Biografi e shkurtër e Hirësisë së Tij, Mitropolitit të Elbasanit, Andonit.

 

Hirësia e Tij, Mitropoliti i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, Imzot Andon (Merdani), lindi më 7 dhjetor 1969, në Tiranë.

Në vitet 1996-1999, kreu studimet në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, Shën Vlash, Durrës. Në vitet 2002-2006 studioi në Fakultetin Theologjik të Universitetit Kombëtar “Kapodistria” të Athinës. Përfundoi studimet master në “Dhiatën e Re” në Universitetin “Aristoteli” të Selanikut. Është diplomuar në nivelin master edhe në degën  në “Sociologji – Psikologji – Komunikim” të Arsimit të Lartë “ISSAT”, gjithashtu është diplomuar në Universitetin “UBIS” të Gjenevës.

U qeth murg dhe u hirotonis dhjak nga Hirësia e Tij, Mitropoliti i Korçës, Joani, në vitin 2000. Më 21 nëntor 2002 u hirotonis prift nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi. Më 21 nëntor 2006 u hirotonis episkop, duke u caktuar Episkop i Krujës (episkop titullar) dhe Ndihmës i Kryepiskopit dhe shërbeu si Protosingjel i Kryepiskopatës së Tiranës.

Me vendimin e Sinodit të Shenjtë për krijimin e Mitropolisë së Elbasanit, Hirësi Andoni u caktua Mitropolit i saj. Fronëzimi i tij u krye më 17 prill 2016 në Kishën e Shën Nikollës, Elbasan.

Është anëtar i Bordit të Fondacionit “Frymë Dashurie”, anëtar i bordit ekzekutiv të Fondacionit “Klinika Orthodhokse Ungjillëzimi”, ka qenë anëtar i Komitetit Ndërfetar të Shqipërisë dhe ka dhënë mësim në Akademinë Theologjike “Ngjallja e Krishtit”, Shën Vlash, Durrës, në periudhën 2006-2012. Ka marrë pjesë në shumë konferenca, takime dhe aktivitete, duke përfaqësuar denjësisht Kishën e Shqipërisë.