NJOFTIM

Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, nën kryesinë e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Imzot Joanit, u mblodh sot, më 28 prill 2026 dhe zgjodhi me vota unanime Arkimandritin Ignat (Todrin) si Episkop të Episkopatës së Shenjtë të Amantias, i cili, sipas Statutit të Kishës, do të jetë anëtar i Sinodit të Shenjtë.

Hirotonisja e Episkopit të sapozgjedhur do të bëhet të dielën, më 3 maj 2026, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë.

* * * *

Jetëshkrim i shkurtër

Episkopi i sapozgjedhur i Amantias, Ignati, lindi më 23 shkurt 1978 në Gradishtë të Divjakës. Formimin e përgjithshëm e kreu në shkollën e Fier-Semanit. Në vitin 1998 ndoqi studimet në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash të Durrësit.

Nga viti 2003 deri në vitin 2017 shërbeu si katekist dhe predikues në qytetet dhe fshatrat e Mitropolisë së Shenjtë të Beratit, Vlorës dhe Kaninës.

Në prill të vitit 2017 ndoqi thirrjen e përkushtimit të plotë monastik dhe u dorëzua murg dhe hierodhjakon nga Mitropoliti i ndjerë i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Imzot Ignati, pranë të cilit shërbeu me devotshmëri dhe përkushtim.

U dorëzua Hieromonak më 12 dhjetor 2024, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Hirësi Asti.

Më 1 qershor 2025 Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan, i dha ofiqin e Arkimandritit.

Gjatë gjithë kësaj periudhe ka shërbyer në detyra dhe përgjegjësi të larta në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë: si Kryesekretar i Sinodit të Shenjtë, përgjegjës i Akademisë Theologjike “Ngjallja e Krishtit” në Manastirin e Shën Vlashit, si dhe përgjegjës i Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.

Përveç gjuhës amtare, flet anglisht, italisht dhe greqisht, ndërsa lexon edhe gjermanisht.

 


Foto Album