, u zgjodh Zëvendëspresident i Asamblesë Evropiane të Kishave. Është Kryetar Nderi i Konferencës Botërore të Feve për Paqen, President i Këshillit Botëror të Kishave, Zëvendëspresident i Konferencës së Feve për Paqen. Sigurisht, lista e mësipërme lë pa përmendur shumë nga pozitat, me të cilat është nderuar dhe i ka nderuar.

Ndokush me të drejtë do të vinte re se përkujtohen nderime të kësaj bote për funksionarin e qëllimeve ekzistuese të Kishës, por është edhe kjo një nga paradokset e lumtura që ndodhin me Anastasin. Pozita dhe ofiqe, qëllime të lakmuara për shumë vetë, në rastin e tij gjetën rolin e tyre të vërtetë: katedra universitare dhe rrezatimi personal humbën çdo lloj karakteri reklamimi të vetes dhe u kthyen në mjete për t’i shërbyer një qëllimi më të lartë: në vitet e para ishte forcimi i misionarizmit të jashtëm, në vitet në vazhdim ndihma për popullin më të varfër të Evropës, pajtimi i popujve të Ballkanit, qetësimi i nacionalizmave. Dhe në një vend si Kisha, në të cilën përulësia është ose duhet të ishte ideale, “dhuratat e pasura të natyrës mund të hyjnë në hullinë e një rrjedhe që e kthen përmbys rendin e synimeve sekulare, pa shfuqizuar madhështinë e tyre të natyrshme”. Sepse jam i sigurt se edhe vetë Kisha nuk kërkon me zemërngushtësi gjymtimin e vullnetshëm të talenteve. Dhe nga ana tjetër, ofiqet dhe nderimet nuk janë të ndara nga kërkesa për të marrë vlerësimin e duhur.         

Në ditët tona trumbetohet shpesh nevoja e një kompromisi “të ndershëm”: kur bëhet fjalë për figura politike ose për anëtarë të tjerë të shquar të shoqërisë duhet të shfaqim respektin ndaj “institucionit”, sikundër ne themi. Nuk do ta komentoj më tutje këtë logjikë dhe as do ta hedh atë poshtë në tërësi, por nuk mund të mos shpreh dëshpërimin tim, sepse domosdoshmëria e kompromisit të tillë lind zakonisht nga pamjaftueshmëria e atyre që mbajnë ofiqet.

Në rastin e Anastasit zbulohet përsëri masa e përparësisë së personit, e cila është e vetmja që i jep kuptim dhe funksionshmëri ofiqit të tij, sepse pikërisht dhurata e natyrshme nuk ka si fryt ekskluziv të sajin arritjen morale individuale, por shumëfishohet dhe bëhet gjigante, kur përdoren për hir të komunitetit, kur përdoren për hir të komunitetit, kur merr esencën e saj brenda kontributit që i jep shoqërisë. Dhe brenda këtij përdorimi të talentit personal për hir të shoqërisë vjen natyrshëm, si një rezultat i ligjshëm, nxjerrja në pah sipas masës njerëzore: pa mekanizmin e marrëdhënieve publike, pa përkujdesje për të ashtuquajturin “imazh publik”, Anastasi njihet tërësisht dhe në mënyrë të pakundërshtueshme si personaliteti më i rëndësishëm udhëheqës në vendet e Ballkanit – të paktën unë nuk jam në gjendje të sjell në mendje ndonjë tjetër, që mund të zotërojë të njëjtën shkallë pranimi.

Orvatja për të sintetizuar dhe përmbledhur një kontribut të tillë kaq të rëndësishëm dhe të shumanshëm brenda kuadrit asfiksues të një ceremonie, nuk mund të shpresojë se ka për t’u kurorëzuar me sukses. Kjo, veçanërisht kur ky kontribut nuk mund të përfshihet brenda kuadrit të kritereve konvencionale të vlerësimit. Dhe kjo, sepse – përtej veprës tërësisht të mirëfilltë akademike të Anastasit, që përbën një volum të madh dhe me shumë risi të admirueshme – kontributi i tij tërësor është i pamundur të përllogaritet, të paktën jo me masat e zakonshme, sikundër nuk është e mundur të llogaritet me saktësi laboratorike përfitimi nga kontakti njerëzor, nga sigurimi i komunikimit thelbësor midis njerëzve, nga përpjekja për tolerancë, pranimi i të qenit ndryshe, pajtimi, heqja e antitezave etnike dhe fetare, nga ndryshimi i individit në një person që përfton esencë nga marrëdhënia e tij me njeriun dhe me Perëndinë.

