Biografi e shkurtër e Hirësisë së Tij, Mitropolitit të Korçës, Joanit.

 

Hirësia e Tij, Mitropoliti i Korçës, Joan (Pelushi), lindi më 1 janar 1956. Kreu studimet e larta në Boston, SH.B.A., në Kolegjin Orthodhoks të Teologjisë “Kryqi i Nderuar” (Holy Cross Orthodox School of Theology, Boston), falë një burse studimi të themeluar nga komuniteti shqiptar atje, në kujtim e nderim të Episkopit Theofan Noli. Në përfundim të studimeve master, u diplomua me gradën “Master of Divinity”. Flet rrjedhshëm anglishten dhe italishten.

Me t’u diplomuar u rikthye në Shqipëri, ku Kryepiskopi Anastas e caktoi pedagog në Seminarin Teologjik-Hieratik në Durrës, si edhe në shërbime të tjera brenda Kishës.

Ai e hirotonisi dhjak në 27 shkurt 1994, e më pas prift në 4 dhjetor të të njëjtit vit. Në vitin 1995 fiton edhe një të drejtë studimi edhe rikthehet në Shtetet e Bashkuara për të vazhduar studime të mëtejshme. Kur u kthye në vitin 1996, caktohet si drejtor i Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, në Shën Vlash, Durrës, si edhe ngrihet në rangun e Arkimandritit më 19 nëntor të po atij viti. Më 18 korrik 1998, u hirotonis nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, episkop, duke u caktuar Mitropolit i Korçës, ku edhe u fronëzua dy ditë më pas në Korçë.

Ai ka përkthyer një numër librash në gjuhën shqipe:

  1. Mbi Shpirtin e Shenjtë, botuar më 1996.

Katër vëllimet e librit katekitik “Besimi Orthodhoks”, me autor Protopresviterin Thomas Hopko:

  1. Vëllimi I – Doktrina, botuar në vitin 1997.
  2. Vëllimi II – Adhurimi, botuar në vitin 1997.
  3. Vëllimi III – Shkrimi i Shenjtë dhe Historia e Kishës, botuar në vitin 2000.
  4. Vëllimi IV – Spiritualiteti, botuar më 2002.
  5. Shën Siluan Athoniti, shkruar nga Arkimandrit Sofroni, botuar më 2003.
  6. Dogmatika, (dispensë) tekst mësimor për Akademinë Teologjike.
  7. Shenjtorët iliro-shqiptarë (dispensë).
  8. Gjithashtu, Mitropoliti i Korçës, Joani, ka botuar artikuj të shumtë në gazetën “Ngjallja”, ka referuar kumtesa në konferenca dhe simpoziume shkencore kombëtare e ndërkombëtare, duke përfaqësuar me dinjitet Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Nën përkujdesjen e tij, ka dalë në qarkullim dhe revista kulturore-shkencore “Tempulli”, që botohet në Korçë, që prej vitit 2000.