Tirana këto ditë është e mbushur me shumë drita dhe ngjyra festive. Të gjithë njerëzit lëvizin nëpër bulevardet dhe rrugicat e kryeqytetit, duke u përgatitur për të festuar sa më mire me familjet e tyre këtë periudhë Krishtlindjesh dhe Vitin e Ri 2007.
   Si për ta bërë edhe më të bukur atmosferën, të rinjtë e Kishës Orthodhoksë të Shqipërisë organizuan pasditen e 26 dhjetorit në një nga sallat e Muzeut Historik Kombëtar, festivalin e këngëve të krishtera dhe këngëve e valleve tradicionale shqiptare. Ky ishte festivali i nëntë në radhë, duke e kthyer në një traditë të pasur aktivitetin kombëtar të fundvitit.
    Të parët që u ngjitën në skenë ishin fëmijët e shkollës 9-vjeçare shqiptaro-amerikane “Protagonistët”. U duartrokitën fort nga të gjithë të pranishmit, sepse në sytë e tyre gjithkush shikon të ardhmen e Shqipërisë. Më pas dy prezantuesit e festivalit, anëtarë të Rinisë Orthodhokse të Tiranës, Vasil Koço dhe Ina Gjata thanë para të pranishmëve:

    “9 vjet më parë në këtë qytet nisi rrugëtimin një eveniment i bukur rinor. Tani mund ta quajmë edhe tradicional, por në skenë gjithmonë do të shikoni fytyra të reja, do të përjetoni entuziazmin dhe zellin e rinisë së Krishtit. Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por shprese dhe dashurie. Ky varg biblik është një ndër porositë që Kryepiskopi ynë i dashur dhe i respektuar, imzot Anastasi, na e rikujton çdo herë kudo që jemi. Por ai nuk është vetëm një këshillues shpirtëror për ne të rinjtë, por është frymëzim i të gjithë besimtarëve për një jetë pranë Perëndisë.
    Nuk do të mjaftonte koha që kemi në dispozicion për të shprehur mirënjohjen dhe falënderimet tona për bariun e Kishës sonë, që ka dhënë gjithë energjitë e tij për të ndërtuar jo vetëm Kishën si objekt, por edhe Kishën në zemrat tona. Faleminderit Fortlumturi për gjithçka që keni bërë për ne”.                                    

    Me këto fjalë prezantuesit falënderuan Kryepiskopin Anastas, i cili ishte i pranishëm në këtë festival, duke e ndjekur atë me vëmendje dhe dashuri. Krishtlindja është festa e të gjithëve. Krishti erdhi në këtë botë për të na dhënë besim, shpresë dhe dashuri. Gjithashtu, Krishtlindja është shpirti i dhuratave. Gjatë kësaj feste të gjithë njerëzit përpiqen të ofrojnë diçka për të afërmit e tyre, ndërsa Krishti kërkon vetëm një dhuratë të vogël, ta bëjmë zemrën tonë grazhd për atë.
    Për të bërë një dhuratë të veçantë për të gjithë të pranishmit, 11 grupe të përzgjedhura rinore nga të katër dioqezat kishtare të Shqipërisë e gjallëruan edhe më shumë këtë atmosferë, duke kënduar këngë të krishtera dhe duke paraqitur këngë e valle tradicionale nga trevat që ata përfaqësojnë. Në këtë skenë u ngjitën grupet rinore nga Vlora, Tirana, Gjinari, Durrësi, Kavaja, Gramshi, Fikasi, Prespa, Berati, Vlora, Gjirokastra dhe Këlcyra.

    Posaçërisht për të vlerësuar këto grupe ishte ngritur një juri e përbërë nga klerikë, muzikantë dhe pjesëtarë të Rinisë Orthodhokse, e udhëhequr nga znj. Konstandina Luis. Për rreth dy orë grupet rinore u paraqitën me dinjitet, duke e bërë të këndshme atmosferën dhe duke marrë shumë duartrokitje nga spektatorët. Pas prezantimit të grupeve, festivalin e përshëndeti edhe Kryepiskopi Anastas, i cili i përgëzoi grupet rinore për nivelin e lartë.
    “Çmimin e parë – tha Kryepiskopi – e mori auditori. Kjo punë e përbashkët krijon atmosferë bashkëpunimi dhe vëllazërimi, që duhet të vazhdojë edhe më tej. Nuk jemi mbledhur thjesht, këtu na mbledh emri i Jisu Krishtit, shpëtimtari i botës. Mos harrojmë se apostujt lanë gjithçka për Krishtin dhe ju të rinjtë duhet ta transmetoni këtë të vërtetë të krishterë kudo që të ndodheni.

    Ne jemi në një cep të Ballkanit, por nuk jemi një grup i veçuar, por pjesë e një Kishe të gjallë Katholike dhe Apostolike. Kjo Kishë ka përgjegjësi për mbarë universin, duke e përqafuar atë me dashuri dhe dhembshuri. Përpiquni që ta njihni Krishtin personalisht. Keni nevojë për lutje, meditim dhe studim. Kjo është dhurata më e madhe që mund të bëni për këtë festë. Krishti, i cili është Dielli i Drejtësisë, të shkëlqejë dhe të rrezatojë në veprat dhe në shembullin tuaj” – përfundoi fjalën e tij, Kryepiskopi Anastas.
    Në fund, juria caktoi fituesit e këtij festivali. Çmimin inkurajues e mori Gramshi, çmimin e tretë Kavaja, të dytin Berati dhe grupi fitues i festivalit u shpall Tirana. 
  Isidor Koti