Në mënyrë të përsëritur këto ditë në organe të ndryshme të shtypit shqiptar po formulohen disa akuza të pabaza dhe që nuk gjejnë mbështetje tek realiteti në adresë të Primatit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturisë së tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit. Këto akuza që nuk janë aspak një gjetje e re, por herë pas here shfaqen në aktualitet si një thirrje e dëshpëruar për të mbjellë urrejtje, duke pretenduar sikur po “zbulojnë” plane sekrete dhe komplote pafund. Dhe ata që në gjumë apo edhe me sy të hapur shikojnë vetëm ëndrra me armiq dhe me diversantë tashmë kanë gjetur një punë të re, të hedhin baltë sa më shumë që të mundin mbi Kishën Orthodhokse, dhe Primatin e saj. Nuk “harrohen” nga ata edhe ata klerikë e personalitete që kanë dalë hapur publikisht dhe po mbrojnë të vërtetën me shkrime jo anonime apo pseudonime, por duke u rreshtuar pa frikë në krah të Kryepiskopit të tyre, për të thënë jo ndonjë gjë të madhe, apo për të bërë retorikë boshe, siç është kthyer në modë kohët e fundit, por për të dëshmuar atë që ata dinë e kanë parë.
    Kjo është puna jonë: të themi dhe të shpallim gjithmonë e pa pushim të vërtetën, ky është misioni ynë dhe në qoftë se doni ta ndihmoni këtë mision, pra misionin e klerikut dhe të fesë, të paktën respektoni atë që themi dhe është në dorë të lirisë që dispononi si qenie me arsye që t’i besoni këto gjëra apo jo.
    Në fakt, nëse duam të rreshtojmë disa të vërteta që ndoshta na vjen hidhur kur i dëgjojmë, sepse e vërteta edhe të shkakton dhimbje. Në këtë kontekst duhet të themi me keqardhje, se këto vite që kemi kaluar nuk na kanë shërbyer për t’u shëruar nga disa sëmundje sociale që na rëndojnë të gjithëve në shoqërinë demokratike që po mundohemi të ndërtojmë
    Në shkrimet e fundit vëmë re sërish atë frymën e vjetër të akuzave të njëpasnjëshme, të akuzave bajate, që herë-herë kthehen edhe në komedi. E përpos kësaj shikon me keqardhje se as mentaliteti s’ka ndryshuar, madje edhe përdorimi i termave të vjetër të jep përshtypjen sikur po lexon artikuj që janë botuar dikur, para viteve ‘90. Ndoshta do të na duhet më shumë kohë për të marrë veten e për të superuar traumat psiko-sociale që regjimi i vjetër na la pas. E kjo është edhe një thirrje për ne klerikët që të fuqizojmë përpjekjet tona në këtë përpjekje të përbashkët autoterapie.
    Pikërisht në këtë tranzicion mendimesh e vlerash shfaqen zëra të lodhur nga bërtitja dhe formulojnë akuza të ngjirura, duke u përpjekur me doemos t’u japim një pompozitet fals shkrimeve të tyre për t’i bërë ato të duken si fletë-rrufetë e vjetra dhe që përpos zhurmës, nuk kanë asnjë qëllim tjetër. Këto ishin edhe ndjenjat dhe përshtypjet që na shkaktoi vala e fundit e artikujve në shtyp, tek e cila nuk vumë re jo vetëm sinqeritet e profesionalizëm, por as edhe qetësi e gjakftohtësi. Të akuzosh një komunitet të tërë, krerët dhe klerikët e tij, që po bëjnë veprimtari antikombëtare, ndërkohë që dihet mirë kontributi historik i këtij komuniteti dhe i Primatit të tij, do të thotë të flasësh në erë. E pikërisht kjo erë kërcënon që t’i marrë këto fjalë, pasi pa pasur asnjë themel argumentesh reale zor se dëgjohen më nga veshët e lodhur të njerëzve, që nuk u bëjnë përshtypje as fletë-rrufetë e vjetra dhe as raportet e fryra me terma që u ka ikur koha.
