Në ambientin e bukur dhe piktoresk të Ardenicës, aty ku ndodhet Manastiri shekullor me të njëjtin emër, e kremtja e “Lindjes së Hyjlindëses Mari” më 8 shtator u përjetua me plot gëzim nga të gjithë të krishterët orthodhoksë të zonës klerikë e laikë. Kjo ditë mban emrin e Hyjlindëses Mari, sepse roli i saj është i rëndësishëm, ajo solli shpëtimin në botë. Në ditën e hijshme të së kremtes, besimtarët thërrasin bashkë me Kryeengjëllin Gabriel: “Gëzohu o Hirplotë, Zoti është me ty, i cili me anën tënde na dhuron përdëllimin e madh”.
               
     Për të gjithë njerëzit historia fillon pas lindjes, për Shën Marinë historia fillon para se ajo të lindte, sepse Perëndia do të shpëtonte botën me anën e Virgjëreshës që lindi Zotin Krisht. Ferra që digjej por që nuk prishej nga zjarri, që pa profeti Moisi; guri që shembi skulpturën e idhujtare, që pa profeti Daniel; dhe porta që nuk u hap, që pa profeti Isaia; të gjitha këto paratregonin Hyjlindësen Mari.
     Pikërisht ditën e kujtimit të Lindjes së Shën Marisë, me bekimin e Mitropolitit të Beratit, Hirësi Ignatit, në këtë manastir u celebrua agripnia kataniktike e festive. Agripnia nisi në orën 2200. Lutjet i hapi shërbesa e Pasdarkës së Vogël pasi u dëgjuan goditjet e talantës së parë. Duke parë pjesëmarrësit e shumtë të ardhur nga zona të ndryshme të Shqipërisë, vëreje fytyra të gëzuara, të gjalla, që me shpresëtari kërkonin bekimin e Perëndisë nëpërmjet Perëndilindëses Mari.
               
     Brenda në kishë dëgjoheshin zërat e psaltëve që himnonin  Perëndinë dhe Nënën e Tij, të gërshetuar dhe harmonizuar bukur e njëzëri me zërat e besimtarëve. Pasi u dëgjua trokitja e dytë e talantës nisi Shërbesa e Mbrëmësores me himnet e saj. Pas trokitjes së tretë të talantës filloi Shërbesa e Mëngjesores, në të cilën u krye edhe shërbesa e Orëve.
     Të nesërmen, sipas traditës, u celebrua Liturgjia Hyjnore me pjesëmarrjen e shumë besimtarëve. Mesazhi kryesor i predikimit të  Ungjillit nga Mitropoliti Ignat ishte: “Fjalës së Perëndisë nuk duhet  t’i vendosim një kapak të shenjtë prej argjendi, prej ari dhe ta vëmë në kornizë por ta vemi në altarin e shpirtit tonë, të zemrës sonë, ta bëjmë jetesë dhe ta ruajmë duke përmendur emrin e Zotit se mos na i marrë i ligu, ta kultivojmë si fara, ta bëjmë praktikë dhe atëherë ka vlerë dhe atëherë jemi të denjë për lumërimet e Perëndisë.
               
     Le të imitojmë të Tërëshenjtën Mari, e cila e mbante Fjalën e Perëndisë në zemrën e saj, duke e zbatuar me përulësi”. Gjithashtu ai tha se Shën Maria është si një shkallë që nis në tokë dhe vazhdon deri në qiell. Është dera që shkojmë në Parajsë tek Perëndia. Jemi të lumtur që kemi Hyjlindësen shkallë për tu ngjitur në qiell. Ajo ishte njeri si ne, vuajti për ne dhe u provua e mbeti flori i pastër, i shkëlqyer siç i takon të jetë Nëna e Perëndisë. E kemi ndërmjetëse të gëzimeve dhe hidhërimeve tona.
     Ajo është nëna e Perëndisë sonë, por edhe nëna  jonë. Duhet të ndërgjegjësohemi që të qëndrojmë para Perëndisë me frikë, me besë dhe me heshtje, duke nderuar çuditë e mëdha të Shën Marisë. Që të ndiejmë hirin e Perëndisë dhe gëzimin që solli shpëtimi i Perëndisë.
               
     Liturgjia vazhdoi dhe me pjesën më kulminante të saj, me momentin e kungimit, në të cilën edhe u kunguan shumë besimtarë duke u bërë pjesëtarë të Darkës Mistike të Zotit. Pas përfundimit të Liturgjisë Hyjnore dëgjoheshin zërat plot hare dhe gëzim duke uruar: “Për shumë vjet, Gëzuar”.
     Harallamb Meci