Mitropoliti i Korçës, Imzot Joan Pelushi, Kërkim nr. 3, Tiranë, 2009.

Në raste përvjetorësh është e natyrshme që të meditosh për ngjarjet dhe personat me të cilat lidhet përvjetori. Në fillim të nëntorit ne festuam 80 – vjetorin e Kryepiskopit Anastas, një emër i dashur dhe i respektuar jo vetëm në Kishën Orthodhokse në Shqipëri dhe në të gjitha Kishat e tjera Orthodhokse kudo në botë, por edhe më gjerë.  Një emër që është bërë sinonimi jo vetëm i ringjalljes së Kishës në Shqipëri, por edhe i misionarit të devotshëm, i promotorit të dialogut ndërmjet besimeve dhe kulturave të ndryshme, të paqes dhe dashurisë për të gjithë, të përkujdesit për të varfrit dhe nevojtarët dhe të respektit, lirisë dhe dinjitetit të çdo personi, kushdo qoftë ai. Në këtë përvjetor na vjen ndër mend natyrisht vepra e jashtëzakonshme e këtij njeriu në ringritjen e Kishës nga gërmadhat, jo vetëm në kufijtë e saj të mëparshëm, por në ridimensionimin e saj në një nivel shumë më lartë dhe më të gjerë. 

Mbas përmbysjes së komunizmit u bënë më të dukshme, tashmë për të gjithë, pasojat e tmerrshme shkatërrimtare të cilat ai la pas. Nga kjo nuk kishte shpëtuar as Kisha Orthodhokse. Ajo tashmë, si edhe të gjitha komunitetet e tjera fetare, pothuajse ishte inekzistente. Për të thënë të vërtetën, Kisha Orthodhokse në Shqipëri edhe para persekutimit komunist nuk kishte pasur ndonjë lulëzim. Periudha e gjatë e pushtimit osman e kishte dobësuar jashtëzakonisht shumë. Nga shpallja e autoqefalisë vetëm dy vjet kishte qenë e lirë se më pas erdhi pushtimi fashist dhe persekutimi komunist. Kështu që viti nëntëdhjetë e gjeti krejtësisht të shkatërruar. Edhe optimistët më të mëdhenj nuk ishin entuziastë për ringjalljen e saj. Por ajo që nuk është e mundur për njerëzit është e mundur për Perëndinë.

Perëndia dërgoi një njeri, i cili bëri të mundur atë që më vonë nga shumë njerëz u quajt mrekullia e Kishës Orthodhokse në Shqipëri. Tashmë është e ditur dhe e prekshme nga të gjithë vepra madhështore e ndërtimit të infrastruktuës fizike të Kishës, një vepër vigane e bërë në një kohë kaq të shkurtër. Gjatë këtyre viteve janë ndërtuar më shumë se 150 kisha të reja, janë restauruar 50 kisha e manastire të cilat janë monumente kulture dhe janë riparuar rreth 200 kisha. Përmbi 70 godina janë blerë dhe janë rikonstruktuar për të shërbyer si shkolla, kopshte, klinika shëndetësore, seli mitropolitane, punishte e mensa për të varfrit. Kisha është angazhuar gjithashtu në programe bujqësore dhe social-kulturore, në programe kulturore dhe mjedisore, duke punësuar mijëra njerëz dhe duke i shërbyer kështu përparimit të vendit tonë. Janë ndihmuar shtresat dhe njerëzit në nevojë në të gjithë vendin, ku mund të veçohet ndihmesa e madhe dhënë refugjatëve kosovarë gjatë ditëve të vështira të vitit 1999, ku nëpërmjet Kishës Orthodhokse u dha një ndihmë me vlerë rreth 12 milionë dollarë, duke pritur 33 mijë vetë në dy kampe të mëdha të ngritura nga vetë Kisha. Dhe këtu kemi përmendur vetëm një pjesë të veprimtarisë së madhe të Kishës në këto vite. Dhe pa asnjë dyshim, arkitekti dhe realizuesi i gjithë kësaj veprimtarie ka qenë Kryepiskopi Anastas.