    Të akuzosh një misionar të madh, atë që sot shihet nga bota orthodhokse si një zë profetik për mbarë krishterimin, si agjent apo gjeneral të forcave pushtuese të huaja, nuk tregon gjë tjetër veçse ngecjen në vite të tjera, ku të gjithë fqinjët tanë apo çdo i huaj shikohej si një rrezik për kombin. Po cili është aktiviteti i tij antikombëtar, mos vallë dhjetëra kishat e manastiret e restauruara e të ndërtuara në gjithë Shqipërinë? A mos ndoshta këto ndërtesa në të ardhmen nuk do t’i ngelen vendit ku për shekuj të tërë do të shërojnë shpirtin me mijëra besimtarë? Mos vallë 136 klerikët shqiptarë të dorëzuar e që predikojnë në shqip fjalën e Zotit e që meshojnë në shqip në të katër anët e vendit? (I ftojmë dyshuesit të bëjnë një vizitë në një kishë orthodhokse, që t’i shikojnë me sytë e tyre këto gjëra, madje nëse zgjedhin Tiranën do të habiten se sa bukur meshon e psal shqip edhe vetë Kryepiskopi Anastas). A mund të na përmendë dikush ndonjë komunitet tjetër që flet më shumë shqip sesa komuniteti orthodhoks? Mos vallë kopshtet e shkollat ku fëmijët dëgjojnë e edukohen me gjuhën e nënës janë përpjekje për asimilim? Apo është krim që këtyre fëmijëve t’u mësosh falas edhe një apo më shumë gjuhë të huaja? Kjo nuk përbën rrezik, çdo gjuhë e huaj është një dritare më shumë për të siguruar të ardhmen e tyre. Ku e shikojnë rrezikun asimilues kritikuesit, tek klinikat e qendrat diagnostikuese, që po krijojnë një rrjet që po shtrihet gjithmonë e më shumë veçanërisht në zonat e thella, ku për vite të tëra kujdesi mjekësor as që ekzistonte? Apo tek rrugët, ujësjellësit, mensat për të varfrit, programet sociale “fshihet” dora pushtuese e armikut? Këto gjëra nuk bindin më askënd dhe humbet e kotë lodhja dhe energjia e akuzuesve, që mund të përdorej për qëllime më dobiprurëse.
    Në vazhdën e të vërtetave të rithëna duhet përmendur edhe një tjetër. Duket se njerëz të caktuar po shqetësohen nga përparimi i Komunitetit Orthodhoks dhe kjo nuk është ndonjë çudi e madhe, pasi një nga sëmundjet më të vjetra të njeriut, që edhe feja përpiqet ta kurojë, është zilia dhe smira. Por interesat pleksen edhe më thellë. Këtu problemi nuk është te rreziku e frika se mos na pushtojnë tokën, këtu frika reale është se po na pushtojnë tokat (kupto pronat). Mund të duket paksa si paradoksale si koncept, por është më se real. Këtu i gjithë sulmi propagandistik bëhet për të penguar Komunitetin Orthodhoks të marrë pronat e tij. Sepse në dëshirën e keqe të njeriut për të rritur në mënyrë abuzive pushtetin e pasurinë, pronat e Komunitetit Orthodhoks, por edhe të komuniteteve të tjera fetare në përgjithësi, shihen si një thelë e majme, e lehtë për t’u gllabëruar. Sepse në këtë rast, mendojnë grabitësit e pronave, ne nuk futemi në konflikt me interesat e një njeriu konkret dhe nuk rrezikojmë nga ndonjë reagim i mundshëm. Ndërsa me komunitetet është ndryshe, asnjë nuk shqetësohet se sa prona marrin apo humbasin ato. Për grabitësit e pronave, të tentosh t’i marrësh pronat një komuniteti është gjëja më e lehtë që mund të bësh pa të hyrë gjemb në këmbë.
    Kjo është të nderuar kritizerë edhe boshti i problemit. Sa herë që duam të ndalojmë organizimin dhe konsolidimin e komuniteteve, sepse pronërrëmbyesit duan që të vonohet sa më shumë ky proces, gjejnë ndonjë akuzë të cilat mund t’ia adresojnë ose të gjithë komunitetit, për të krijuar një klimë antipatie, ose pikërisht atyre njerëzve që me përpjekjet e tyre u bëhen pengesë.
