Shërbesa e Varrimit

    Në Kishën Orthodhokse, shërbesa e Varrimit, ndonëse nuk është konsideruar në mënyrë specifike një mister, prapëseprapë bën pjesë në ritet e veçanta liturgjike të Popullit të Perëndisë. Ne tashmë e kemi përmendur, që Kisha ka një shërbesë të veçantë misterore për shenjtërimin e vuajtjes njerëzore dhe lutje të veçanta për ndarjen e shpirtit nga trupi gjatë vdekjes. Kur një person vdes, Kisha bën një vigjilje të veçantë mbi trupin e pajetë, që tradicionalisht quhet parastasis ose panikida, që do të thonë një “roje” ose një “vigjilje” tërë natën. Roja apo vigjilja funerale ka formën bazë të Mëngjezores. Ajo fillon me Himnin Trishenjtor dhe me këndimin e Psalmit 91, pasuar nga Litania e Madhe për të vdekurin. Në vend të Perëndia është Zoti thuhet Aliluia, ashtu si gjatë Kreshmës së Madhe, pastaj tropari funeral.

   Përlëshorja dhe shkurtorja e të vdekurit, si edhe këndimet e tjera të vigjiljes funerale, flasin për tragjedinë e vdekjes dhe për mëshirën e Perëndisë dhe luten që Perëndia t’i japë jetën e amëshuar personit që ka “fjetur”. Pastaj këndohet mbi të vdekurin Psalmi 118 në Tingullin Tërthor II, që është një ikonë verbale e njeriut të drejtë që ka besim total në Perëndinë dhe devocion e dashuri për Ligjin e Tij Hyjnor – ikona verbale e Jisu Krishtit. Ky është i njëjti psalm që këndohet mbi varrin e Krishtit gjatë të Premtes së Zezë. Ky psalm tregon fitoren e jetës së drejtë mbi ligësinë dhe vdekjen.

    Shpirti im dëshiron me mall gjykimet e Tua përherë. Duart e Tua më bënë dhe më formuan, bëmë të mençëm dhe do të mësoj porosit e Tua. Prire zemrën time të zbatojë porositë e Tua në jetë për shpërblim. Dëgjo zërin tim o Zot pas mëshirës sate, bëmë të rroj sipas porosisë sate. Shpirti im do të rrojë e do të lavdërojë dhe gjykimet e Tua do të më ndihmojnë.

    I gjithë ky psalm, si dhe vargjet e lutjet që e shoqërojnë atë, himnet e shërbesës dhe këngët e veçanta funerale të Shën Joan Damaskinit, janë një meditim rreth jetës dhe vdekjes. Ato janë, në kontekstin e jetës së re të Krishtit të Ngjallur, i cili mbretëron në Kishë, një leksion serioz për ata që janë të pandjeshëm nga tragjedia e plotë e mëkatit, “paga” e të cilit është vdekja. Mbas Psalmit 118, i cili këndohet në tre stanca me litani dhe lutje ndërmjet tyre, këndohen Bekimtoret. Mbas Bekimtoreve psaltët këndojnë troparet e Shën Joan Damaskinit.

    Shpeshherë, disa njerëz e kritikojnë vigjiljen funerale, për të ashtuquajturën trishtim të saj; ata thonë që duhet të ketë më shumë fjalë rreth ngjalljes dhe jetës. Por vigjilja funerale nuk është “fjala e fundit” e Kishës për vdekjen. Ajo është thjesht soditja solemne mbi karakterin tragjik të vdekjes, realitetin dhe pushtetin e saj të shëmtuar, si edhe atë të mëkatit dhe të largimit nga Perëndia. Të paturit parasysh e këtyre fakteve, që veçanërisht në kohën moderne pothuaj mungojnë fare, është kushti i domosdoshëm për kuptimin e plotë dhe kremtimin e ngjalljes fitimtare të Krishtit dhe të dhuratës së tij, që ai i dha njerëzimit, jetën e përjetshme. Pa një përgatitje të tillë medituese, Ungjilli i Krishterë i Jetës, zor se mund të kuptohet. Nuk është ironi që pikërisht, Shën Joan Damaskini, i cili shkroi kanonin e gëzueshëm që këndohet në Kishë Natën e Pashkës, është gjithashtu autori i këngëve kishtare të vdekjes. Këto këngë janë me të vërtetë të forta në seriozitetin dhe pakompromisshmërinë e tyre dhe gjithashtu flasin hapur rreth faktit të paevitueshëm të destinimit tragjik të ekzistencës të njerëzimit të rënë.

    Cili gëzim i jetës mbetet i papërzier me hidhërim? Cila lavdi qëndron mbi dhe e pandryshuar? Të gjitha janë më të dobëta se hija, të gjitha janë më të rreme se ëndërrat; një çast dhe të gjitha këto i zëvëndëson vdekja. Por te drita e fytyrës sate dhe te ëmbëlsia e bukurisë sate, o Krisht, prehe këtë që e zgjodhe, si njeridashës. Qaj e vajtoj, kur shkoj ndër mend vdekjen dhe shoh bukurinë tonë të formuar pas ikonës së Perëndisë, të shtrirë në varr, të shëmtuar, pa rëndësi, pa formë. O çudi! Ç’është ky mister që ndodh me ne? Si iu dorëzuam prishjes dhe si u bashkuam me vdekjen? Me të vërtetë, siç është shkruar pas urdhërit të Perëndisë, i cili i fal prehjen atij që u nda prej nesh (Troparet Funerale).

