DISA URATA NGA SHËRBESA PËRGATITJES PËR KUNGIM DHE E FALËNDERIMIT PAS TIJ
KUNGATA HYJNORE
DHIMITËR BEDULI
Po japim disa nga uratat më të domosdoshme, që duhet t’i lexojë besimtari, si në kohën e përgatitjes së tij për kungim, ashtu edhe pas kungimit. Uratat para Kungimit zakonisht mund t’i lexojnë në kohën kur psalti ose kori psal “Kungatoren”, kurse ato të falënderimit, i lexon pasi të kungohet.
Para Kungimit
Uratë e Shën Joan Damaskinit
Përpara dyerve të tempullit tënd qëndroj dhe nga mendimet e frikshme nuk largohem. Po Ti, o Krisht Perëndi, që drejtësove tagrambledhësin e përdëlleve kananeasen dhe i çele kusarit dyert e Parajsës, çelma dhe mua zemrën e njeridashjes sate dhe pritmë se po të vij pranë e po të mbështetem, siç prite laviren dhe gjakrrjedhësen; se kjo, duke prekur cepin e rrobës sate, gjeti shumë lehtë shpëtim dhe e para, duke mbajtur këmbët e tua të pastra, mori zgjidhjen e mëkateve; por bëj që edhe unë i ngrati, i cili guxoj të pres tërë trupin tënd, të mos digjem; po pritmë si ato dhe ndriçomi ndjenjat e shpirtit, duke djegur krimet e mia të mëkatit me ndërmjetimet e asaj që të lindi pa farë dhe të fuqive qiellore, se i bekuar je në jetë të jetëve. Amin.
Uratë e Shën Joan Gojartit
Besoj, o Zot, dhe pohoj se Ti je me të vërtetë Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë, që erdhe në botë për të shpëtuar mëkatarët, nga të cilët i pari jam unë. Edhe besoj se ky është vetë Trupi yt i kulluar dhe ky është vetë Gjaku yt i çmuar. Të lutem pra, mëshiromë dhe ndjemi fajet, të bëra me dashje dhe pa dashje, me fjalë, me punë, me dije edhe pa dije; dhe bëmë të denjë të kungohem pa dënim me Misteret e tua të kulluara, për ndjesën e mëkateve dhe për jetën e amshuar. Amin.
Vargje të Shën Simeon Metafrastit:
Ja tek po shkoj në Kungatën Hyjnore, Mos më digj, o Krijues, kur të kungohem, Se ti je zjarr që i djeg ata që s’janë të denjë. Po pastromë prej çdo njolle.
Tmerrohu, o njeri, kur shikon Gjakun hyjnor; Sepse është zjarr që djeg të padenjët. Trupi hyjnor më ushqen dhe më hyjnizon, më hyjnizon shpirtin dhe më ushqen mendjen mrekullisht.
Dhe këto tropare
Më ngazëllove me mall, o Krisht, dhe më ndryshove me dashurinë tënde hyjnore; po digji dhe mëkatet e mia me zjarr të palëndshëm dhe bëmë të denjë të mbushem me gëzimin tënd, që të madhëroj duke kërcyer, të dyja ardhjet e tua, o i mirë.
Ndër shkëlqimet e shenjtorëve të tu, si do të hyj unë i padenji? Se në guxofsha të hyj bashkë në nusëroren, këmisha më tregon se s’është e dasmës dhe i lidhur do të nxirrem jashtë prej engjëjve. Pastroje, o Zot, ndyrësinë e shpirtit tim dhe shpëtomë si njeridashës.
Pastaj këtë uratë
O Zot njeridashës, Zot Jisu Krisht, Perëndia im, të mos më bëhen për gjyq këto të Shenjta, ngaqë jam i padenjë; po për pastrim dhe shenjtërim shpirti dhe trupi dhe të bëhem i denjë për jetën dhe mbretërinë tënde të ardhshme. Është mirë për mua t’i ngjitem Zotit, dhe te Zoti të vë shpresën e shpëtimit tim.
Në Darkën tënde mistike, o Bir i Perëndisë, merrmë sot pjesëtar; se nuk do t’ua them armiqve të tu Misterin, nuk do të të jap të puthur si Juda; por duke të pohuar si kusari, thërres: Kujtomë, o Zot, në mbretërinë tënde.
Dhe kështu shko e kungohu me devocion të madh!
Pas Kungimit
Uratë falënderimi e Shën Vasilit të Madh
Të falënderoj, o Zot, Perëndia im, se nuk më le mua mëkatarin, po më bëre të denjë të jem pjesëtar i të Shenjtave të tua. Të falënderoj, se më bëre të denjë mua të padenjin, të kungohem me Dhuratat e tua të kulluara dhe qiellore. Po, o Zot njeridashës, Ti që për ne durove vdekje, u ngjalle dhe na fale këto Mistere të frikshme dhe jetëdhënëse për të mirën dhe shenjtërimin e shpirtrave dhe të trupave tanë, bëj që edhe për mua të jenë këto për shërim shpirti dhe trupi, për dëbim të çdo gjëje kundërshtare, për ndriçim të syve të zemrës sime, pastrim për fuqitë e mia shpirtërore, besë e paturpëruar, për dashuri pa hipokrizi, për urtësi të plotë, për ruajtje të porosive të tua, për shtim të hirit tënd hyjnor dhe për bashkim në mbretërinë tënde; që, duke u ruajtur në shenjtërimin tënd me anën e këtyre, të kujtoj përgjithnjë hirin tënd e të mos rroj më vetëm për vete, po për Ty, Zotin dhe Mirëbërësin tim. Dhe kështu, kur të lë këtë jetë me shpresën e jetës së përjetshme, të arrij në prehjen e përjetshme, ku ndihet pa pushim zëri i atyre që kremtojnë dhe ëmbëlsia e pafund e atyre që shikojnë bukurinë e patreguar të Fytyrës sate. Se Ti je dëshira e vërtetë dhe ngazëllimi i patreguar i atyre që të duan, o Krisht Perëndia ynë, dhe Ty të himnon përjetë tërë krijesa. Amin.
Uratë tjetër e Shën Vasilit të Madh
O Zoti Krisht Perëndi, Mbret i jetës dhe Krijues i gjithësisë, të falënderoj për të gjitha të mirat që më ke dhënë dhe për kungimin me Misteret e tua të kulluara dhe jetëdhënëse. Të lutem, pra, o i Mirë dhe Njeridashës, ruajmë nën mbulesën tënde dhe nën hijen e krahëve të tu; dhe bëmë që gjer në frymën e fundit me mendje të pastër të kungohem denjësisht me të Shenjtat e tua për ndjesën e fajeve dhe për jetën e përjetshme; se Ti je buka e jetës, burim i shenjtërimit, dhënës i të mirave dhe Ty ta drejtojmë lavdinë bashkë me Atin e me Shpirtin e Shenjtë, tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin.
Lavdi Atit e Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin.
Mëshiro, o Zot. (3 herë)
Më të nderuarën se Keruvimet dhe më të lavdëruarën pa krahasim se Serafimet, që pa u cenuar linde fjalën Perëndi, me të vërtetë Hyjlindëse, ty të madhërojmë.
Me uratat e Etërve tanë të Shenjtë, o Zot Jisu Krisht, mëshirona dhe shpëtona. Amin.