    Kjo gjë po ndodh me Kryepiskopin Anastas, i cili në çdo takim me pushtetarët kërkon pronat, duke shpjeguar se pa prona dhe pasuri Kisha jonë s’ka autoqefali. E njëjta gjë po ndodh me atë Vasil Thomollarin në Përmet, që nuk u bë objekt i propagandës me lutjet që bëri në Kosinë (e këto lutje i tha në shqip), por sulmohej edhe më përpara në shtyp, pasi po mbron me mish e me shpirt, pa llogaritur as pasojat e kërcënimet, kishën e Përmetit, që duan ta kthejnë në “kazino kulture”. Dhe patjetër që në listën e “antikombëtarëve” do të ishte dhe atë Jani Tereziu e atë Dhimitër Kushi, që në shtypin dhe mediat lokale të Vlorës sulmohen për përpjekjet e tyre për kthimin e Manastirit të Zvërnecit si pronë e ligjshme e Komunitetit Orthodhoks. Pra, si shpjegohet që sa herë e aty ku ka konflikte pronësie shtypi “zbulon” skandale antikombëtare? Madje, akuzuesit në mediat e Vlorës shkuan deri aty saqë e shpallën manastirin e Zvërnecit “tokë greke”. Kjo vetëm për të ligështuar klerikët, që të tërhiqeshin nga përpjekja e tyre legjitime për të mbrojtur tokat e Kishës. E ishin pikërisht klerikët e këtij manastiri që dolën në media për të dënuar këto deklarata vërtet antikombëtare. Sepse grabitësit e pronave nuk mund të pranojnë ta humbasin shansin që ishullin e Zvërnecit ta kthejnë në qendër komerciale turistike për interesa meskine përfitimi.
    Ja pra, të dashur akuzues, ky është edhe boshti i vërtetë i kësaj vale të fundit shpifjesh kundër Kishës Orthodhokse, Primatit e klerikëve të saj. Sepse në mendjet e akuzuesve, që vetëm mbushin shkresa e përpilojnë peticione, kjo ide qarkullon si mënyra më efikase për të sulmuar Komunitetin Orthodhoks. Nuk kanë rëndësi faktet, mjaft që të gjenden akuzat. Mentaliteti është gati, i ngarkuar edhe nga propaganda e vjetër; sa herë që të duam të godasim Kishën, mjaft që të nxjerrim kartën e antishqiptarizmës dhe të përpilojmë shkrime pafund. Po kjo mënyrë të nderuar zotërinj nuk do të na ligështojë aspak. Në historinë e saj të gjatë Kisha ka parë përndjekje shumë më të mëdha, ka dëgjuar shpifje edhe më të tmerrshme, e nuk tutet nga këto “stuhi” vere. “Detyra” juaj është të formuloni akuza të pabaza, detyra jonë është t’i përgënjeshtrojmë ato, duke shpallur gjithmonë të vërtetën.
    Do të duhet akoma kohë që ne të shërohemi nga sëmundja e vjetër, e për fat të keq ndoshta disa nuk do të shërohen fare. Le të shpresojmë që e ardhmja do të ruajë për ne dhe brezin që po rritet, mendje më të hapur e frymë më të lirë, që të çliruar nga komplekset e të kaluarës të mund të ndërtojmë një atdhe më të fuqishëm e modern si nga infrastruktura e tij fizike, ashtu edhe nga ajo shpirtërore. E kjo gjë, sado që ta duam nuk bëhet pa misionin fisnik të fesë. Por, që feja ta bëjë punën e saj duhet jo vetëm që ta lëmë të qetë, por edhe ta ndihmojmë me aq mundësi sa disponojmë. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë të shijojmë edhe frytet thellësisht kombëtarë të fesë, që përpiqet për kultivimin spiritual të të gjithë vendit.
Atë Jani Tereziu
Aleks Curi