Edhe këtë vit fëmijët e kryeqytetit u mblodhën së bashku dhe shkuan në disa familje besimtarësh tiranase për t’iu lajmëruar atyre ardhjen e festës së Krishtlindjes, nëpërmjet kolendrave (këngëve tradicionale) dhe vizitave të tyre ngazëlluese.
   
    Ata duke trokitur në çdo derë, këndonin  këngët tradicionale dhe të reja krishtlindjesh, ku me zërin e tyre të ëmbël dhe melodioz ndanë me familjet tiranase gëzimin e kësaj feste. Ata vizituan 35 familje, Mensën e Kishës sonë për të varfrit si edhe Kryepiskopatën.
    Mbresëlënëse ishte dhe vizita e tyre në radion “Ngjalla” ku drejtpërsëdrejti në valët 88.5 MHz ata lajmëruan të gjithë dëgjuesit për ardhjen e festës së Krishtlindjes.
   
    Në një intervistë të shkurtër, fëmijët shprehën gëzimin dhe kënaqësinë që kishin ndjerë nga mikpritja e besimtarëve. Në fund të emisionit fëmijët u larguan duke dhënë urimin e tyre për të gjithë njerëzit: “Krishti lindi! Lavdërojeni Atë!”
    Në fund të vizitave të ardhurat që fëmijët mblodhën nga besimtarët vendosën që t’ua shpërndanin të varfërve”.

    
Gabriela Bezhani