LUTJA, NJË KRIJIM GJITHNJË I RI

 

Lutja, përvojë e përjetësisë

Arkimandrit Sofroni

 

Lutja është një krijim i pashtershëm, që gufon gjithmonë, më i lartë nga çdo art apo shkencë tjetër. Përmes lutjes hyjmë në kungim me Qenien e përjetshme dhe pa fillim. Nëse do ta thoshim ndryshe, lutja është jeta e Perëndisë, i Vetmi që është realisht dhe që hyn te ne nëpërmjet kësaj udhe.

Lutja është akti i urtësisë supreme, akti i një bukurie dhe fisnikërie që kapërcen gjithçka. Kur lutemi, mendja jonë shijon ngazëllim të shenjtë dhe të përkorë. Por udhët e këtij krijimi, pra të lutjes, janë komplekse. Me mijëra herë, do të përjetojmë një vrull të zjarrtë për Perëndinë, por edhe rënie larg Dritës së Tij.
Shpesh e në mënyra të ndryshme, ndiejmë paaftësinë e mendjes sonë për t’u lartësuar drejt Atij; ndonjëherë, do të gjendemi në kufirin e marrëzisë dhe, zemërdërrmuar, do t’i ekspozojmë gjendjen tonë mjerane: “Ti më ke urdhëruar të të dua, dhe e pranoj me tërë qenien time; por nuk gjej forcën e kësaj dashurie brenda meje… Ti je Dashuri. Eja pra, Ti vetë dhe bano tek unë. Përmbush brenda meje gjithçka që Ti na ke urdhëruar, sepse urdhërimi Yt më tejkalon pafundësisht… Mendja ime lodhet kur përpiqet të të kuptojë. Shpirti im nuk arrin të depërtojë në sekretet e jetës Sate… Dua mbi gjithçka të zbatoj vullnetin Tënd, por ditët e mia rrjedhin në kundërshti të pazgjidhshme… Kam frikë se mos të humbas për shkak të mendimeve të këqija, të cilat bëjnë fole në zemrën time, dhe kjo frikë më kryqëzon… Eja pra, dhe shpëtomë, se po mbytem, ashtu si shpëtove Petron, i cili guxoi të vinte të të takonte mbi ujërat e detit” (shih Matth. 14.28,31).

Ndonjëherë, na duket se lutja vepron tepër ngadalë, në raport të zhdrejtë me ekzistencën tonë. Një britmë del nga kraharori ynë: “Eja shpejt!”. Por jo gjithmonë Perëndia i përgjigjet menjëherë thirrjes sonë. Si një fryt i vetëm në pemë, Ai e lë shpirtin tonë të digjet në diell, duke iu ekspozuar sulmeve të erërave të ftohta ose përvëluese, duke u torturuar nga etja apo duke iu nënshtruar shirave të rrebeshtë. Por po të mbahemi pas cepit të rrobës së Tij (shih Lluk. 8.44), do të shikojmë rezultatin e lumtur të përpjekjeve tona.

Ne duhet të qëndrojmë në lutje sa më gjatë që të jetë e mundur, që fuqia e pathyeshme e Krishtit të depërtojë te ne dhe të na bëje të aftë t’u rezistojmë gjithë ndikimeve shkatërrimtare. Dhe kur kjo forcë të rritet brenda nesh, shpresa për fitoren përfundimtare do të na mbushë me gëzim.

Sigurisht që lutja e rivendos brenda nesh frymëmarrjen hyjnore që “Perëndia fryu në vrimat e hundës së Adamit”, kështu që “Adami u bë një shpirt i gjallë” (shih Gjen. 2.7). I ripërtërirë nga lutja, shpirti ynë fillon të mrekullohet përpara misterit të madh të Qenies. Si përrua i vrullshëm, një entuziazëm i një lloji të veçantë e përmbyt mendjen tonë: “Qenia…, sa mister i mrekullueshëm! Si është e mundur?… I mrekullueshëm është Perëndia ynë dhe e mrekullueshme krijesa e tij.” Përjetojmë kuptimin e fjalëve të Krishtit: “Unë erdha që të kenë jetë, dhe ta kenë me të tepërt” (Jn. 10.10). Me të tepërt! Po, me të vërtetë, e tillë është.

Kjo jetë është paradoksale, ashtu sikundër edhe mësimi i Zotit: “Erdha të vë zjarr mbi dhé; edhe ç’dua më, në qoftë se u ndez tani” (Lluk. 12.49). Për të gjithë ne, pasardhësit e Adamit, është e domosdoshme të kalojmë përmes kësaj flake qiellore, që të djegë rrënjët e pasioneve tona vdekjeprurëse, ndryshe nuk do ta shikojmë këtë zjarr të shndërrohet në dritën e një jete të re. Në fakt, në gjendjen tonë të rënë, djegia paraprin ndriçimin, dhe jo të kundërtën. Kështu pra, le të bekojmë Zotin edhe për këtë energji konsumuese të dashurisë së Tij.

Ka ende shumë gjëra, që nuk i njohim. Megjithatë, tani e dimë, qoftë edhe pjesërisht, (shih I Kor. 13.9) se nuk ka rrugë tjetër për t’u bërë “bij të ngjalljes” (Lluk. 20.36), bij të Perëndisë, për të mbretëruar me të Vetëmlindurin. Sado i dhimbshëm që të jetë procesi i rikrijimit tonë, cilatdo qofshin vuajtjet dhe ndonjëherë agonitë që Perëndia na lë të kalojmë, gjithçka në fund do të jetë e bekuar. Në qoftë se asimilimi i njohjes shkencore kërkon një punë sistematike për vite me radhë, përpjekja për të fituar lutjen është, pa krahasim, më e vështirë.

Kur Ungjilli dhe Letrat e Apostujve bëhen realiteti ynë i përditshëm, fillojmë të shikojmë më qartë se sa naive kanë qenë konceptimet tona të mëparshme për Perëndinë dhe jetën në Të. E mistershme është urtësia e zbulesës që na u dha. Kjo e tejkalon imagjinatën e njeriut: “Ato që sy s’i pa, e vesh s’i dëgjoi, e në zemër njeriu nuk u ngjitën, këto Perëndia i bëri gati për ata që e duan atë” (I Kor. 2.9). Prekja më e vogël nga Shpirti Hyjnor është lavdi, të cilën s’do mund ta krahasonim me përmbajtjen e një jete ku s’ka Perëndi.

Lutja autentike, e cila na bashkon me të Tërëlartin, nuk është asgjë tjetër veçse drita dhe fuqia e qiellit që ka zbritur mbi ne. Në esencën e saj, ajo transhendon planin tonë të ekzistencës; ajo s’ka burim energjie në këtë botë. Nëse ushqehem mirë që trupi të jetë i fuqishëm, mishi im ngre krye dhe kërkesat e tij rriten: nuk do më të lutet. Nëse e vdekësoj mishin me kreshmë të rreptë, kjo vetëpërmbajtje e dhimbshme krijon për një farë kohe një terren të favorshëm për lutjen, por në vazhdim trupi lodhet dhe refuzon të ndjekë pas shpirtin. Në qoftë se vizitoj njerëz të ditur, mund të ndiej kënaqësi të brendshme, ndonjëherë mund të kem një përjetim të ri në fushën psikologjike ose intelektuale, por për lutjen e thellë shumë rrallë marr një shtysë. Në planin intelektual, nëse jam i talentuar për punë shkencore ose për një krijim artistik, suksesi mund të më shërbejë si pretekst për t’u krekosur; dhe atëherë do të jetë e pamundur të gjej zemrën time të thellë, vendin e lutjes shpirtërore. Nëse jam i pasur dhe kërkoj të nxjerr përfitime nga pushteti që më jep pasuria, ose të realizoj disa nga idetë e mia, ose të kënaq dëshirat e mia estetike e kulturore, shpirti im nuk do të ngjitet drejt Perëndisë, ashtu siç e kemi njohur përmes Krishtit. Nëse shkoj në shkretëtirë pasi t’i kem mohuar të mirat që zotëroja, tërë energjitë kozmike do të bashkohen për të paralizuar lutjen time. Dhe kështu me radhë, pa fund.

