
Përcjellja e mesazhit të lindjes së Krishtit në familjet e krishtera, është bërë një iniciativë e përvitshme, ku të rinj dhe fëmijë të gëzuar trokasin në dyert e familjeve për t’i lajmëruar se po afrojnë Krishtlindjet dhe duhet të bëhen gati, duke i shtuar kështu edhe më shumë gëzimin kësaj feste.
Edhe këtë vit rreth 45 fëmijë të organizuar nga koordinatorët e Zyrës Kombëtare të Fëmijëve kënduan kolendrat në 30 familje besimtarësh të qytetit. Por ata kënduan kolendrat edhe në Kryepiskopatën e Hirshme, ku patën bekimin të takonin dhe Fortlumturinë e Tij Kryepiskopin Anastas, i cili i priti ata me shumë gëzim. Ai i kërkoi fëmijëve që të vinin në kishë dhe të merrnin pjesë në Liturgjinë Hyjnore dhe të festonim së bashku Krishtlindjet. Kryepiskopi në fund u ndau fëmijëve dhurata me rastin e festës. Ai gjithashtu i pyeti fëmijët: “Çfarë do të bëni me paratë e mbledhura nga kolendrat?” dhe ata iu përgjigjën se do të shkonin në ndihmë të një gruaje të paralizuar, e cila ka pësuar një aksident të rëndë automobilistik kohët e fundit. Në ditën e festës këto para të mbledhura iu dërguan kësaj gruaje si dhuratë për Krishtlindje.

Zërat e gëzuar të fëmijëve u dëgjuan të këndonin kolendrat drejt për drejt edhe në valët e Radios “Ngjallja”, Fm 88.5 Mhz, nëpërmjet së cilës ata lajmëruan ardhjen e Krishtlindjeve edhe tek ato familje të cilat nuk mundën t’i lajmëronin personalisht. Nëpërmjet radios fëmijët përcollën edhe urimet e tyre për të gjithë besimtarët.

Si çdo vit, me një gëzim të madh Fortlumturia priti këta të rinj dhe i kujtoi qëllimin e vërtetë të festës, e cila është të shtojmë edhe më shumë dashurinë për Perëndinë dhe për të afërmin. Ashtu si magët i ofruan tre dhurata simbolike, por mjaft domethënëse Krishtit foshnje, edhe Fortlumturia i dhuroi tre dhurata këtyre të rinjve, të cilat janë mjaft të rëndësishme për gjithë jetën tonë.

Pasi shprehën mirënjohjen dhe falënderimet e tyre për Fortlumturinë, të rinjtë u larguan nga Kryepiskopata me një mendim të ri: “Të jetojmë sipas porosive që Perëndia na urdhëron në Shkrimin e Shenjtë, në mënyrë që çdo ditë shpirti ynë të festojë Krishtlindjen.”
Marina Marini dhe Gabriela Bezhani