Biografi e shkurtër e Hirësisë së Tij, Mitropolitit të Beratit, Ignatit.

Hirësia e Tij, Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Imzot Ignati (Trianti), është arvanitas me origjinë nga Thiva, ku lindi më 1934. Zotëron gjuhën shqipe.

Studioi në Shkollën Kishtare “Patmiadha”, si dhe në Fakultetin Teologjik të Universitetit të Athinës. Është diplomuar gjithashtu edhe në Konservatorin e Pireut.

Ka shërbyer si predikues dhe mësimdhënës laik në Kryepiskopatën e Shenjtë të Athinës. Në vitin 1967 u dorëzua dhjak dhe prift nga Mitropoliti i Thivës dhe Livadhjasë, Nikodhimi, dhe shërbeu si meshtar në Kishën Katedrale dhe si Epitrop Arkihieratik i Thivës (1967-1972), Igumen i manastirit të shenjtë “Oshënar Llukai” , të Livadhiasë (1968-1976) dhe i manastirit “Oshënar Serafimi”, të Dhomvus (1975-1996), predikues (1972-1992) dhe atë shpirtëror i kësaj Mitropolie (1962-1996).

Ka shkruar koleksionin me tri vëllime “Poezitë e kallogjerit” dhe librat “Përulësia sipas Shkrimit të Shenjtë dhe Etërve të Kishës”, ndërsa për librin e tij të fundit: “Jerondi i Patmos, jeromonaku Amfilohios Makri”, u nderua nga Akademia e Athinës.

Më 24 qershor 1992 u zgjodh nga Sinodi i Shenjtë i Patrikanës Ekumenike Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës. U dorëzua episkop më 27 qershor 1996 dhe u fronëzua nga Kryepiskopi, Fortlumturia e Tij Anastasi, më 18 korrik 1998, në Berat.