Të gjithë ata që jetojnë në Shqipëri e kuptojnë se sa shumë energji dhe mund duhet për të realizuar ndërtime të tilla. Edhe nëse shumë vizitorë të huaj habiten e mrekullohen nga masa e ndërtimeve dhe e veprave të kryera në Kishën Orthodhokse në Shqipëri, ata nuk mund ta marrim dot me mend se për të realizuar këtë është dashur dyfishi i energjisë normale, si pasojë e vështirësive të mëdha në këtë periudhë tranzicioni. Por kjo është realizuar në saje të dashurisë për Perëndinë dhe përgjegjshmërisë për njerëzit dhe nga kjo dashuri dhe përgjegjshmëri vjen kuraja dhe guximi për t’u përballur me problemet dhe për të dhënë zgjidhje për to. Kjo tregon, pa dyshim dashurinë e madhe të Kryepiskopit për Perëndinë dhe përgjegjshmërinë e tij për njerëzit e për Kishën.

Kjo është pjesa e dukshme dhe e prekshme e kësaj vepre vigane, por unë do të doja të theksoja edhe një pjesë tjetër, e cila ndonëse nuk është aq shumë e dukshme, nuk është  më pak e rëndësishme dhe për të cilën nuk është folur aq shumë sa duhet. Kryepiskopi Anastas jo vetëm që arriti të realizonte ndërtimin e mureve të Kishës dhe infrastrukturën fizike të saj, por ajo që është akoma dhe më e rëndësishme është përhapja e një fryme të drejtë dhe të mirë brenda Kishës. Ai është përpjekur pa u lodhur gjatë gjithë këtyre viteve për të dhënë mesazhe të paqes, të dialogut, të mirëkuptimit, të respektit dhe të dashurisë për të gjithë, pa dallim feje, pozicioni klasor dhe etnie.

Ai ka përhapur gjithashtu brenda Kishës një frymë pajtimi dhe faljeje. Unë kam qenë pranë tij në gjithë këto vite dhe asnjëherë nuk e kam dëgjuar që të flasë keq kundër të tjerëve, madje as kundër atyre që kanë shpifur dhe kanë shkruar padrejtësisht kundër tij. Gjatë kohës që ishte misionar në Afrikë padyshim që pati vështirësi. Kishte edhe njerëz që nuk donin ta pranonin, sepse ishte i bardhë. Por Kryepiskopi Anastas me veprën, devotshmërinë, besimin dhe dashurinë e tij i bëri të gjithë për vete. Madje edhe ata që e kishin kundërshtuar vajtuan kur u largua nga Afrika për të ardhur në ndërtimin e Kishës Orthodhokse në Shqipëri. Edhe sot, ata e quajnë si një humbje të madhe për Kishën e tyre largimin e Kryepiskopit Anastas. E njëjta gjë ka ndodhur edhe këtu. Pati njerëz që nuk donin ta pranonin, kësaj radhe jo sepse ishte i bardhë, por sepse vinte nga një komb tjetër. As kundër këtyre Kryepiskopi nuk flet me urrejtje, madje edhe kur dikush shprehet me një gjuhë të tillë, asnjëherë nuk aprovohet nga ai. Është shumë lehtë të mbjellësh urrejtjen në vendin dhe rajonin tonë dhe zërat e faljes dhe dashurisë nuk janë të shumtë. Prandaj shembulli i tij është i vlefshëm për të gjithë ne dhe për të gjithë rajonin, duke dëshmuar se mësimi i Zotit tonë Jisu Krisht: “Doni armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin” (Matth. 5:44), është i mundur të realizohet dhe se falja e dashuria duhet të mbizotërojnë mbi urrejtjen. Vetëm mbi këtë themel hyjnor mund të ndërtohet një shoqëri e shëndoshë dhe njerëzore.

