Fortlumturia e Tij, Papa dhe Patriarku i

Aleksandrisë dhe i gjithë Afrikës,

Theodhori II

Fjalimi përshëndetës i mbajtur në Liturgjinë e përbashkët

në Kishën e Ungjillëzimit të Hyjlindëses, Tiranë, 1 nëntor 2009

Fortlumturi, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë

Shqipërisë, vëllai im i shtrenjtë, zoti Anastas,

“Kush ka për të treguar prangat dhe hidhërimet e

tua të shumta?… Apo kush ka për të përshkruar

përpjekjet dhe mundimet e tua, që ti bëre për Ungjillin e

Krishtit, që t’i fitosh të gjithë dhe t’i ofrosh Krishtit

Kishën e Tij?”

Sa aktuale tingëllon sot kjo fjalë e himnografit të Kishës sonë, i cili i drejtohet Pavlit të madh, Protokorifeut dhe vuajtjeve të tij për hir të dashurisë së Krishtit?

Sa jehonë të madhe gjen kjo shprehje e himnologjisë për Ju Fortlumturi vëlla, Kryepiskop Anastas, për Ju që bëtë kaq shumë për Hierapostullinë e Krishtit tonë në Afrikën e bekuar, në këtë kontinent plot me diell, që sipas fjalës së të lumurit Patriarkut Partheni III, një ditë do të gjykojë ecurinë e botës dhe të popujve!

“Mundimet, vuajtjet, agripnitë, vuajtjet në uri dhe në etje, u bëmë tallje për engjëjt dhe për njerëzit, të gjitha këto i durove, në Krishtin që të fal fuqi…”.

Lavdi dhe himn i drejtojmë Perëndisë së shenjtë, sepse na bëri të denjë të jemi sot nën kubetë e kësaj kishe katedrale të Ungjillëzimit të Hyjlindëses të Tiranës, bashkëmeshatarë dhe bashkëkungues të misterit të Eukaristisë Hyjnore, duke marrë pjesë së bashku në dashurinë e Hyjnisë Triadik dhe në misterin e unitetit të Kishave tona.

Ngazëllohet zemra jonë, sepse Ju, i dashuri vëlla dhe primati i frymëzuar i Kishës së Shenjtë të Shqipërisë, jeni në mes tonë dhe na falni dashurinë tuaj, na shprehni fisnikërinë tuaj, predispozitën tuaj mikpritëse dhe të mirë.

Fortlumturi, vëlla,

Lidhje të veçanta dhe të pashkëputshme kishtare, në kuadrin e rendit kishtar kanonik dhe të reciprocitetit, e lidhin gjithmonë Kishën e vjetër të Aleksandrisë, Patriarkanën e Aleksandrisë që është froni i dytë, me Kishën e Shenjtë të Shqipërisë. Lidhje të veçanta, pasi Ju i shërbyet për shumë vite Kishës së Aleksandrisë. Jetuat në Kenian e largët, në mes të misioneve të këtij vendi ekzotik, por edhe në zona shumë të vështira e pa rrugë. Lutjet tuaja, lotët, dashuria juaj e madhe për Krishtin dhe njeriun, e bënë pjellore pemën e besimit orthodhoks në Afrikë dhe gjallëruan brenda zemrës së vëllait afrikan besimin në Perëndinë.

Në këtë çast, sjellim në mendje fjalët e himnologut dhe i marrim hua, sepse janë të përshtatshme për këtë rast:

“Ti nga Jerusalemi predikove tek të gjithë Ungjillin, duke shkuar përqark tërë dheut, deri në cepat e Afrikës, duke lëçitur thërrisje: O Perëndi i etërve tanë, je i bekuar”.

Këtë dëshmi Jua ofrojmë me shumë dashuri, vëlla i shenjtë, që është një përvojë e zemrës sonë nga cepat e dheut afrikan, nga katër anët e kontinentit të ndriçuar të Afrikës dhe misionet e pafund të dashurisë e të humanizmit. Sepse shërbimi Juaj hierapostolik ka lidhje me njeriun dhe shpëtimin e tij, paqen, drejtësinë, luftimin e urisë dhe arsimimin e popullit afrikan.

Zemra jonë është shumë e emocionuar Fortlumturi, sepse një koincidencë e lumtur dhe shumë e bekuar, ju solli pranë nesh. Në personin Tuaj, ne si Patriarkanë shumë e vjetër dhe e hershme, shikojmë timonierin e aftë dhe liderin shpirtëror të Kishës së Shenjtë të Shqipërisë dhe shpresojmë që marrëdhëniet e shkëlqyera të të dyja Kishave, bashkëpunimi dhe ndihma reciproke të fuqizohen, për lavdi të Perëndisë dhe shenjtërimin e njeriut.