    Mbas tropareve funerale këndohet Apostulli (Thesalonikasit 4:13-17) dhe Ungjilli (Joani 5:24-30). Zakonisht, mbahet një predikim i shkurtër dhe bëhet përlëshimi, mbasi i jepet të vdekurit “përshëndoshja e fundit”, kjo e shoqëruar me këngën e fundit funerale: “I përjetshëm kujtimi”Këtu duhet sqaruar se kjo këngë, në kundështim me kuptimin e zakonshëm të saj, është një lutje që Perëndia ta kujtojë të vdekurin, sepse në Shkrimin e Shenjtë është pikërisht “kujtimi i përjetshëm” i Perëndisë, që e mban njeriun të gjallë. Sheoli ose Hadhi, mbretëria biblike e vdekjes, e quajtur gjithashtu Abaddon, është vendi i harruar prej Perëndisë. Eshtë gjendja e jo-jetës, meqenëse në një gjendje të tillë askush nuk mund të lavdërojë Zotin; dhe lavdërimi i Zotit është e vetmja përmbajtje dhe i vetmi qëllim i jetës së njeriut; është arsyeja e vërtetë për ekzistencën e tij. Prandaj, ky himn i fundit dhe më i famshmi i funeralit orthodhoks, është lutja që i ndari të jetë i gjallë përjetësisht në “pushimin e përjetshëm” të “kujtimit të përjetshëm” të Perëndisë – e gjitha kjo, u bë e mundur me ngjalljen e Jisu Krishtit, i cili është shkatërruesi i Pusit të Vdekjes me anë të shkëlqimit të Jetës dhe Drejtësisë Hyjnore (shih Psalmi 87; Hosea 13:14; 1 Korinthianët 15; Efesianët 4:9; Filipianët 2:5-11; 1 Pietri 3).

    Vigjilja e të vdekurit, normalisht, duhet të përmbushet në Meshën Hyjnore, ku besnikët takojnë Zotin e Ngjallur dhe të gjithë ata që janë të gjallë me Atë, në lavdinë e Mbretërisë të Tij të Jetës. Fakti që vigjilja funerale, gjatë viteve të fundit e ka humbur karakterin e saj përgatitor dhe është shndërruar thjesht në një shërbesë funerale në vete, ndarë nga Liturgjia eukaristike, është një fakt i trishtuar, i cili nuk e lejon vlerësimin e duhur të vetë vigjiljes dhe as vizionin e plotë të krishterë rreth kuptimit të jetës, vdekjes dhe ngjalljes në Krishtin, në Kishën dhe në Mbretërinë e Perëndisë. Fakti që Liturgjia Hyjnore, kur kryhet me vigjiljen funerale, shërbehet para asaj dhe është bërë diçka e trishtuar, e kthyer në një “meshë përshpirtjeje” ofruar “në emër të të vdekurit”, është gjithashtu një inovacion i shekujve të fundit, nën influencën e Katolikëve, që e shtrembëron kuptimin dhe përvojën e krishterë të vdekjes në Krishtin.
______________________
* Këtu përshkruhet Shërbesa e Varrimit sipas ritit të vjetër. Në vitin 1888, me botimin e “Uratores” së Re, Patriarkana e Stambollit e ndryshoi pak këtë rit. Nuk bëhen më vigjiljet dhe shërbesa bëhet e shkëputur nga Mesha Hyjnore. Këtë rit të ndryshuar kryen edhe Kisha në Shqipëri, Greqi dhe në disa vende të tjera, ndërsa pjesa më e madhe e Kishave sllave ndjekin ritin e vjetër.

Në Kishën tonë, kur vdes ndonjë orthodhoks, prifti bën një trishenjtor (trisaji) mbi trupin e të vdekurit (në shtëpinë e të vdekurit). Pastaj, të vdekurin e sjellin në kishë dhe shërbesa kryesore bëhet atje. Mbas “E bekuar është Perëndia…”, psalet Psalmi 118 në tri stanza, pastaj Bekimtoret, litania e vogël dhe troparet e Shën Joan Damaskinit. Pastaj Apostulli dhe Ungjilli, pasuar nga një litani dhe lutje për shpirtin e të vdekurit. Pastaj të vdekurit i jepet përshëndoshja e fundit dhe në fund prifti bën përlëshimin. Pastaj e shpien të vdekurin ta varrosin, duke psalur gjatë rrugës “Shenjt Perëndi…”. Kur vihet trupi në varr prifti hedh një grusht dhé, duke thënë “I Zotit është dheu…” dhe pastaj derdh mbi trupin e të vdekurit vaj ose verë, ose hirin e temjanicës. Varrimi i foshnjave ka pak ndryshime.