Lutja e vërtetë drejtuar Perëndisë së vërtetë është një kungim me Shpirtin Hyjnor, që lutet brenda nesh; sepse është Ai që na bën të njohim Perëndinë; është Ai që e ngre shpirtin tonë në gjendjen e soditjes së përjetësisë. Si hir që vjen prej së larti, lutja e transhendon natyrën tonë tokësore. Prandaj dhe trupi ynë i prishshëm, i paaftë për t’u ngjitur në sferën shpirtërore, e kundërshton. Edhe mendja jonë, e paaftë për të mbajtur të Pafundmin, i bën qëndresë; ajo zvarritet në dyshime dhe hedh poshtë çdo gjë që e kapërcen kuptimin e saj. Rrethi shoqëror ku jetojmë i kundërvihet lutjes, sepse jetën e tij e organizon duke pasur të tjera qëllime, diametralisht të kundërta. Frymët armiqësore nuk e durojnë dot atë. Por vetëm lutja i lejon botës së krijuar të ngrihet nga rënia e saj, sepse ajo triumfon mbi gravitetin dhe inercinë e saj falë vigjilencës së madhe të shpirtit tonë për të ruajtur porositë e Krishtit.

Beteja për lutjen është e vështirë, sepse edhe gjendjet e shpirtit ndryshojnë. Ndonjëherë lutja rrjedh përbrenda nesh si lumë i fuqishëm, herë të tjera zemra jonë thahet. Le të vigjilojmë që çdo mpakje e fuqisë për t’u lutur të zgjasë sa më pak që të jetë e mundur. Të lutesh, do të thotë që shpesh t’i paraqesësh Perëndisë gjendjen tënde të mjerueshme: dobësi, topitje, dyshime, frikë, ankth, dëshpërim, me një fjalë, gjithçka që lidhet me kushtet e ekzistencës sonë. Pra, ta paraqesim gjendjen tonë, por pa kërkuar shprehje elegante apo ndonjë rrjedhë logjike… Shpesh, kjo mënyrë për t’iu drejtuar Perëndisë shënon fillimin e një lutjeje që merr formën e një bashkëbisedimi.

Ndonjëherë rrëmbehemi nga valët e Dashurisë hyjnore, dhe për shkak të naivitetit tonë, mund ta marrin subjektivisht si dashurinë tonë për Atë. Ja se si ndodhi kjo me mua: Nuk guxoja të mendoja që, në madhështinë e Tij të pafund, Krijuesi i universit mund të ndalte vëmendjen e Tij mbi mua, që jam i parëndësishëm dhe i ngratë. Thosha në lutjen time: “Ah! Sikur të qe e mundur të më doje siç të dua unë Ty!… A e shikon sa shumë etje ka zemra ime për Ty natë e ditë? Ule veshin tënd tek unë; më trego fytyrën tënde; më bëj siç ti do, të shikoj ata që ke krijuar, si ty, o i Tërëshenjtë, që të më presësh e të më duash…” Nuk dija ç’thosha (shih Lluk. 9.33). Nuk guxoja as të mendoja se ishte Perëndia vetë që lutej brenda meje.

Të soditësh shenjtërinë dhe përulësinë e Perëndisë, kjo e prek shpirtin. Me përkushtim të madh dhe dashuri, shpirti përkulet së brendshmi para Tij. Një lutje e tillë shndërrohet ndonjëherë në vizion të Dritës së pakrijuar.

Që të njohim dhuntitë që burojnë prej Tij, Perëndia na lë mënjanë për një farë kohe, pasi na ka vizituar më përpara. Braktisja e Perëndisë krijon një përshtypje të çuditshme. Kur isha i ri, merresha me pikturë kam frikë se ende, piktori nuk ka vdekur plotësisht tek unë. Kjo dhunti e natyrshme ishte e pranishme brenda meje. Mund të isha i stërmunduar, të mos kisha më fuqi për të punuar, pa frymëzim, megjithatë e dija se kjo dhuratë bënte pjesë në natyrën time. Në të kundërt, kur Perëndia tërhiqet, ndiejmë një lloj shembjeje në qenien tonë; shpirti nuk e di nëse Ai që u largua do të kthehet një ditë. Perëndia është ndryshe, nga natyra e tij. Ai u fsheh, dhe unë mbeta “i zbrazët”; e ndiej këtë zbrazëti si një vdekje. Ardhja e Tij më kishte treguar diçka të ëmbël e të mrekullueshme në zemër, e cila kapërcente fantazinë time më të guximshme. Ndonëse, i zhytur përsëri në gjendjen që më parë më ngjante “normale” dhe e kënaqshme, por që tani më bën të dridhem; e ndiej si tepër kafshërore, tepër shtazarake… Isha futur në pallatin e Mbretit të madh dhe e kisha ditur që isha i afërmi i Tij; por tani sërish jam një endacak i pastrehë. Ndërthurja e gjendjeve tona na lejon të kuptojmë dallimin që ekziston mes dhuntive të natyrshme dhe atyre që zbresin nga mirëdashja prej së larti. Në saje të lutjes për pendim u gjykova i denjë për vizitën e parë të Perëndisë, dhe falë lutjes – edhe më të zjarrtë – shpresoj që kjo ta kthejë Atë. Dhe realisht, Ai vjen.

Shpesh, dhe zakonisht, Ai e ndryshon natyrën e ardhjes së Tij. Kështu, pasurohem vazhdimisht me njohuri të reja për sa i përket Shpirtit. Herë-herë në vuajtje, herë-herë në gëzim, por unë përparoj. Aftësia ime për të qëndruar më gjatë në këtë sferë, e cila më përpara ishte e panjohur, rritet.

Mbaje mendjen të ngulitur fort te Perëndia, dhe do të vijë çasti ku Shpirti i pavdekshëm do të të prekë zemrën. Oh, këtë prekje të të Shenjtit të të shenjtëve s’mund ta krahasojmë me asgjë tjetër. Ajo e gëzon shpirtin në planin e Qenies së pakrijuar. E plagos zemrën nga dashuria, por me një dashuri ndryshe nga ajo që kuptojmë zakonisht me këtë term. Drita e kësaj dashurie shpërndahet në mbarë krijesën, në mbarë gjininë njerëzore në ekzistencën e saj mijëvjeçare. Kjo dashuri bëhet e ndjeshme në zemrën fizike, por nga natyra, ajo është shpirtërore, e pakrijuar, sepse buron prej Perëndisë.

Shpirti Hyjnor, dhuruesi i jetës, na viziton kur mbajmë qëndrim të përulur ndaj tij. Ai nuk e dhunon lirinë tonë. Na rrethon me delikatesë me ngrohtësinë e tij. Na afrohet me kaq takt, sa ne ndoshta mund të mos e vëmë re menjëherë. Nuk duhet të presim që Perëndia të ndërhyjë te ne me dhunë, pa pëlqimin tonë. Jo, Ai e respekton njeriun, përulet para tij. Dashuria e Tij është e përulur. Ai na do, jo përciptazi, por si nëna e dhembshur që do fëmijën e saj të sëmurë. Kur i hapim zemrën, kemi ndjenjën e papërmbajtshme se Ai është “i familjes”, dhe shpirti gjunjëzohet para Tij në një emocion të përulur dashurie.

