Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos
Lindi më 4 nëntor të vitit 1929, në Pire, Greqi. Ka qenë profesor i Historisë së Feve (1972-92) dhe Dekan i Fakultetit Teologjik të Universitetit Kombëtar Kapodistrian të Athinës (1983-1986) B.D dhe Th.D (me nderimet më të larta) dhe sot është Profesor Emeritus i po të njëjtit Universitet. Ai është shpallur Doktor Nderi i Teologjisë apo Doktor Nderi i Filozofisë, Th.D.h.c, DD hc PhD h.c nga 19 universitete, fakultete ose degë universitare (në Greqi, SHBA, Qipro, Rumani, Gjeorgji, Shqipëri, Itali), Anëtar Korrespondent (1993-2005) dhe Anëtar Nderi (nga viti 2006) i Akademisë së Athinës.

Studimet Pasuniversitare:
Histori e Feve, Etnologji, në Universitetet e Hamburgut dhe të Marburgut në Gjermani, (me bursë pasuniversitare të Institutit “Alexander von Humboldt Stiftung”). Ai studioi gjithashtu edhe fetë e botës, duke kryer udhëtime në vendet ku ato lulëzuan.
Gjuhët që njeh:
(Përveç greqishtes së re dhe të vjetër), anglisht, frëngjisht, gjermanisht; lexon në: latinisht, italisht, spanjisht, rusisht, shqip.
Luajti rol parësor në ringjalljen bashkëkohore të Hierapostullimit Orthodhoks në botë (nga viti 1958). U hirotonis dhjak (1960); prift – arkimandrit (1964), Episkop i Andrusës (1972) me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të “Shërbimit Apostolik të Kishës së Greqisë” (1972-91); Kryepiskop mëkëmbës (Kryepiskop në detyrë) i Mitropolisë së Shenjtë të Irinupolit në Afrikën Lindore (1981-1990); Mitropolit i Andrusës dhe Ekzark Patriarkal në Shqipëri (1991-1992). Kryepiskop i Tiranës dhe i Gjithë Shqipërisë (qershor 1992 e në vazhdim).
Veprimtari ndërkishtare ndërkombëtare:
Ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Ekzekutiv për Misionarizmin Jashtë Vendit (1958-61) dhe Zëvendëspresident i Organizatës Ndërkombëtare të Rinisë Orthodhokse “Syndesmos” (1964-1977); Themelues dhe President i Qendrës Ndërorthodhokse Misionare “Porefthendes” (nga viti 1963). Ai ka qenë anëtar i Komitetit Ndërkombëtar për Misionarizmin të Këshillit Botëror të Kishave (1963-1969), Sekretar për Kërkimin Misionar dhe Marrëdhëniet me Kishat Orthodhokse në KBK (Gjenevë 1969-1971). Ka organizuar dhe drejtuar Qendrën për Studimet Misionare në Universitetin e Athinës (1971-1974) dhe Qendrën Ndër-Orthodhokse në Athinë të Kishës Orthodhokse të Greqisë (1971-1974). Si Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Apostolik të Kishës së Greqisë, ai promovoi programe teologjike, edukuese dhe botuese; në veçanti, zhvilloi sektorin e misioneve jashtë vendit. Në Afrikën Lindore (Kenia, Uganda, Tanzani), organizoi dhe zhvilloi  misionet orthodhokse. Ai është vlerësuar si “Bamirës i Madh i Patriarkanës së Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës”.
Si Kryepiskop i Shqipërisë (1992 deri më sot), në rrethana jashtëzakonisht të vështira, ringriti nga gërmadhat dhe zhvilloi më tej Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, që për 23 vite ishte e shpërbërë. Bashkë me veprën e rivitalizimit të Kishës Orthodhokse, u realizuan edhe programe inovative në sektorët e shëndetit, kujdesit social, edukimit, zhvillimit rural, kulturës dhe ekologjisë. Njëkohësisht, ai u përpoq për të ndihmuar në zbutjen e shumë tensioneve në Ballkan.
Është zgjedhur vazhdimisht në pozicione të shquara në udhëheqjen e organizmave ndërkombëtarë: Moderator i Komitetit për Misionin dhe Ungjillëzimin Botëror (1984-1991) dhe i Konferencës së Misionarizmit dhe Ungjillëzimit Botëror në San Antonio Teksas (1989); anëtar i Këshillit Evropian të Udhëheqësve Fetarë (2003-2010); Zëvendëspresident i Konferencës së Kishave Evropiane (2003-2009); President i Këshillit Botëror të Kishave (2006-2013); President Nderi i Konferencës Botërore të Feve për Paqen (2006 e në vazhdim).
Është autor i 24 librave (kërkime për Fetë Afrikane, ese në Theologji dhe në Historinë e Misioneve, predikime etj.), ku përfshihen: Islami, një vështrim i përgjithshëm (16 botime), Historia e Feve- Gjurmë nga kërkimi i Transhendentes, Globalizmi dhe Orthodhoksia, Hierapostullim në gjurmët e Krishtit, Deri në skajet e dheut, Bashkekzistenca, Në Shqipëri – Kryq dhe Ngjallje. Ka botuar mbi 200 ese dhe artikuj me tema teologjike e baritore. Studimet dhe artikujt e tij janë përkthyer në 17 gjuhë të huaja.
Është nderuar me 27 medalje dhe çmime nga shumë Kisha Orthodhokse dhe vende të ndryshme, si: “Kryqi i Madh i Urdhrit të Nderit i Republikës së Greqisë” (1997); çmimi “Athenagora për të Drejtat e Njeriut” (Nju Jork, 2011); çmimi për “Kontributin e shquar për unitetin e popujve orthodhoksë” (Moskë, 2005); dekorata “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” (Tiranë, 2010).
Kryepiskopi Anastas është njohës i thellë në fushën e Historisë së Feve dhe të dialogut ndërfetar. Kontributi i tij i rëndësishëm në Hierapostullimin e Krishterë,  në Teologji dhe në bashkëjetesën paqësore të popujve dhe të komuniteteve fetare është i njohur botërisht.
2017