Do të ndalem përsëri pak në problemin e autoqefalisë së Kishës Orthodhokse, ngaqë ky problem është lakuar gjatë në shtypin shqiptar gjatë këtyre viteve. Rasti i Shqipërisë është unik në historinë botërore. Ishte hera e parë që një kishë gjendej pa hierarkinë e saj. Pati zëra të shumtë, ndërmjet tyre klerikë, teologë dhe kanonistë, në kisha të ndryshme nëpër botë, të cilët mendonin dhe shpreheshin se Autoqefalia e Kishës Shqiptare tashmë nuk ekzistonte, sepse nuk ekzistonte më një hierarki dhe një strukturë e cila do ta ushtronte këtë autoqefali. Prandaj, për të zgjidhur këtë çështje jetësore dhe kaq delikate e të rëndësishme për Kishën tonë duhej patjetër një nismë ndërkombëtare. Zgjidhja e këtyre çështjeve nuk është aq e lehtë sa duket. Shikoni Kishën Orthodhokse në Maqedoni, ka mbi dyzet vjet dhe akoma nuk e ka zgjidhur problemin e autoqefalisë. Kur Kryepiskopit Anastas iu kërkua kjo detyrë nga Patriarkana Ekumenike, ai vuri tre kushte për ta pranuar: Të ishte i pranuar nga komuniteti orthodhoks, nga autoritetet shtetërore të Shqipërisë dhe të ruhej Autoqefalia e Kishës Orthodhokse në Shqipëri. Dhe mund të them me siguri që ishte autoriteti i tij, i cili bëri të heshtin të gjithë zërat që ishin kundër autoqefalisë. Dhe jo vetëm që e ruajti autoqefalinë, por ai e ka konsoliduar atë akoma edhe më shumë. Përpjekjet e tij të jashtëzakonshme për të arsimuar klerin orthodhoks këtu në Shqipëri që prej ditës së parë të ardhjes së tij, në fillim në një ambient të marrë me qira dhe pastaj ndërtimi i Akademisë Teologjike në Shën Vlash, Durrës, e cila përgatit klerikët orthodhoksë, që u ngrit me fondet e mbledhura po prej tij, janë përpjekje të mëdha për të forcuar pavarësinë e Kishës sonë. Autoqefalia nuk realizohet vetëm me një dekret, por me ngritjen e një hierarkie kishtare, me përgatitjen e kuadrove të duhur për të drejtuar Kishën, me pajisjen e saj me klerikë dhe teologë dhe mbi të gjitha me autoqefalinë financiare.

            Kryepiskopi Anastas e mbajti Kishën të bashkuar në një periudhë të vështirë ku çdo gjë fragmentizohet lehtë. Kushdo që e njeh sadopak historinë e këtyre viteve në Shqipëri e di se sa shpejt ndahet gjithçka. Interesa të ndryshëm gruporë, klanorë ose personalë nxisin ndarje të ndryshme, saqë nuk ka mbetur grup, shoqatë apo çdo gjë tjetër pa u ndarë, duke krijuar konflikte dhe dasi që kanë penguar së pari zhvillimin e atyre vetë. Po ashtu, ai që e njeh historinë e ringjalljes së Kishës Orthodhokse në Shqipëri, e kupton se ishte pikërisht personaliteti i tij, njohjet e tij në nivel botëror, përgatitja e tij e lartë teologjike dhe organizative, devotshmëria dhe aftësitë e tij të jashtëzakonshme, dashuria e tij e madhe për Kishën dhe për Zotin, që e bënë të aftë për të mbajtur të bashkuar të gjithë komunitetin orthodhoks, duke mos lejuar përçarjet, të cilat do të rrezikonin jo vetëm Kishën dhe unitetin e komunitetit orthodhoks, por edhe unitetin e të gjithë vendit. Kur këto gjëra ndodhin ne i marrim shpesh si të dhëna, pa kuptuar tragjedinë që mund të ndodhte nëse nuk do të ishin përpjekje të bëra nga persona të caktuar.

Ai i dha prestigj Kishës Orthodhokse, si në Shqipëri ashtu edhe në nivelin panorthodhoks dhe atë botëror, një respekt dhe prestigj që nuk e ka pasur asnjëherë më parë. Duke qenë një nga personalitetet më të spikatura të krishterimit, ai ka bërë të mundur që emri i Kishës dhe i vetë Shqipërisë të bëhet i njohur në shumë rrethe. Kisha dhe vendi ynë, për arsye që të gjithë i dimë, nuk ka qenë e pranishme në arenën ndërkombëtare për një kohë të gjatë dhe ishin pothuaj të harruar. Vepra dhe prania e Kryepiskopit në shumë takime dhe organizma ndërkombëtarë kishtarë dhe të tjera kanë bërë që Kisha jonë të jetë jo vetëm e pranishme, por edhe aktive e kontribuuese. Ne që e kemi përfaqësuar Kishën dhe vendin tonë në shumë takime ndërkombëtare e ndiejmë gjithmonë kontributin e tij në rritjen e respektit për Kishën dhe vendin tonë dhe prestigjit që na ka dhënë të gjithëve ne. Kur udhëton në një rrugë të gjerë, të rregullt dhe të shtruar mirë shpesh nuk e kupton se sa shumë ndihmë kanë dhënë ata që e kanë ndërtuar atë. Udhëtimi nuk do të ishte i njëjtë, nëse rruga nuk do të ishte e mirë. Të hapësh dhe të rregullosh një rrugë kërkon shumë kohë dhe mundim. Në çdo takim ndërkombëtar ne ndihemi se ecim në një rrugë të hapur para nesh nga Kryepiskopi Anastas.