Dashuria hyjnore, e cila është vula e përjetësisë së gjallë, nuk mund të mos vuajë në këtë botë. Zemrës së zbutur nga asketizmi dhe nga vizita e hirit, nganjëherë i jepet të jetojë – edhe pjesërisht – dashurinë e Krishtit, dashuri që përqafon tërë krijesën me dhembshuri të pafund për gjithçka që ekziston.
Tani, jam i burgosuri i Krishtit, Perëndisë tim. Jam i ndërgjegjshëm se u thirra nga mosqenia në qenie; nga natyra e vet njeriu nuk është asgjë. E megjithëkëtë, ne presim nga Perëndia dhembshuri dhe respekt. Dhe papritur, i Tërëfuqishmi na zbulohet në përulësinë e Tij të papërshkrueshme. Ky vizion e mallëngjen shpirtin, e trondit intelektin dhe padashur, gjunjëzohemi përpara Tij. Por cilado qoftë aspirata që kemi për t’i përngjarë Atij me përulësinë tonë, e shikojmë veten të pazotë për të arritur në të qenit e Tij absolut.

Përulësia e Krishtit është një forcë që triumfon mbi gjithçka. Në kenozën (zbrazjen) e Krishtit dhe në përkujdesjen e Tij ndaj nesh, ajo nuk njeh degradim: e pandryshueshme në esencën e saj, ajo mbetet hyjnisht e madhe. Po të shprehej me fjalë, ajo do të ngjante kontradiktore. Përulësia është atribut i Perëndisë së Dashurisë, i Cili me hapjen e Tij para krijesës, pranon me butësi gjithë plagosjet nga ana e atyre që Ai ka krijuar.

Vizioni i Perëndisë e vendos njeriun në domosdoshmërinë për t’u përcaktuar në lidhje më Të. Në esencën e vet, çdonjëri nga veprimet tona pashmangshmërisht ose do të na afrojë, ose do të na largojë nga Perëndia. Pra, çdo aktivitet duhet të përmbushet me atë që quhet “frikë Perëndie”. Shpirti nuk i trembet vetëm një veprimi me të vërtetë të keq, por edhe një mendimi që mund ta hidhërojë Shpirtin e Shenjtë që ai do. Largësia mes nesh dhe Perëndisë është pashprehimisht e madhe. E konsiderojmë veten si të padenjë për të Shenjtin e të shenjtëve; zemra na thyhet kur ndërgjegjësohemi me dhimbje për varfërinë tonë. Nuk e kuptojmë menjëherë, se tashmë ky fenomen është pikërisht fillimi i afrimit tonë me Perëndinë. Urdhërimi i parë i Lumërimeve – “Lum të varfrit në shpirt” – të çon organikisht në shkallët që vijojnë: te lotët, te butësia, uria dhe etja për drejtësi, te mëshira, pastërtia e zemrës, te perceptimi i parë dhe i gjallë i birësimit tonë hyjnor. Gjithashtu na drejton në një konflikt të mundimshëm me botën e pasioneve, në një ndarje me ata që nuk e kërkojnë Mbretërinë e drejtësisë. Së fundi, na çon në persekutime, në fyerje, në shpifje dhe të tjera si këto. Kur rezistenca e shpirtit të krishterë kundër frymës së kësaj bote arrin kulmin e saj, jeta e dishepullit të Krishtit ngjan me një kryqëzim qoftë edhe mbi një kryq të padukshëm. Kjo periudhë është e frikshme, por në të njëjtën kohë, shpëtimtare: përmes vuajtjeve të brendshme të shpirtit, që shpesh lidhen me fatkeqësi të jashtme, triumfojmë mbi pasionet, çlirohemi nga ndikimi i botës madje dhe nga vdekja. Atëherë fillon ngjashmëria jonë me Krishtin e kryqëzuar.

Mirëpo, edhe pse kemi arritur në këtë stad superior, duhet të ruajmë përulësinë e shpirtit. Vetë përvoja e tregon këtë: që nga momenti kur vetëkënaqësia zëvendëson ndjenjën e “varfërisë”, e gjithë kjo shkallë e ngjitjeve shpirtërore shembet dhe shtëpia jonë lihet e shkretë (shih Matth. 23.38). Perëndia s’është më me ne. Dhe kështu do të jetë për sa kohë që zemra nuk ka gjetur përulësinë dhe nuk ka thirrur me dhimbje drejt Atij. Falë ndërthurjes së këtyre eksperiencave, shpirti arrin të kapë misterin e udhëve të shpëtimit. Dyshon në gjithçka që bie në kundërshtim me përulësinë. Lutja e tij pastrohet. Mendja dhe zemra nuk lihen që të tërhiqen nga asgjë e huaj, nuk dëshirojnë asgjë nëse s’është nga Perëndia. Tek ai që lutet me gjithë qenien e tij, shpërndahet forca e një jete të re, e cila e ngre në shkallë supreme; ai fillon të njohë një mënyrë ekzistence jo më tokësore, por qiellore.

Ekzistenca jonë tokësore kushtëzohet nga koha dhe hapësira. Por çfarë është koha? Mund të jepen përkufizime të ndryshme. Koha është “vendi” i takimit tonë me Krijuesin. Ajo është mjeti i realizimit të planit të Perëndisë mbi krijesën: “Ati im punon deri tani, dhe unë punoj” (Jn. 5.17). Krijimi ende nuk ka përfunduar: “Ecni derisa keni dritën, që të mos ju zërë errësira; sepse ai që ecën në errësirë nuk di se ku shkon. Deri sa keni dritë, t’i besoni dritës, që të bëheni bij të dritës” (Jn. 12.35-36). Te secili nga ne është dhënë një lloj “kohe vetjake”, sigurisht e shkurtër, por e mjaftueshme për të arritur në shpëtim. Ideja krijuese e Perëndisë realizohet në krijesë: “Sepse s’ka punë që të jetë e pamundur për Perëndinë” (shih Lluk. 1.37). Në Golgotha, Zoti tha para se të vdiste: “U krye” (Jn. 19.30). Do të vijë një moment tjetër ku një fjalë e ngjashme do të shqiptohet përsëri; përmendet te Apokalipsi: “Atëherë Engjëlli […] ngriti dorën e djathtë drejt qiellit dhe bëri be për Atë që rron në shekuj të shekujve […] se nuk do të vonohet më” (Apok. 10.5-6).

Për sa kohë jemi në këtë “trup mëkati”, dhe si pasojë edhe në këtë botë, lufta asketike kundër “ligjit të mëkatit”, i cili vepron në mishin tonë, nuk do të reshtë (shih Rom. 6.6; 7.23). Duke e parë veten të paaftë për ta mundur këtë vdekje me përpjekjet tona, dëshpërohemi disi për shpëtimin. Sado e çuditshme që të jetë, është e domosdoshme të jetojmë në këtë gjendje të mundimshme, ta përjetojmë me qindra herë, që të gdhendet thellësisht në vetëdijen tonë. Për ne është e dobishme të kalojmë nga kjo përvojë e ferrit. Kur e mbajmë në vetvete këtë mundim për vite, madje për dekada, ai bëhet përmbajtja e përhershme e shpirtit tonë, një plagë që zgjat në “trupin” e jetës sonë. Vetë Krishti ruajti gjurmët e gozhdëve të kryqëzimit në trup, edhe pas ngjalljes: “Jisui erdhi dhe ndenji në mes, dhe u thotë atyre: ‘Paqe mbi ju!’ […] U tregoi atyre duart, këmbët dhe brinjën e tij” (Jn. 20.19-20).

Duke u nisur nga eksperienca e mundimeve të ferrit duhet të lindë një lutje për tërë gjininë njerëzore si për veten tënde (shih Matth. 22.39). Nga kufijtë e ngushtë të individualitetit tonë, transferojmë në frymë çdonjërën nga gjendjet tona te mbarë njerëzimi. Në këtë mënyrë, secila nga eksperiencat tona bëhet një zbulim i asaj që është përmbushur përgjatë shekujve në gjininë njerëzore, dhe identifikimi ynë shpirtëror bashkë me të bëhet realitet i prekshëm.