As edhe dobia, qoftë edhe e një udhëtimi të tij, nuk është e mundur të matet me aritmetikë. Dhe Anastasi ka bërë shumë udhëtime dhe do ta vazhdojë ende për shumë kohë udhëtimin e tij. Si heroi stoik i botës antike që e përshkon botën si benefactor mundi, duke luftuar me bishat që ekzistojnë në vende të ndryshme të varfërisë, të padijes, të nacionalizmit dhe të paragjykimit, të njehsimit të qytetërimeve. Si Françesku, duke marrë dhuratën e dashurisë. Sjell në mendje Kirillin dhe Metodin, që ungjillëzuan jo vetëm shpëtimin në nivel metafizik, por edhe sollën arsimin mbi dhé. Anastasi u bë i denjë të arrijë, duke kërkuar Krishtin e botës, aty ku me siguri do të mbërrinte apostulli i botës, Pavli, nëse në kohën e tij do të ishte e njohur se çfarë fshihej pas shkretëtirës së madhe të Egjiptit dhe përtej dëborërave të Kaukazit. E meqë duket se kumbonin thellë përbrenda tij, si paralajmërim dhe si urdhër, fjalët e apostullit “nëse flas gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, por nuk kam dashuri, u bëra bronz që kumbon dhe cimbal që buçet”, Anastasi, që të mos bëhet cimbal që buçet, e deshi thellë Perëndinë dhe njerëzit – nuk di kë më shumë. Dhe meqë i deshi shumë, duket për këtë vendosi të mësojë gjuhët e tyre. Kështu mësoi të flasë në gjuhën e shpirtit të tyre.

___________________

LITERATURA:

Αθανασίου Ι. Δεληκωστόπουλου, Αναστάσιος, Αρχιεπίσκοπος Τιράνων και Πάσης Αλβανίας, Ο ποιμένας του στοχασμού, της φημιουργίας και της ειρήνης, Αθήνα, Επτάλοφος 2005; «Πορευθέντες…῾Χαριστήριο τόμος προς τιμήν του Αρχειπισκόπου Αλβανίας Αναστασίου (Γιαννουλάτου), komisBot.: Η. Βουλγαράκης, Γ. Ζιάκας, Γ. Κρουσταλάκης, Μ. Μακράκης, Η Μουτσούλας, Σ. Πάνου, Θ. Παπακωνσταντίνου, Γ. Πατρώνος, Σ. Παπαλεξανδρόπουλος, bot. ΆρμοςΑθήνα 1997; Lynette Hoppe, Ressurrection, The Orthodox Autochephalous Church of Albania, 1991-2003, Forward and Introduction by + Anastasios, Archbishop of Tirana, Durres and All Albania, bot. NgjalljaTirane 2004; Χρίστος Ρώμας, Αρχιεπίσκοπος Αλβανίας, Ο Πρωτεργάτης της Ιεραποστολής, Αθήνα, Σαββάλας, 2006; Αναστασίου (Γιαννουλάτου), Παγκοσμιότητα και Ορθοδοξία, bot. Ακρίτας, Αθήνα 2006, po aty, Ισλάμ, Αθήνα (botimi i 15-të), po aty, Ίχνή από την αναζήτηση του υπερβατικού, (Αθήνα, botimi i 3-të Ακρίτας);  Materiale të përkthyera nga faqja e internetit e Kryepiskopatës së Tiranës (www.orthodoxalbania.org.), nga faqja personale e internetit të Γεωργίου Παπανδρέου (www.papandreou.gr.), nga faqja e internetit www.apodimos.com., nga intervistat  Fortlumturisë në shtypin e Athinës dhe në televizionin grek, etj.