Ai ka qenë një bekim jo vetëm për Kishën Orthodhokse në Shqipëri, por për të gjithë Orthodhoksinë. Kam qenë i pranishëm në shumë takime panorthodhokse dhe jam dëshmitar i kontributit të tij të pazëvendësueshëm në këto takime. Shumë herë ka qenë ndërhyrja e tij, aftësia e tij bindëse dhe besimi që kanë të gjithë primatët e Kishave të tjera Orthodhokse tek ai, që të arrihej një mirëkuptim dhe një zgjidhje e pranueshme nga të gjithë dhe për të mirën e të gjithëve. Këto fjalë i thonë shumë nga hierarkët orthodhoksë në të gjithë botën.

Kryepiskopi Anastas ka qenë një nga përfaqësuesit më të shquar të krishterimit në kohën tonë dhe një nga zërat më të fuqishëm për dialogun ndërfetar, të bazuar në respektin dhe dinjitetin e çdo qenieje njerëzore. Si një personalitet i spikatur i botës së krishterë, një teolog i shquar, një person me një përvojë të gjatë pastorale dhe një nga pjesëmarrësit më aktivë, si në dialogët ndër të krishterë, ashtu edhe në ata ndërfetarë, ai ka qenë iniciues i shumë takimeve dhe nismave për zgjerimin e dialogut. Por unë mendoj se kontributi i tij bëhet akoma më i rëndësishëm në pajisjen e këtij dialogu me mbështetje teologjike. Prandaj si shkrimet dhe esetë e tij mbi dialogun ndërfetar, ashtu edhe veprimet e tij për ta bërë të mundur këtë dialog, janë të një rëndësie të veçantë për të gjithë mendimin e krishterë në përgjithësi dhe atë orthodhoks në veçanti.

Jeta e tij ka qenë një jetë e kushtuar Perëndisë dhe njeriut. Ai ka sjellë një kontribut të çmuar teorik dhe praktik dhe i ka shërbyer Kishës kudo si misionar, si teolog dhe si udhëheqës, duke sjellë një risi në fushën teologjike, sepse ai ka aftësinë të rigjallërojë mendimin e Etërve të Kishës. Pikënisja e jetës së krishterë dhe themeli i shpresës sonë – shprehet ai – është fakti se lavdia e Perëndisë shpërndahet në mbarë krijesën dhe asnjë qenie njerëzore nuk mund të jetë krejtësisht jashtë përkujdesjes hyjnore. Dhe këto nuk janë vetëm fjalë, sepse e gjithë jeta e tij ka vërtetuar në praktikë ato që ai ka thënë në teori.

Zgjedhja e Kryepiskopit Anastas për të kryer rindërtimin dhe organizimin e Kishës Orthodhokse në Shqipëri u bë sepse ai ishte personi i duhur për të kryer veprën titanike të ringritjes së saj. Kjo zgjedhje rezultoi se ishte më e mira. Të them të drejtën, unë nuk njoh ndonjë tjetër, shqiptar apo të huaj, që do të mund të kishte bërë atë që bëri për Kishën tonë Kryepiskopi Anastas dhe gjithashtu nuk njoh në këtë kohë ndonjë tjetër, shqiptar apo të huaj, të ketë bërë për vendin tonë aq shumë sa ka bërë ai dhe pa as më të voglin përfitim personal. Mendoj se do të ishte në nderin tonë, të paktën të shprehnin mirënjohjen. Në këtë 80 – vjetor më e pakta që mund të bëjmë ne si shenjë mirënjohjeje ndaj veprës kolosale të këtij hierarku të shquar është t’i themi: FALEMINDERIT!