Zoti na zbuloi kuptimin e vërtetë të urdhërimeve: “Duaj të afërmin tënd si veten tënde”, në universalitetin e Tij hyjnor. Më përpara, brenda caqeve të Ligjit të Moisiut, ky urdhërim kishte një fushë të ngushtë zbatimi dhe synonte vetëm popullin hebre: “Nuk do të hakmerresh dhe nuk do të mbash mëri ndaj fëmijëve të popullit tënd. Do të duash të afërmin tënd si veten tënde” (Lev. 19.18). Por, Krishti e shtriu këtë dashuri mbi të gjithë njerëzit në shekuj. “Keni dëgjuar se është thënë: Të duash të afërmin tënd dhe t’i kesh mëri armikut tënd. Por unë po ju them juve: Doni armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë ju, bëjuni mirë atyre që ju kanë mëri juve, dhe faluni për ata që ju bëjnë keq e ju ndjekin ju; që të jeni bij të Atit tuaj që është në qiej” (Matth. 5.43-45). Biri i vetëm i Atit tonë qiellor na e ka dhënë këtë njohuri në Shkrimin e Shenjtë me bisedën që pati me një mësues të Ligjit (shih Lluk. 10.27) dhe në jetën tonë përmes Shpirtit të Shenjtë. Ai vetë e ka përmbushur këtë në plotësi, në përsosmëri, në Gjethsemani dhe në Golgotha. Dhe kur ne hyjmë në frymën e këtij urdhërimi, bëhemi të ngjashëm me Perëndinë.

Shumë herë kam qenë i dëshpëruar për paaftësinë time për të qëndruar vazhdimisht në frymën e urdhërimeve të Krishtit. Në këto orë të hidhura, mendoja: «Zoti tha se nuk ishte nga kjo botë (shih Jn. 8.23). Ai zbriti nga qielli (shih Jn. 3.13). Por unë, unë jam tërësisht prej kësaj bote, prej kësaj toke që e shkel me këmbët e mia. Ai, “duke qenë në qiej” nuk u nda nga Ati kur jetonte me ne. Vallë, si është e mundur që unë të jem atje ku Ai është? Ai është i shenjtë, ndërsa unë nuk mund ta shkëpus veten nga “trupi” i Adamit universal, i cili, në rënien e tij, e shndërroi këtë botë në ferr, “e zhyti në të keqen” (shih I Jn. 5.19) ku dhe unë gjithashtu, dergjem tani me të.»

Ç’do të thotë “të mos jesh prej kësaj bote”? Asgjë tjetër veçse “të lindësh që lartazi”. Nuk shikoja kufi në fatkeqësinë time. Të heqësh dorë nga kërkimi për t’u bashkuar me Të, është e pamundur! Ta dënoja veten duke qenë i ndarë nga Drita e Tij, kjo gjë më mbush me tmerr. Mjerë unë që linda në mëkat! Kush do të më shpëtojë nga errësirat e jashtme? Kush do ta transformojë natyrën time që të aftësohet e të jetë pandashmërisht e bashkuar me Atë që është Dritë dhe tek i Cili s’ka aspak terr?

U ngjiza në mëkat. Mora një trashëgimi tejet të rëndë: rënien e Adamit. Rënie kjo që u rëndua gjatë shekujve nga bijtë e tij. Rënie kjo, së cilës i shtoj edhe unë çdo ditë diçka. Vajtoj kur e shoh veten kështu. Dhe kur vajtimet e mia më lodhin, më drejtojnë në pragun e vdekjes dhe, pa pasur ndihmë, gjendem i varur mbi greminën e errësirës; atëherë, në mënyrë të pashpjegueshme, një fllad i lehtë dashurie vjen nga një botë tjetër, e shoqëruar nga Drita. Sigurisht, është një lindje prej së larti, ende jo e plotë, por sidoqoftë është çlirim nga pushteti i errët i vdekjes, agimi i pavdekësisë. Me siguri, një asketizëm i gjatë na pret, me qëllim që dhurata e Perëndisë të zhvillohet tek ne. Dhe kur kjo dhuratë e mrekullueshme fillon të piqet dhe kur aroma e saj depërton në poret e “trupit tonë të mëkatit” (Rom. 6.6), frika e vdekjes na braktis, dhe çlirohemi nga “skllavëria” (shih Hebr. 2.15) e formave të panumërta. Atëherë, në lirinë e shenjtë që kemi gjetur, dëshirojmë të mirën për tërë njerëzit.

Dashuria e Krishtit na frymëzon një lutje dhembshurie për tërë njerëzit; si shpirti dhe trupi marrin pjesë në të. Në këtë lutje, pikëllimet që ndiejmë për mëkatin e vëllait na bëjnë të kungohemi me pasionin çlirimtar të Zotit: “Krishti vuajti për mëkatet tona, i drejti për të padrejtët. […] Krishti vuajti për ne, duke na lënë një shembull, që të ndjekim gjurmët e tij” (I Petr. 3.18; 2.21). Të jesh i kryqëzuar me Të, është dhuratë e Shpirtit të Shenjtë. Ati ynë qiellor gëzohet kur ne hidhërohemi për hapat e gabuar të vëllezërve tanë. Sipas frymës së porosisë “Duaje të afërmin si veten tënde”, duhet të kemi dhembshuri për njëri-tjetrin; është e nevojshme që të krijohet një solidaritet që na bashkon të gjithëve para Faqes së Perëndisë, Krijuesit tonë.

Mundimet që shpirti heq kur lutet për shpëtimin e njerëzve, përmbajnë një potencial gjallërues dhe një gëzim të shenjtë. Karakteri jo më tokësor, por hyj-formues i jetës së krishterë qëndron në faktin se në të bashkohen në mënyrë të mrekullueshme pikëllimi dhe gëzimi, thellësia dhe lartësia, e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja e historisë shumëshekullore e tokës. Sikurse dielli dërgon rrezet e tij në të gjitha drejtimet, duke mbushur gjithë hapësirën me ngrohtësi dhe dritë, kështu drita dhe ngrohtësia e dashurisë së Krishtit kapërcejnë gjithë barrierat dhe e tërheqin shpirtin në pafundësi. Cili poet do të gjejë fjalët e duhura për të shprehur mirënjohjen dhe çudinë tonë për jetën që na u dha? Në të, vdekja transformohet nga ngjallja në jetë të përjetshme: “Ai që do ta humbasë shpirtin e tij për shkakun tim, do ta gjejë atë” (Matth. 16.25). “Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, në mos rëntë kokrra e grurit në dhé e të vdesë, ajo mbetet e vetme; por në vdektë, sjell shumë pemë. Ai që do jetën e tij do ta humbasë; por ai që urren jetën e tij në këtë botë, do ta ruajë për jetë të përjetshme” (Jn. 12.24-25).

Rrugëtimi për të asimiluar zbulesën që iu dha njerëzimit nga lart, na duket i ngadaltë, dhe kjo jo vetëm në betejën asketike të secilit nga ne, por edhe në jetën e njerëzimit, në tërësinë e tij. Ja dy shembuj: 1) Pas zbulesës në Sina – “UNË JAM AI QË JAM” – u deshën pesëmbëdhjetë shekuj që të shfaqej te populli jude një numër i vogël njerëzish, të aftë për të kuptuar përmbushjen e këtyre fjalëve në Dhiatën e Re (shih Matth. 5.17-19); 2) kanë kaluar njëzet shekuj që nga momenti kur, në Dritën e pakrijuar në malin Thavor, pastaj në zbritjen e Shpirtit të Shenjtë në dhomën e sipërme të Sionit, zbulesa e përkryer e Perëndisë si Trini e Shenjtë u dha në botë. Por, a e asimiluan shumë veta këtë? Sa e vështirë është t’i përshtatesh jetës hyjnore! Madje edhe vetë ata që duan ardhjen e Krishtit – të Qengjit të Perëndisë – nuk mund të mbajnë plotësinë e bekimit që u dha mbi ta. Ata që me zell të zjarrtë besimi ngrenë kryqin mbi supe dhe ndjekin Krishtin (shih Matth. 16.24), vuajnë gjatë gjithë jetës së tyre. Ngushëllohen me shpresën se pas largimit nga kjo botë, do të hyjnë në sferën e ndritshme ‘ku është Ai’: “Në më shërben ndonjë, le të më vijë pas; dhe ku të jem unë, atje do të jetë shërbëtori im; dhe në qoftë se më shërben ndonjë, Ati do ta nderojë” (Jn. 12.26).

