Kisha Orthodhokse është përpjekur vazhdimisht që njeriu të adhurojë Perëndinë me të gjithë qenien e tij, duke përfshirë të gjitha shqisat e tij. Edhe temjani është një ndër elementët më të përdorshëm që ndihmon në adhurimin dhe lutjet e besimtarëve të krishterë orthodhoksë.
Temjani është lëng i ngurtësuar aromatik. Kur digjet, ai lëshon aromë. Për këtë qëllim dhe në këtë mënyrë përdoret në adhurim. Nga Dhiata e Vjetër dhe e Re, si edhe nga jeta adhuruese shekullore e Kishës na tregohet mjaft për kohën, vendin, mënyrën dhe përdorimin e temjanit.
Gjatë lutjeve i ofrojmë Perëndisë temjan. Ofrimi i tij është shprehje lutjeje, përgjërimi, besimi të nxehtë, ofrimi shpirtëror, gëzimi, lartësimi shpirtëror, mirënjohjeje, falënde- rimi, lavdërimi, nderimi dhe përulësie drejtuar Perëndisë.
Djegia e tij simbolizon lutje drejtuar Perëndisë, siç thotë edhe Psalmi 140:2 “Le të drejtohet lutja ime si temjan përpara teje”, si edhe Shën Joan Ungjillori në vegimin e tij te libri i Zbulesës 8:3-4 “Edhe erdhi një tjetër engjëll, dhe qëndroi mbi altar, e mbante një temjanicë të artë; dhe iu dhanë atij shumë temjane, që t’i bjerë bashkë me lutjet e gjithë shenjtorëve mbi altarin e artë që është përpara fronit të Perëndisë. Edhe u ngjit tymi i temjaneve me lutjet e shenjtorëve prej dorës së engjëllit përpara Perëndisë”.
Gjithashtu ai konsiderohet edhe ofertë drejtuar Perëndisë, pra si një ofertë erëmirë. Profeti Malakia thotë se “që nga lind dielli e deri atje ku perëndon, emri im do të jetë i madh midis kombeve dhe në çdo vend do t’i ofrohet temjan emrit tim dhe një blatim i pastër, sepse emri im do të jetë i madh midis kombeve, thotë Zoti” (1:11).
Edhe magët (dijetarët e Lindjes) i ofruan temjan Krishtit të sapolindur (Mattheu 2:11). Kështu edhe prifti, në shërbesat kishtare, përpara se të fillojë procesin e temjanisjes me temjan thotë: “Temjan po të blatojmë, o Krisht Perëndi, si erë kundërmimi shpirtëror, të cilën, pasi ta pranosh në altarin tënd përmbiqiellor, dërgona si shpërblim hirin e Shpirtit tënd të Tërëshenjtë”.
Kështu temjani është një element ndihmës gjatë lutjeve dhe shërbesave kishtare, djegia e të cilit ka kuptimin e ngritjes lart në qiell të mendjes dhe të zemrës sonë gjatë momentit të lutjes.
Pikërisht se na lidh me lutjen, besimin dhe ofrimin tonë drejtuar Perëndisë, ne temjanisim me temjan edhe atëherë kur ndjejmë se një gjë e keqe apo diabolike ka ndodhur e na frikëson.
Temjanin e përdorim në tempullin e krishterë (kishë) në të gjitha shërbesat lutësore kishtare, për të temjanisur altarin, ikonat, klerikët, besimtarët, kishën etj. Në shërbesat kishtare kur kleriku temjanis