Biografi e shkurtër e Hirësisë së Tij, Mitropolitit të Apollonisë & të Fierit Nikollës.

 

Hirësia e Tij, Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, Nikolla (Hyka), lindi më 26 janar 1972, në Zhupan të Fierit.

Në vitin 2000 përfundoi studimet teologjike, në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, Shën Vlash, Durrës. Nga viti 2002 deri më 2006, studioi në Fakultetin Teologjik të Universitetit të Athinës, ku u diplomua me rezultate të shkëlqyera. Në vitin 2015 kreu studimet pasuniversitare në Universitetin “Aristoteli” të Selanikut.

U hirotonis nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi: dhjak, më 16 prill 2000; prift, më 24 maj 2002; episkop, më 19 nëntor 2006, si Episkop i Apollonisë, episkop titullar, dhe Episkop Ndihmës i Kryepiskopit.

Me vendimin e Sinodit të Shenjtë për krijimin e Mitropolisë së Apollonisë dhe Fierit, Hirësi Nikolla u caktua Mitropolit i saj. Fronëzimi i tij u krye më 16 prill 2016 në Katedralen “Shën Gjergji”, Fier.

Nga viti 2006 ka shërbyer si drejtor dhe pedagog i Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, Shën Vlash, Durrës.

Është anëtar i Komitetit Qendror të Këshillit Botëror të Kishave nga viti 2012, ndërkohë që e ka përfaqësuar Kishën e Shqipërisë në shumë takime ndër të krishtera dhe ndërfetare.