Sado i zjarrtë të jetë besimi i të krishterit, puna për të “shndërruar trupin tonë të varfër” në “të njëjtin me trupin e Zotit” (shih Fil. 3.21), kërkon për shumë vite luftë asketike, kreshmë dhe lutje pendimi. Në rrugëtimin e gjatë të këtij asketizmi zbulohen dimensionet, deri atëherë të panjohura, të rënies së Adamit. Ky vizion nuk u jepet të gjithëve në të njëjtën masë. Ka raste – sigurisht jo të shpeshta – kur Shpirti Hyjnor e lejon të kalojë atë që pendohet në gremina të pakalueshme për të tjerë.

Besimi në Perëndinë duhet të jetë i lirë nga çdo ngurrim. Nuk më kujtohet asnjë çast kur, gjatë viteve që kalova në Athos, dyshimi të ketë prekur mendjen apo zemrën time. Por kishte edhe momente kur zemra ime, në dhimbje nga një lutje e gjatë, i kthente kurrizin Perëndisë: “Oh, kjo është përmbi fuqitë e mia!”. Megjithatë, çaste të ngjashme patën rrjedhoja jashtëzakonisht pozitive.

Mbi gjithçka dhe më shumë se çdo gjë tjetër, ta duam Krishtin. Sa më e plotë të jetë dashuria, aq më shumë e përjetojmë me dhimbje atë që shkatërron harmoninë. Edhe sikur të zotërosh një eksperiencë të gjatë dhe një njohje të thelluar të “mekanizmit” të këtij lloj tundimi, përsëri me tmerr zbulojmë brenda nesh mundësinë e një rënieje të re. Prandaj, le të lutemi me ngashërim dhe le të thërresim drejt Perëndisë: “Shëromë deri në fund!” Dhe Ai shëron. Atëherë, plot gëzim zemra jonë falënderon Perëndinë; dashuria që deri atëherë ishte dukur e përsosur, rritet në cilësi dhe dyfishohet me një kuptim më të madh për mirësinë e Zotit.

Është veçori e lutjes intensive të tërheqë si zemrën dhe mendjen në një lëvizje drejt përjetësisë, në atë pikë sa e kaluara harrohet dhe mendja çlirohet nga mendimet për të ardhmen tokësore. Shpirti ka vetëm një shqetësim: të mos e humbasë këtë Perëndi, të ndalë së qeni i padenjë për të. Sa më tepër tërheqja jonë drejt të Pafundmit forcohet, aq më shumë përparimi drejt Tij na duket i ngadaltë. Nga njëra anë, ndjenja shtypëse e kotësisë sonë, dhe, nga ana tjetër, soditja e madhështisë së parrëfyeshme të Atij që ne kërkojmë, e bëjnë të pamundur gjykimin e sigurt për situatën tonë reale: po i afrohemi Perëndisë, apo e kundërta, po largohemi prej Tij? Njeriu përparon më shpejt në soditjen e shenjtërisë së Perëndisë, sesa në kapacitetin e tij për të pajtuar jetën e tij me urdhërimin. Nga kjo vjen përshtypja se distanca mes Perëndisë dhe nesh rritet pareshtur. Në kërkimin shkencor, çdo zbulim i ri nxjerr në dritë injorancën tonë të mëparshme dhe, duke mos qenë definitiv, e zgjeron deri diku fushën e së panjohurës që ndodhet para nesh.

Vizioni intelektual i qëllimit mund të na jepet në një çast jashtëzakonisht të shkurtër, pavarësisht moshës sonë, por realizimi i asaj që u parashikua me intuitë mund të kërkojë përpjekjet e një jete të tërë, madje edhe atëherë, pa garancinë e suksesit. Në fushën e shkencës si dhe në atë të artit, ekzistojnë disa pika referuese, të cilat lejojnë të jepet një gjykim; nuk ndodh e njëjta gjë për shpirtin që është tërhequr drejt të Përjetshmit.

E dimë se artisti, sikundër edhe filozofi e shkencëtari, mund të vuajnë realisht në përpjekjen e tyre krijuese, ndonëse objektivat e tyre mund të jenë jo domethënëse për syrin tonë.

Kur mendja e të krishterit në lutje shkëputet nga i Përjetshmi për shkak të mendimeve të këqija, një tmerr- kuptohet shpirtëror – e mbërthen. Ta shohësh veten të skllavëruar në pasione të turpshme, që të zmbrapsin nga Perëndia, kjo të shkakton dhimbje therëse. E prekur nga energjia e dëshpërimit, lutja përqendrohet në brendësi, në bërthamën më intime të qenies sonë dhe merr formën e një “spazme”: i tërë njeriu tkurret në vetvete, mblidhet fort sa një grusht. Lutja bëhet një thirrje pa fjalë. Sa përvojë e mundimshme: ta dish veten të zhytur në gropën e errët të mëkatit, i padenjë për të Shenjtin e të shenjtëve! Nuk ka rrugë tjetër më të lehtë për të mundur pasionet.

Çdo “vepër” e krishterë lidhet medoemos me asketizmin; dashuria, kjo vepër supreme mes të gjithave, kërkon përpjekjen më të madhe. Në realitetin e saj të thellë, jeta e të krishterit qëndron në pasimin e Krishtit: “Po vijmë edhe ne bashkë me ty” (shih Jn. 21.2). Në bazë të kësaj, çdo besimtar përsërit në një shkallë apo në një tjetër udhën e Zotit. Por nuk e ngre me fuqitë e tij kryqin mbi supe për të shkuar në Gjethsemani dhe pastaj në Golgotha, “sepse pa Atë s’mund të bëjmë asgjë” (shih Jn. 15.5). Ata që e morën këtë bekim të frikshëm, kanë përshpejtuar ngjalljen; për shumë të tjerë, është besimi te mëshira e Perëndisë.

Ja vullneti i Atit tonë qiellor për ne: tërë të vdekshmit duhet “të ngrenë kryqin e tyre” për të trashëguar jetën e përjetshme (shih Matth. 16.24-25). Ata që i shmangen ngritjes së kryqit nuk do t’i shpëtojnë skllavërimit të pasioneve dhe do të korrin “prej trupit prishje” (shih Gal. 6.8; Rom. 8.13). Dashuria për Perëndinë dhe për të afërmin që na u urdhërua, lidhet me vuajtje tepër të thella, por dhe një ngushëllim qiellor i shoqëron (shih Mark. 10.29-30): shpirti gjallërohet nga paqja që Zoti u dha dishepujve të Tij para se të ngjitej në Golgotha. Por kur shpirti i njeriut futet në sferën e ndritshme të dashurisë për Perëndinë, Atin tonë, të gjitha vuajtjet harrohen dhe, në një formë të pashpjegueshme, shpirti ndien lumturi të thellë (shih Jn. 12.50; 17.3). Në këtë mënyrë, gruaja, “si të lindë foshnjën, s’kujton më shtrëngim, për gëzimin që lindi një njeri në botë” (Jn. 16.21). Po kështu, edhe më tepër gëzohet i krishteri kur në vetëdije të plotë dhe në emocion të thellë, ndërgjegjësohet për rilindjen e tij më Perëndinë për përjetësinë.

