Kryqi është simbol i Jisu Krishtit, i Kishës dhe i të krishterëve. Me Kryqin kujtojmë dhe përjetojmë dashurinë e madhe të Perëndisë për të gjithë njerëzit, që u shpreh nëpër- mjet flijimit të Zotit tonë Jisu Krisht, prej të Cilit rrjedh hiri, shenjtërimi dhe shpëtimi i njeriut.
Kryqi ka shumë fuqi dhe hir, sepse fuqia dhe hiri shenjtërues i Krishtit, kur u kryqëzua,i kaloi në mënyrë mistike dhe të pakonceptueshme Kryqit të Tij të nderuar, “edhe pse duket dru në thelb, është i veshur me pushtet hyjnor, edhe pse është i dukshëm në botë, shpirtërisht bën mrekullinë e shpëtimit tonë…”.
Kryqi, nëpërmjet Krishtit, nga mjet dënimi u bë mjet shpëtimi, nga simbol mallkimi u bë “zhdukje e mallkimit të lashtë”, nëpërmjet të cilit na u falën mëkatet dhe fajet tona (Kol.2:14, Vep.13:38, 2Kor.5:18-20).
Kështu Kryqi u bë shenjë e pajtimit tonë me Perëndinë, shenjë fuqie e mbrojtjeje, shenjë beki -mi e shpëtimi, shenjë fitoreje mbi vdekjen, mbi sëmundjet e mbi demonët, që dridhen prej tij. Kryqi u bë shenjë lutjeje dhe ndriçimi, shenjë paqeje e gëzimi, shenjë falënderimi e lavdërimi.
Nuk e nderojmë Kryqin si një formë gjeometrike të rastësishme, por si shenjë të Jisu Krishtit. As nuk e nderojmë Kryqin në vetvete si formë, të shkëputur nga Jisu Krishti i kryqëzuar, sepse kjo do të ishte me të vërtetë idhujtari. Gjithashtu, as nuk e nderojmë Kryqin të shkëputur nga Ngjallja, sepse Jisu Krishti nuk mbeti në kryq, nuk mbeti në varr, por u ngjall.
Kryqin, jo vetëm e nderojmë, e zbukurojmë dhe e vendosim brenda e jashtë kishës, por edhe e mbajmë atë në trupin tonë, në mjediset ku jetojmë, punojmë, studiojmë, udhëtojmë etj. E përdorim Kryqin për bekim, për ndihmë, për të shëruar shpirtin e trupin, për të larguar fuqitë demoniake dhe në çdo rast, në gëzime apo hidhërime të jetës sonë. Bëjmë shenjën e tij mbi veten tonë, por edhe i kërkojmë priftërinjve dhe episkopëve të na bekojnë me të dhe me shenjën e tij.
Bërja e shenjës së Kryqit mbi veten tonë është shprehje shumë e thjeshtë e një lutjeje personale dhe një dëshmie e besimit tonë të krishterë orthodhoks. E bëjmë Kryqin për të shoqëruar lutjet tona të përbashkëta në kishë, por edhe lutjet personale në shtëpi e kudo që ndodhemi.
Kryqin e bëjmë kur ngrihemi nga gjumi dhe kur biem të flemë, kur dalim nga shtëpia, kur kalojmë para kishës, kur fillojmë dhe kur mbarojmë aktivitetet tona, para dhe pas ngrënies e pirjes, në çdo situatë të vështirë, kur marrim lajm të hidhëruar ose të gëzuar, kur të duam dhe sa herë të duam. Dita dhe nata e besimtarit fillon dhe mbaron me bërjen e shenjës së Kryqit.
Fillimisht, bashkojmë tre gishtërinjtë e parë të dorës së djathtë (fig.1), duke pohuar kështu besimin tonë në një Perëndi, që është njëkohësisht tre persona: Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë. Dy gishtërinjtë e tjerë, që takojnë te pëllëmba (fig.1), simbolizojnë dy natyrat e Zotit tonë Jisu Krisht: atë hyjnore dhe atë njerëzore. Në këtë mënyrë bëjmë një pohim simbolik të besimit tonë të krishterë orthodhoks. Pastaj i vendosim tre gishtërinjtë në ballë (fig.2), duke treguar se e duam Perëndinë me të gjithë mendjen tonë dhe se i kushtojmë Atij të gjitha mendimet tona. Pas kësaj, tre gishtërinjtë i vendosim në bark (fig. 3), duke treguar në mënyrë simbolike se i kushtojmë Zotit të gjitha dëshirat dhe ndjenjat tona. Së fundi, i sjellim te supet, në fillim tek i djathti (fig.4), pastaj tek i majti (fig.5), duke pohuar kështu se edhe çdo aktivitet i yni trupor i përket Atij.
Një interpretim tjetër plotësues e të thjeshtë, më se teologjik, jep Shën Kozmai i Kolkondasit (i Etolisë): kur vendosim dorën në kokë: Ashtu si lavdërojnë engjëjt Perëndinë në qiell, ashtu edhe unë të lavdëroj, si shërbëtor i padenjë. Kur ul dorën dhe e vë në bark: Të falem dhe të adhuroj, Zoti im, që pranove dhe u trupëzove në barkun e Hyjlindëses për mëkatet tona. Kur e vë në supin e djathtë: Të lutem, Perëndia im, të më falësh dhe të më vësh në të djathtën tënde me të drejtët. Kur e vë në supin e majtë: Të lutem, Zoti im, mos më vë në të majtë me mëkatarët.
Shenjën e Kryqit duhet ta bëjmë saktë, jo mekanikisht, jo me nxitim, por me ndjenjë, me shpresëtari, me frymë lutëse dhe pa ndrojtje. Për t’i shijuar të gjitha këto fuqi, hire, dhurata e bekime të Kryqit duhet që ne të kemi besim të gjallë te Jisu Krishti, përulësi dhe të pastrojmë veten tonë nga mëkatet.