Kryepiskopi Joan mirëpret Ipeshkvin e Breshias në Tiranë – Mesazh dashurie, përgjegjësie dhe vëllazërie ndërfetare, Tiranë, 08.05.2026

 

Në një atmosferë të ngrohtë vëllazërore dhe shpirtërore, Fortlumturia e Tij, Joani, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, mirëpriti në Qendrën Sinodike pranë Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, Monsinjor Pierantonio Tremolada, Ipeshkëv i Breshias, i shoqëruar nga një grup klerikësh.
Takimi u zhvillua ditën e kremtimit të Shën Joan Theologut, duke i dhënë vizitës një dimension të veçantë shpirtëror dhe simbolik. Në fjalën e tij, Kryepiskopi Joan solli në vëmendje mesazhin e përjetshëm të Apostullit: “Doni njëri-tjetrin”, si themel i jetës së krishterë dhe i bashkëjetesës njerëzore.
Ai theksoi edhe përgjegjësinë e madhe që mbart kleri ndaj popullit të Perëndisë, duke kujtuar porosinë që Krishti i dha Apostull Pjetrit: “Kulloti delet e mia”. Sipas Kryepiskopit Joan, përkushtimi, shërbimi me dashuri dhe ndjenja e lartë e përgjegjësisë duhet të udhëheqin misionin e klerit në kohët moderne, në shërbim të besimtarëve dhe të paqes shoqërore.
Nga ana e tij, Monsinjor Pierantonio Tremolada shprehu mirënjohjen për mikpritjen vëllazërore dhe vlerësoi klimën e harmonisë dhe të bashkëpunimit ndërfetar në Shqipëri, duke e cilësuar atë një model të çmuar bashkëjetese dhe respekti reciprok.
Takimi konfirmoi edhe një herë frymën e dialogut, bashkëpunimit dhe miqësisë, që karakterizon marrëdhëniet mes komuniteteve të krishtera, si dhe rolin e rëndësishëm që ato luajnë në forcimin e vlerave shpirtërore dhe humane në shoqëri.

Foto Album