Për besimtarin është e natyrshme të ruajë me rigorozitet të vërtetën e zbulesës që iu dha nga Kisha, aq sa mundet në plotësinë dhe integritetin e saj. Përvoja shumëshekullore e Kishës ka treguar në mënyrë bindëse se çdo devijim nga udha e urdhërimeve ungjillore të largon nga njohja e jetës së përjetshme (shih Jn. 12.50; 17.3). Nuk jemi në gjendje të arrijmë përsosmërinë e urdhërimeve, por ne duhet të tregojmë zellin më të madh; pjesa që mbetet përmbushet nga vetë Ai. Në përpjekjen tonë për të fituar dashurinë e Krishtit, na është dhënë të soditim lartësinë e paarritshme të shenjtërisë së Perëndisë, dhe njëkohësisht, përulësinë e Tij të pamatshme. Fuqia e porosive ungjillore bazohet në faktin se, ato të futin natyrshëm në pafundësinë e Qenies hyjnore. Shpirti gjendet në një mrekullim të lumur përpara Perëndisë; entuziazmohet nga madhështia e Tij e përjetshme; befasohet nga zemërdhembshuria që ka për ne me mishërimin e tij. Në gjithçka, Krishti është mësuesi i tij (shih Matth. 23.8); pa Të, njerëzimi do të humbiste në mënyrë të pashmangshme në errësirat e pafundme të ligësisë së tij. Krishti është drita e botës. Nëpërmjet Tij e vërteta u dëftua; “dhe të gjithë ne morëm nga plotësia e tij, dhe hir mbi hir” (shih Jn. 8.12; 1.16-17).

I përulur “Perëndia u rri kundër mendjemëdhenjve, po të përulurve u jep hir” (I Petr. 5.5). Hiri është jeta e Perëndisë. Ai e jep tek ata që bëjnë të pamundurën për T’i ngjasuar: “Kush të ulë veten e tij, do të lartësohet” (Matth. 23.12). Duke u bazuar në këtë parim të shkencës sonë asketike, vihet re një tendencë drejt vetëpërulësisë, drejt “zvogëlimit ekstrem”, dhe aspak drejt lartësimit kryeneç të vetes. Rruga jonë është ajo e asketizmit apofatik, nëpërmjet një “kenoze” (zbrazje) si ajo e Krishtit, i Cili u përul deri në vdekje mbi kryq (shih Fil. 2.5-9). Sa më poshtë të zbresim, aq më shumë pastrohemi rrënjësisht nga pasojat e rënies krenare të stëratit tonë Adam. Dhe kur zemra jonë është pastruar (shih Matth. 5.8), Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë do të vendosin te ne banesën e tyre, dhe ne do të hyjmë në realitetin e patundur të Mbretërisë së Perëndisë, ku madhështia e pafundme është pandashmërisht e bashkuar me përulësinë dhe butësinë, që edhe këto janë gjithashtu të pafundme.

Mishërimi i Fjalës Perëndi është gjithashtu një kenozë, ontologjikisht e natyrshme për dashurinë hyjnore. Ati zbrazet tërësisht me lindjen e Birit. Biri nuk përvetëson asgjë, por lë gjithçka tek Ati. Për sa i përket kenozës sonë, ajo gjen shprehje kur ne braktisim çdo gjë të shtrenjtë mbi tokë për të zbatuar porosinë: “Nëse dikush do të më pasojë, le të mohojë veten dhe të ngrejë kryqin. […] Kush do në fakt që të shpëtojë jetën do ta humbasë, por kush do ta humbasë për shkakun tim, do ta gjejë” (Matth. 16.24-25). Dhe përsëri: “Kështu pra, gjithsecili prej jush që nuk mohon pasurinë e tij, nuk mund të jetë nxënësi im” (Lluk. 14.33). Kjo është rruga e Perëndisë së gjallë.

Dhe ja, një mësues i Ligjit […], i tha Jisuit për ta vënë në provë: “Mësues, ç’të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme? Edhe ai i tha, ç’është shkruar në ligj; si lexon? Edhe iu përgjigj dhe tha: Të duash Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde dhe me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë fuqinë tënde dhe me gjithë mendjen tënde, edhe të afërmin tënd.” Jisui i tha: U përgjigje drejt; bëj këtë dhe do të rrosh [jetën e përjetshme në Perëndinë]” (shih Lluk. 10.25-27). Pyetjes së mësuesit të ligjit: “Po kush është i afërmi im?”, Zoti iu përgjigj me paravolinë e Samaritanit të mirë, kuptimi thelbësor i së cilës, në atë periudhë, gjendej në planin e porosisë: “Doni armiqtë tuaj, bëjuni mirë […] pa pasur shpresë më; paga juaj do të jetë e shumtë, dhe do të jeni bijtë e të Lartit” (Lluk. 6.35).

Këtë gjendje të shpirtit tonë kur na është dhënë që lartazi hiri për të dashur armiqtë tanë shën Siluani1 e përshkruante si një eksperiencë të përjetësisë hyjnore në kufijtë e kësaj jete. Ai thoshte dhe shkruante: “Ai që nuk i do armiqtë, ende nuk e ka njohur Perëndinë siç duhet ta njohë.”

Për ta karakterizuar këtë hir, do të më lejohej të shtoja këtë: Ai që u ndriçua nga Drita e pakrijuar e Shpirtit të Shenjtë, jeton thellë brenda vetes kalimin “nga vdekja në jetën e amshuar”; krejt natyrshëm, ai ka dhembshuri për tërë ata që u privuan nga kjo e mirë. Duke qenë jashtë vdekjes, ky njeri është çliruar nga frika e fatkeqësive dhe njeh mendimin e Atit për veten e tij: “Ti, biri im, ti je përherë bashkë me mua, dhe gjithë të miat janë të tuat” (Lluk. 15.31). Dhe nëse na u dha gjithçka që zotëron Ati, është e natyrshme për shpirtin të “bëjë gosti dhe të gëzojë”, kur vëllai që ishte i vdekur, kthehet në jetë për të marrë pjesë në lavdinë e paprishshme në Mbretërinë e Perëndisë së gjallë (shih Lluk. 15.32).

Të jesh i krishterë, do të thotë të besosh në ngjalljen e të vdekurve, të shpresosh birësimin nga Ati ynë qiellor, të marrësh trajtën e të qenit hyjnor, të bëhesh përmes dhuratës së dashurisë së Atit ashtu si Ai është nga esenca e tij, d.m.th. një perëndi. Këto janë premtimet që Perëndia, Ati ynë, na bëri ne që besuam në Jisu Krishtin si Biri unik dhe i bashkësubstancshëm me Atin. Është mëkat i madh ta reduktosh zbulesën në lidhje me njeriun – që na u dha në Shpirtin e Shenjtë – ashtu siç u konceptua nga Perëndia para se të krijohej bota. Ndëshkimi i këtij mëkati – të mos besosh në ngjalljen – mban një shenjë të veçantë: duke hedhur poshtë dhuratën e Krijuesit tonë, dënojmë veten. Përse pra ta hedhim poshtë? Para së gjithash, kjo mund të ndodhë, pasi dhurata e Atit fitohet me përpjekje të madhe, me shumë vuajtje. Kjo temë është tepër e gjerë. Kush do të jetë në gjendje t’ua paraqesë qartë njerëzve që kanë nivele të ndryshme ndërgjegjeje dhe të kuptuari? Dhe kush do të mund të përshkruajë në mënyrë të përshtatshme mrekullimin e shpirtit tonë, i cili edhe ai është plotësisht i veçantë, kur Drita e hyjnisë hap përpara nesh udhët e tërurta të Perëndisë së gjallë?