Por nga ky vend, dëshirojmë t’ju falënderojmë siç duhet dhe nga zemra për mbështetjen e pallogaritshme dhe të vazhdueshme që na keni ofruar për veprën e Hierapostullisë. Po Fortlumturi, ndihmoni dhe fuqizoni Hierapostullinë me çdo mënyrë, me personalitetin tuaj, me lutjen tuaj, me shkrimet tuaja të pasura, me çdo mënyrë, e dimë shumë mirë këtë dhe është ora e falënderimit dhe e mirënjohjes e Kishës së Aleksandrisë.

Nga çasti i parë i marrjes së detyrave tuaja, nisët një përpjekje të madhe dhe të mundimshme për përfundimin e veprave kishtare, për rritjen dhe përparimin e veprës së gjerë sociale të Kishës së Shqipërisë. I kuptoj fare mirë mundimet dhe përpjekjet tuaja, vuajtjet që keni kaluar personalisht, sepse edhe unë kam qenë mitropolit misionar në Kamerunin e largët dhe në Zimbabve ku jetova çaste të vetmisë, të lotëve dhe derdha shumë djersë e mund. Ju e dini fare mirë se çfarë dua të them me këto fjalë, pasi në Afrikë jetuat çaste të sprovave dhe të vështirësive, që është e pamundur të përshkruhen nga një gojë njerëzore. Por dhe këtu, në këtë mision tuajin si primat i Kishës, vazhdoni të përpiqeni me frymë apostolike dhe predispozitë martirizimi! Ditën e sotme e përzgjodhi hiri i Perëndisë së shenjtë që të ndodhem pranë Jush dhe të kem këtë përvojë të Lumtur të takimit personal me Ju dhe të komunikimit e ngazëllimit shpirtëror.

Është një takim i ëmbël dhe optimist, një gëzim i pashprehshëm dhe përkujtim i një ngjarjeje që shënon historinë e dy Kishave tona motra. Një takim të veçantë dhe shpëtimtar me Jisu Krishtin kremton dhe kujton gjithmonë nga ana e saj Kisha jonë mëmë, çdo herë që mbledh dhe bashkon në një familje të gjithë fëmijët e saj.

Sepse “nuk mburremi në urtësi dhe fuqi, dhe pasuri, por në ty, o Urtësi e bashkëqenshme e Perëndisë, Atit…”.

Ju falënderojmë Fortlumturi, Ju dhe të gjithë bashkëpunëtorët tuaj të zgjedhur e të përkushtuar për mikpritjen e ngrohtë dhe të pasur.

Denjësisht Perëndia ju dhuroi grigjën… u bëre shërbëtor besnik, kujdestar i mistereve të tij dhe Kryeprift i vërtetë, për popullin e Perëndisë dhe për Kishën e Shenjtë…”.

Vepra që kryejmë ne të gjithë nuk është aspak e lehtë. Rruga jonë kurrë nuk është e shtruar me lule dhe petale trëndafili, por përkundrazi është e përpjetë, me shumë vështirësi dhe ka barrë të rëndë për t’u mbajtur. Ju këtu jetoni dhe kryeni aktivitetin tuaj në një rajon me shumë veçanti. Keni nevojë për shumë durim, kurajë dhe fuqi shpirtërore.

Ecuria juaj e deritanishme dhe gjithë sa krijuat me mund e lodhje, shfaqin besimin tuaj, dashurinë dhe përkushtimin tuaj te Perëndia dhe Kisha, në vlerat mbarënjerëzore dhe të përjetshme të traditës orthodhokse, në institucionin e familjes, të mikpritjes dhe të reciprocitetit.

Pa dyshim, vëlla i shtrenjtë Fortlumturi, bëni pjesë në personalitetet e mëdha të epokës sonë. Gjatë gjithë jetës suaj, u shquat për moralin tuaj të paqortueshëm, formimin e shkëlqyer shkencor, njohjen e admirueshme të gjuhëve, për aftësinë tuaj të shkëlqyer organizative, për ndjeshmërinë tuaj në çështjet e paqes, drejtësisë sociale dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Të gjitha veprimet tuaja frymëzohen nga koncepti ekumenik i Kishës, që ju fal mundësinë të qëndroni me respekt ndaj të qenit ndryshe të atyre që kanë besim të ndryshëm apo fe të ndryshme, ndaj të cilëve silleni pa mëri, por me dashuri të vërtetë dhe të bollshme.

E dini mirë Fortlumturi, se kur duhet të flisni dhe kur duhet të heshtni. Çfarë të thoni dhe si ta thoni. Prandaj rezistuat në mijëra vështirësi në një rajon që dallohet për zhvillimet e paparashikueshme politike dhe sociale, për konfliktet etnike dhe në një vend tepër dyshues për keq dhe që ka veçanti të çuditshme.

