Mitropoliti i Mesogias dhe Lavriotikisë – Atikë, Hirësia e Tij Nikolla (Haxhinikolau), Doktor i Theologjisë, Kërkim nr. 3, Tiranë, 2009.

Do të më lejoni që për Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin e Shqipërisë, z. Anastas të mos paraqes të dhëna ose të bëj një vlerësim të veprës së tij. Druhem se volumi i informacionit dhe dimensioni i vlerës së kësaj vepre për fusha të veçanta ose në tërësi, mund të humbë për shkak të pamundësisë sonë për ta ekspozuar në tërësinë e saj dhe për ta paraqitur atë saktë. Në vend të kësaj ndërmarrjeje mendoj se është më e drejtë të përpiqemi të skicojmë disa nga karakteristikat dalluese të numrit të madh të veprave të personalitetit të tij unik në histori, që janë të pasura në talente dhe në virtyte.

Fortlumturia është personalitet ekumenik. Kjo, jo vetëm se është i njohur në mbarë botën, as sepse ka studiuar, punuar e shkuar thuajse në të gjitha kontinentet, as edhe pse ka njohur shumë fe e qytetërime dhe as që është nderuar me shumë çmime e dekorata ndërkombëtare. Fisnikëria e tij ekumenike ka të bëjë me vetë natyrën e tij, mendimet, ndjenjat, cilësitë e personit të tij, aftësitë natyrale. Kur mendimi i dikujt nuk mund të rrijë në kornizat e ngushta të logjikës së zakonshme, kur teprica e dashurisë së tij nuk mund të kufizohet në qëllime, synime dhe para-shikime, kur përulësia e fisnikërisë së tij nuk matet, atëherë ai nuk i takon një pakice, nuk ka kufi, është ekumenik.

Nevoja e Kryepiskopit Anastas për t’u shprehur në mënyrë ekumenike dhe për të zgjeruar horizontet e tij, e nxiti në njohjen e mjaft gjuhëve të huaja, si dhe në studime të thelluara në shumë fusha. Dashuria e tij për njeriun e çdo race, të çdo feje, ngjyre apo vendi të tokës, të çdo qytetërimi, të çdo shtrese shoqërore dhe besimi i thellë se Perëndia është i kudogjendur, se “sipas ikonës së Tij”, ndodhet e shkruar në çdo njeri, nuk e izoloi tek ajo që është e afërt, tek tanët, në të njohurit, të burgoset në egoizmin e tij personal apo social. Theu enën e origjinës së tij, si të një identiteti që të kufizon, shpërtheu derën e besimit të tij tradicional për sa i takon ideologjisë fetare, shfuqizoi fjalët kufi, caqe, racë, gjuhë. Iu shmang terrenit rëndues të egoizmave dhe e përqafoi botën si krijesë të Perëndisë.

vërteta është se Kisha e Greqisë i ka bërë padrejtësi. Nuk arriti dot të kapërcejë ngushtësinë e saj dhe ta nderojë duke i besuar një mitropoli të sajën. Por ishte fat i madh që bëri gabim! Ndoshta kjo ishte përfshirë përfundimisht brenda planit të Perëndisë. Urtësia e Tij u përkujdes që të mos ta kthente në provincial, duke e mbyllur në një krahinë, duke e kufizuar në një vend, duke e shtrënguar në atë që është e paktë dhe e vogël. Nuk e harxhoi në rininë e tij, por e ndihmoi të mbartte dhe të ushqente dhuratat e Perëndisë dhe të mbërrinte në çastin e duhur të lindjes, kur ishte në mes të jetës së tij. Nuk e detyroi të prishë më kot pasurinë e tij në diçka, që të tjerët kishin mundësinë ta bënin, por e përcaktoi për të qenë nismëtar, duke mbjellë besimin aty ku nuk ekzistonte më parë. Siç ndodhi në Afrikë ose duke e ringjallur Kishën aty ku e zhduku persekutimi, siç ndodhi në Shqipëri, apo duke e pohuar orthodhoksinë aty ku nuk kishte ambasador të sajin, me mënyrën që askush tjetër nuk mund ta bënte dot, në mbarë botën. Jeta e tij ka vulën vendimtare të të madhit, të unikales dhe të mrekullisë.

Adminstrata kishtare i dha tituj dhe pozita që më parë i kishte lënë në harresë, ndoshta duke e kundruar me pasiguri fuqinë e zërit të tij. Filloi si Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Apostolik të Kishës së Greqisë dhe në vazhdim në Qendrën Ndërorthodhokse. Kryepiskopi Anastas brenda një kohe të shkurtër ringjalli konceptin e shërbimit kishtar të vërtetë dhe të Orthodhoksisë ekumenike në Greqi, sikundër nuk ia arritën të tjerë me gjithë përpjekjet që bënë në vite.

Njeri guximtar, vizionar, i vendosur, plot fryte. Njëkohësisht i urtë, i sjellë, dinjitoz, kreativ. Teorik dhe praktik, akademik dhe administrativ, i qartë në besimin e tij dhe dashamirës në marrëdhëniet e tij me të tjerë. Ekumenik në pohimin tij, i hapur ndaj qytetërimeve të tjera, ndaj mentaliteteve të ndryshme, ndaj feve të shumëllojta, jo duke e relativizuar besimin e tij, por i frymëzuar prej përjetimit të tij, mundi të përulet para shumëllojshmërisë që ekonomizon Perëndia dhe të qenit ndryshe që Ai pranon. Fjala ekumenike e tij nuk është sinkretike, është hierapostolike, është fjalë dëshmie. Guximi i tij në përballjen me sfidën globale nuk lind nga një boshllëk besimi që duhet të mbulohet, por nga plotësia e përjetimit orthodhoks, që duhet të ndahet si stafetë dhe të shpërndahet në të tjerë. Dashuria e tij ekumenike nuk tradhton mungesë të sensibilitetit orthodhoks, por është dashuri që vjen nga përgjegjësia kishtare dhe pohimi i besës.

Vepra e tij nuk është nga kjo botë. Nuk shpjegohet, nuk justifikohet. Thjesht admirohet. Nuk është e tija, nuk është sipas njeriut. Është vetëm e Perëndisë. Prandaj edhe si njeri nuk gjykohet, vetëm vlerësohet.