Megjithatë, si mund ta besojmë mundësinë e ngjalljes për amshim pas vdekjes trupore? Gjithçka që përjetojmë duket pikërisht e lidhur me trupin, me perceptimet e tij. Madje edhe mendimin tonë e ndiejmë si vënien në lëvizje të një lloj energjie në materialitetin e trurit dhe zemrës sonë… Nuk u është dhënë të gjithëve të përjetojnë gjendjet e lutjes, gjatë të cilave shpirti çlirohet nga lidhjet materiale, nga kushtet që lidhen me kohën dhe hapësirën. I besojmë shkencës me besim naiv, me gjithë relativitetin e saj të dukshëm. Me synim për të asimiluar zhvillimet e fundit, qysh në vitet e rinisë sonë, kësaj pune i kushtojmë përpjekje shumëvjeçare. Në format e tij më të larta, asketizmi shpirtëror shkon pakrahasimisht më larg se çdo shkencë plotësisht njerëzore, por në fazat e tij fillestare është i thjeshtë dhe madje të sjell gëzim. Le të përpiqemi të shpjegojmë arsyet e vërteta për të cilat njerëzit refuzojnë të ndjekin Krishtin – të Vërtetën.

“Edhe nëse predikohet Krishti se u ngjall së vdekurish, si thonë disa veta ndër ju se nuk ka ngjallje të vdekurish? Edhe nëse nuk ka ngjallje të vdekurish, as Krishti nuk u ngjall. Edhe nëse nuk u ngjall Krishti, pa fjalë predikimi ynë është i kotë, dhe besimi ynë i kotë. […] Në shpresofshim në Krishtin vetëm në këtë jetë, jemi më të mjerët e gjithë njerëzve. […] Përse edhe ne jemi në rrezik në çdo orë? Përditë vdes […]” (I Kor. 15). “Edhe atëherë vijnë tek ai Jakovi dhe Joani, të bijtë e Zevedheut, duke thënë: Mësues, duam të na bësh atë që të kërkojmë. Edhe ai u tha atyre: Ç’doni t’ju bëj unë juve? Edhe ata i thanë: Jepna të rrimë njëri nga e djathta jote, dhe njëri nga e majta jote, në lavdinë tënde. Po Jisui u tha atyre: S’dini se ç’lypni. A mundeni të pini kupën që pi unë, dhe të pagëzoheni me pagëzimin që pagëzohem unë? Edhe ata i thanë: Mundemi. Edhe Jisui u tha atyre: Kupën, që pi unë, do ta pini, dhe me pagëzimin, që pagëzohem unë, do të pagëzoheni?” (Mark. 10.35-39).

“Edhe ai u nda nga ata sa një të hedhur guri, dhe ra në gjunjë e falej, duke thënë: O Atë, nëse do, largoje këtë potir prej meje; veç jo dëshira ime, po jotja le të bëhet. Edhe iu duk një engjëll prej qielli duke i dhënë fuqi atij. Edhe si erdhi në agoni falej më tepër. Edhe djersa e tij u bë si të ngrira pikash gjaku duke rënë mbi dhé” (shih Lluk. 22.42-44).

Çfarë është realisht kjo kupë e Krishtit? Nuk e kuptojmë dot thellësinë e këtij misteri. Në përpjekjen tonë për të ndjekur Krishtin duke ruajtur porositë e Tij, ne pimë vazhdimisht dhe pashmangshmërisht një lloj kupe, por atë që Krishti kishte parasysh, atë që jetonte “në atë orë”, ne nuk e kuptojmë plotësisht. Megjithatë, diçka e ngjashme ndodh padyshim me ne, sikurse e tha ai vetë: “Kupën që unë do të pi, ju do ta pini” (Mark. 10.39). E mistershme është kupa e Krishtit, por edhe kupa jonë, edhe ajo është e fshehtë për sytë e të tjerëve.

“Në shpresofshim në Krishtin vetëm në këtë jetë, jemi më të mjerët e të gjithë njerëzve”, tha Pavli (I Kor. 15.19). Me të vërtetë, kështu është. Po pse është e pashpjegueshme kjo fatkeqësi e lumur për ata që nuk e kanë ndjekur Krishtin? Në përgjithësi, reagimet e frymës së krishterë janë thellësisht të ndryshme përkundrejt gjithçkaje që ndodh rrotull nesh, shpesh edhe diametralisht në kundërshtim me frymën e bijve të kësaj bote. Ja një shembull: Në çastin kur Juda doli nga “dhoma e sipërme” e Sionit për të dorëzuar Zotin në kryqëzim, Ai çeli gojën dhe tha: Tani u lavdërua i Biri i njeriut” (Jn. 13.31). Kështu, gjatë gjithë Ungjillit, konstatojmë se Zoti jetonte në një tjetër plan të qenies, ku të gjitha reagimet kalojnë në një tjetër prizëm. Ai pra që do të depërtojë, në këtë mister, edhe pse pjesërisht, duhet të marrë kryqin e tij mbi supe e të jepet tërësisht në vullnetin e Atit qiellor. Nuk ka shteg tjetër. Aq më tepër që konflikti mes Krishtit dhe botës nuk ka fund.

Kam dashuri të thellë dhe mirënjohje për Kishën, pranë së cilës m’u zbulua hyjnia e Jisu Krishtit dhe ikona e njerëzimit që Ai ka shfaqur. Këtë “ikonë” mund ta shikojmë në formë të reduktuar në jetën e disa personave, po edhe te vetja. Realizimi i saj i plotë i përket jetës së ardhshme, por disa qasje të rralla që iu bënë gjatë historisë ngjallën entuziazmin e shpirtit. Është normale për një të krishterë të ketë etje për t’i ngjasuar Zotit, dhe për të përqafuar botën e dashurisë së Tij siç e përqafoi Ai, e të mos jetë armiku i askujt, njësoj si Ai, d.m.th. të jetë i lirë nga ferri i urrejtjes ndaj cilitdo, në përputhje me urdhërimin e Tij: “Por unë po ju them juve: Doni armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë ju, bëjuni mirë atyre që ju kanë mëri ju, dhe faluni për ata që ju bëjnë keq e ju ndjekin ju; që të bëheni bij të Atit tuaj që është në qiej” (Matth. 5.44-45). Por asnjë nga bijtë e Adamit nuk mund të jetojë kështu me forcat e tij; kjo është e mundur vetëm atëherë ku Fryma e Shenjtë mbush zemrën e njeriut me përjetësinë që për të është e pandarë. Pa Shpirtin e Shenjtë, s’mund të ruajmë urdhërimet e Perëndisë (shih Jn. 15.5)

Po, etja për t’u bërë i ngjashëm me Zotin është e natyrshme për të krishterin. Ndonëse, “e ngushtë është dera dhe e shtrënguar udha” që të çon në jetën hyjnore (shih Matth. 7.14). Për të shpëtuar nga lëkura e panevojshme, gjarpri heq lëkurën duke kaluar nga plasaritje të vogla; po kështu, për të shpëtuar, çdo njeri duhet të kapërcejë një “portë” shumë të ngushtë që të zhvishet nga “tunika prej lëkure”, që veshi me rënien (Gjen. 3.21).