Dashuria Juaj e parë ishte Hierapostullimi i jashtëm. Aty dhatë shpirtin dhe trupin, lulen e rinisë suaj dhe një pjesë të madhe të jetës. Hierapostullimi për Ju është një domosdoshmëri e brendshme. E konsideroni të pamendueshëm indiferentizmin për miliona njerëz që jetojnë “të huaj për dhiatën e premtimit, duke mos pasur shpresë dhe ateistë në botë”. E ndjeni se ata që kanë pësuar më tepër padrejtësi në epokën tonë, janë sa u privuan prej fjalës së Perëndisë, jo sepse ata mohuan ta dëgjojnë, por ngaqë ata, të cilët e kishin këtë fjalë prej shekujsh, u treguan indiferentë për t’ua bërë të njohur. Në shumë libra tuaj i referoheni domosdoshmërisë së Hierapostullimit të jashtëm. Në librin tuaj Qëllimi dhe pikënisja e Hierapostullimit theksoni se “Kisha pa hierapostullim është një kundërshti në vetvete”. Si rrjedhojë “çdo besimtar, i cili jeton me ndërgjegje jetën shpirtërore dhe mendon me korrektesë, e ndien se lavdërimi dhe dhoksologjia që i drejton personalisht Perëndisë, është e mangët, përderisa në të ende nuk marrin pjesë kaq shumë fise dhe gjuhë”.

Në veprën tuaj Indiferentizmi ndaj Hierapostullimit do të thotë mohim i Orthodhoksisë, ritheksohet se ekumeniciteti dhe apostoliciteti përbëjnë esencialisht elementë të eklisiologjisë orthodhokse. “Orthodhoksia” shkruani, “nuk është një konfederatë Kishash, por Një Kishë, e Shenjtë, Katholike dhe Apostolike, së cilës Zoti i besoi vazhdimin e veprës së Tij çliruese, shpëtimin e mbarë botës, në të gjitha gjatësitë dhe gjerësitë gjeografike e shpirtërore të planetit”.

Brenda dëshmisë së shërbimit hierapostolik thërrasim me dëshirë për të nxënë dhe për të lavdëruar: “Do të blatoj ty, me zë ngazëllimi, o Zot… Kisha të thërret ty… botën e bëre të lulëzojë me bekimin tënd”.

Viti 1964 ishte vendimtar për aktivitetin tuaj si hierapostull. Pas dorëzimit tuaj në prift, Ju u larguat për në Kampala të Ugandës, për të bërë njohjen e parë me qëllimet e veprës hierapostolike. Punuat në Afrikën Lindore, ku midis të tjerave pagëzuat orthodhoksët e parë në Tanzani. Por u sëmurët nga një formë e rëndë e malaries dhe u detyruat të ktheheshit në Evropë.

Në vitin 1981, u caktuat nga Patriarku i lumur i Aleksandrisë Nikolla, Mëkëmbës dhe më vonë Kryepiskop i komanduar i Mitropolisë së Shenjtë të Irinupojës të Afrikës Lindore, për organizimin e veprës së Hierapostullimit duke pasur kompetenca të plota. Kenia, Uganda, Tanzania ishin tashmë vendet e juridiksionit dhe të aktivitetit tuaj shpirtëror. Kulmi i shërbimit tuaj në atë vend ishte themelimi dhe organizimi i Shkollës Patriarkale “Kryepiskopi Makarios”, të cilën e drejtuat për një dhjetëvjeçar. Kjo shkollë u tregua një fidanishte shpirtërore e orthodhoksisë afrikane në zhvillim.

Mjaft bashkekzistencën paqësore të komuniteteve fetare, mund të ekzistojë një përparim i vërtetë shpirtëror. Këtë parim karakteristike dhe aktuale është deklarata juaj: “Vetëm me përpiqemi ta respektojmë të krishterë e myslimanë në Shqipëri, që të jetojmë dhe punojmë së bashku në mënyrë harmonike”. Pikërisht këtë parim mbështesim edhe ne me çdo mjet dhe në çdo rast, duke theksuar se vendi i Nilit dhe Egjipti mikpritës, përbën për shekuj me radhë, shembull të ndritshëm të bashkekzistencës paqësore të të krishterëve dhe myslimanëve.

Fortlumturi,

E gjithë jeta Juaj, është një kontribut për Kishën, shkencën dhe njeriun. Në personin Tuaj tregohet qartë se çfarë mund të ofrojë një njeri i vetëm, i pajisur me fuqi të paepur shpirtërore, personalitet të fortë dhe vizion të madh.

Ne ju japim premtimin vëllazëror se do të jemi pranë Jush, do të lutemi që Perëndia i shenjtë t’Ju falë fuqi, shëndet, jetë të gjatë, kurajë dhe çdo të mirë.

“Fjala pa nisje që ishte nga fillimi bashkë me Atin dhe Shpirtin, Biri i vetëmlindur, qoftë i bekuar dhe i përmbilartësuar, Perëndia i etërve tanë”.

Paçi jetë të gjatë dhe plot me lumturi. Të shumta ju qofshin vitet!