Ai që tha: “Unë jam Udha, e Vërteta dhe jeta” (Jn. 14.6) na dha këtë urdhërim: “Në ardhtë ndonjë tek unë dhe nuk mërzit të atin e të ëmën e gruan e djemtë e vëllezërit e motrat, po edhe shpirtin e tij, nuk mund të jetë nxënësi im. Edhe ai që nuk mban në krahë kryqin e tij e s’vjen pas meje nuk mund të jetë nxënësi im” (Lluk. 14.26-27,33; shih Matth. 16.24-25). Sipas këtyre fjalëve kuptojmë se “kush është Ai” (shih Matth. 21.10). Në qoftë se në qenien e tij hipostatike Krishti nuk do të ishte i bashkësubstancshëm me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë, nëse nuk do të ishte Perëndi i shfaqur në mishin tonë, por vetëm një qenie e krijuar e ngjashme me ne, atëherë, ontologjikisht, ide të tilla nuk do t’i vinin në mendje. Nëse Jisu Krishti nuk do të ishte Perëndi nga vetë natyra e Tij, do të mjaftonte nga ky urdhërim i vetëm që gjithë pjesa tjetër e Ungjillit të bëhej e papranueshme. Përvoja dymijëvjeçare e Kishës konfirmon në mënyrë të pandryshueshme “misterin e madh të besimit: Perëndia u shfaq në mish, u vërtetua nga Shpirti” (shih I Tim. 3.16). Duke e pranuar me anë të besimit si Zot i përjetshëm, Krishti u bë për ne Drita e përjetësisë; fjalët e Tij na hapin thellësitë e papërfytyrueshme të Qenies hyjnore.

Në Providencën e Tij të pamasë, Perëndia më lejoi të ulesha në këmbët e Siluanit, te ky i zgjedhur i të Shumëlartit. Duke ndjekur me përkushtim asketizmin e tij, duke dëgjuar me etje mësimdhëniet e tij, unë, më i parëndësishmi i njerëzve, munda të takoja misterin e udhës që të çon në shpëtim. Në fund të ditëve të mia, marr riskun të zbuloj atë që më përpara e fshihja me fanatizëm. Këtu flas në limitet dhe format në të cilat m’u dha të jetoja Perëndinë.

Do t’ju tregoj në faqet e tjera të librit hapin tim të tmerrshëm e të gabuar: largimin tim të vullnetshëm dhe kryelartë nga zbulesa që na u dha më Krishtin. Por Ati – i bekuar qoftë emri i Tij përjetë – më zbuloi Birin e Tij në Dritën që nuk perëndon dhe prej aty, më dha të ndieja mëkatin tim me një intensitet të tillë, saqë vajtova për dekada, me fytyrën përdhé, në dëshpërimin që më shkaktoi poshtërsia ime. Largimi im nga Perëndia m’u paraqit si një neveri skëterrë dhe ndieja thellësisht turp për veten. U bëra i ndyrë në sytë e mi. E përçmoja veten, dhe përçmimi im gjeti një shok udhe: urrejtjen. Nuk dua të them që urreja atin dhe nënën time, apo të afërmit dhe miqtë e mi. Mjaftonte sprova e urrejtjes për veten. Në një farë mënyre, nuk i mendoja të tjerët. Malli im për Perëndinë më shkaktonte një dhimbje të atillë, sa harroja çdo gjë tjetër, duke qëndruar i vetëm, ballë për ballë më Atë. Nuk e di nëse Zoti ma ka falur plotësisht mëkatin, por unë nuk mund t’ia fal vetes atë që bëra. Me tragjedinë time personale jetoja atë të stëratit Adam në trashëgiminë që u përçua gjatë shekujve, nga brezi në brez, te banorët e tokës. Pikërisht përmes kësaj udhe erdhi lutja për mbarë botën.

Jetoja spontanisht, pa u përpjekur të analizoja atë çka ndodhte me mua. Nuk isha i prirë të vëzhgoja veten time. Braktisesha thjesht në fuqinë e Perëndisë, i Cili derdhej mbi mua. Por s’guxoja të mendoja se ishte Ai që lutej brenda meje; e ndieja këtë forcë sikur të ishte e imja. Vetëm atëherë kur flaka e pendimit u tërhoq nga unë, kuptova se ishte Krishti që më kishte dhënë bekimin t’i afrohesha Atij.

Vetëm Perëndia, dhuruesi i gjithë të mirave, njeh realisht se në cilën masë shpërndau tek unë gëzimin për të njohur dashurinë e Tij. Falë shën Siluanit, sytë e mi shpirtërorë u hapën dhe unë zbulova se urdhërimi i Krishtit – të duash Perëndinë deri në urrejtjen e vetes – na zbulon ligjin e dashurisë hyjnore, të dashurisë me të cilën Ai vetë na ka dashur.

Nëse porositë e Krishtit, për të dashur Perëndinë me gjithë qenien dhe të afërmin si veten do të vinin nga ndonjë profet, nga një njeri i zakonshëm sipas natyrës së tij të krijuar, këto do të privoheshin nga kuptimi që ne kërkojmë. Por ne i morëm nga Perëndia, Krijuesi i të gjitha gjërave. E dimë se këto urdhërime janë një vetëzbulim i Perëndisë për ne. Mund t’i zbatojmë vetëm me këtë kusht, që “të zhvishemi nga njeriu i vjetër” (shih Kol. 3.9) dhe “të veshim Njeriun e ri” (Ef. 4.24), Krishtin, që zbriti nga qielli (shih I Kor. 15.47). Kur jetojmë në frymën e urdhëresave ungjillore, hyjnizohemi, sepse jeta e përjetshme depërton përbrenda nesh. Ai na ka urdhëruar të duam. Pra dashuria e unifikon qenien. Plotësia e dashurisë na drejton në atë pikë, sa të duam deri në harrim të vetes. “Deri në harrim të vetes”, d.m.th. deri në urrejtjen e vetes.

Kur dikush lutet me intensitet, përmbajtja e jetës së tij i ngjan një oqeani të pakufishëm uji të gjallë. Shpirti ynë pasurohet pafundësisht, jo aq nga përftimi i fjalëve dhe i koncepteve të reja, sa nga thellimi i eksperiencave tashmë të përjetuara dhe të asimiluara. Për sa u fol më sipër, jam përpjekur të jap disa shembuj të luftës asketike, njëkohësisht të hollësishme e të thellë, kundër pasioneve që na vrasin. Për vite me radhë – madje për dekada – lëkundemi mes vuajtjes dhe ngushëllimit që vjen nga lart; këto lëkundje e edukojnë shpirtin, e bëjnë më të aftë për forma të reja mendimi dhe perceptimi të qenies në përgjithësi. Mendja mësohet të mendojë, edhe pa e parë, për botën e tërë. Për sa i përket zemrës, ajo e mban në vetvete – falë lutjes dhe me dhimbjen e dashurisë – këtë botë në tërësinë e saj. Në një akt të tillë sinteze shpirtërore, lutja e të krishterit arrin pjekurinë e saj, kur ai qëndron para Perëndisë me gjithë mendjen dhe zemrën e tij (shih Lluk. 10.27), kur të dyja janë të lidhura ngushtë. Duke qenë e pamundur për ta shprehur me fjalë atë që mban në vetvete, asketi lutet shpesh edhe pa fjalë, por me vetëdijen globale të gjithçkaje që njeh; ai mund të jetë krejtësisht i thithur nga Perëndia sa harron edhe tokën. Në këtë përshkrim, që në pamje të parë ngjan i copëtuar, të mekanizmave të jetës së mendjes njerë zore, folëm për kalimin progresiv nga forma individuale e ekzistencës në mënyrën e të qenit hipostatik (personal) në Perëndinë. Është e pamundur të japësh një përshkrim analitik dhe sistematik të ngjitjes drejt kësaj jete. Këtë nuk e gjejmë as te veprat e Etërve të mëdhenj të Kishës. Një sistemim racional i këtij materiali është i mundshëm deri në një farë shkalle në veprat e teologjisë akademike, por kurrë dhe në asnjë trajtë tjetër në fjalët e gjalla që shtjellojnë jetën e vërtetë të shpirtit tonë.

Lavdia e Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, qoftë e pandryshueshme përjetë!

————-

1. Murg rus i malit Athos (1866-1938), atë shpirtëror i arkimandrit Sofronit; u kanonizua më 1987 nga Patriarkana Ekumenike e Konstandinopojës.