Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, plot besimtarë, në Tiranë, u krye sot më 3 maj 2026, të Dielën e të Paralizuarit (e katërta pas Pashkës), dorëzimi në Episkop i Arkimandritit Ignat (Todrin), si Episkop Ndihmës i Amantias pranë Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Imzot Joanit.
Dorëzimin e kreu Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Joani, i rrethuar nga Hirësitë, Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit; Mitropoliti i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit; Mitropoliti i Gjirokastrës; Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës; dhe Mitropoliti i Korçës.
Episkopi i sapodorëzuar, në fjalën e tij të frymëzuar, e nisi homelinë me psalmin: “Këndojni Perëndisë o mbretëritë e dheut, psalini Zotit!”, duke shprehur falënderim të thellë ndaj Perëndisë me thënien e Shën Joan Gojartit: “Lavdi Perëndisë për të gjitha.”
Me përulësi të madhe, Episkopi i ri Ignat foli për pranimin e tij të kësaj detyre të shenjtë “në një moshë kaq të re”, duke iu drejtuar fjalëve të Shën Dhositheut të Gazës: “Kush i dorëzohet Perëndisë, nuk shqetësohet më për veten, sepse e di që Perëndia kujdeset për të, më mirë se ai vetë.” Duke pranuar se “asgjë nuk vjen nga aftësitë e mia, por gjithçka është një dhuratë nga i Shumëlarti”, kërkoi me përulësi nga Sinodi i Shenjtë, kleri dhe populli i pranishëm lutje për të, sipas porosisë së Apostullit Pavël: “Lutuni pa pushim” (1 Thes. 5:17).
Me përmallim të veçantë, Episkopi i ri kujtoi dy figura që e frymëzuan dhe i shërbyen si pikë reference shpirtërore. Të parin, Kryepiskopin e ndjerë †Anastas, të cilin e quajti “Apostullin e kohëve moderne, njeriun që ngjalli kishën tonë të Shqipërisë nga varri, buzëqeshja e të cilit ngrohte çdo zemër njerëzore”. Dhe të dytin, Mitropolitin e ndjerë të Beratit, Vlorës dhe Kaninës, †Imzot Ignat Triandis, atin e tij shpirtëror, “i përulur, i dashur, mikëpritës, por mbi të gjitha i shumëduruar, personi që me durimin e tij më tregoi se si një kryq mbahet burrërisht”, fjalën e të cilit karakteristike — “Ka Zoti” — e mbart me vete si trashëgimi shpirtërore.
Episkopi i ri e mbylli homelinë me fjalët e profetit Isaia: “Ja ku jam, më dërgo mua!” (Isaia 6:8).
Në fjalën e Tij përgjegjëse, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan, theksoi se shërbesa e Episkopit kërkon mbi gjithë virtytet përulësinë, durimin dhe dashurinë, pa të cilat asnjë bari nuk mund të udhëheqë grigjën e Krishtit. Theksoi se vetë Episkopi i ri Ignat është një dëshmi e gjallë e këtyre virtyteve: njeri i shërbesës dhe i sakrificës, që i shërbeu me përkushtim, vetëmohim dhe vetëflijim Mitropolitit të ndjerë †Imzot Ignatit të Beratit deri në fund të jetës së tij, duke qenë i palodhur në punë dhe i përulur në diakoninë e tij. Pikërisht këto virtyte, theksoi Kryepiskopi, janë themeli mbi të cilin do të mbështetet shërbesa e tij e re episkopale, si Episkop Ndihmës i Kryepiskopit, për lavdinë e Perëndisë dhe për mbarëvajtjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Ceremonia e shenjtë u përmbyll me thirrjen entuziaste “Άξιος” / “I Denjë” në gjuhët shqipe dhe greke nga kleri dhe populli i pranishëm.
Jetëshkrim i shkurtër
Episkopi i ri Ndihmës i Amantias, Imzot Ignati, lindi më 23 shkurt 1978 në Gradishtë të Divjakës. Formimin e përgjithshëm e kreu në shkollën e Fier-Semanit. Në vitin 1998 ndoqi studimet në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash të Durrësit.
Nga viti 2003 deri në vitin 2017 shërbeu si katekist dhe predikues në qytetet dhe fshatrat e Mitropolisë së Shenjtë të Beratit, Vlorës dhe Kaninës. Në prill të vitit 2017 ndoqi thirrjen e përkushtimit të plotë monastik dhe u dorëzua murg dhe hierodhjakon nga Mitropoliti i ndjerë i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Imzot Ignati, pranë të cilit shërbeu me devotshmëri dhe përkushtim.
U dorëzua Hieromonak më 12 dhjetor 2024, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Hirësia e Tij Asti. Më 1 qershor 2025, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan, i dha ofiqin e Arkimandritit.
Gjatë gjithë kësaj periudhe ka shërbyer në detyra dhe përgjegjësi të larta në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë: si Kryesekretar i Sinodit të Shenjtë, përgjegjës i Akademisë Theologjike “Ngjallja e Krishtit” në Manastirin e Shën Vlashit, si dhe përgjegjës i Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.
Përveç gjuhës amtare, flet anglisht, italisht, greqisht dhe gjermanisht.
Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, nën kryesinë e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Joan, e zgjodhi Arkimandritin Ignat (Todrin) Episkop Ndihmës të Episkopatës së Shenjtë të Amantias me vota unanime, në mbledhjen e tij të datës 28 prill 2026.
Foto Album
Fjala e Fortlumturisë së Tij, Joani në Dorëzimin e Hirësi Ignatit, Episkop të Amantias (Tekst)
Çdo ditë Dorëzimi është një ditë gëzimi, sepse Kishës sonë i shtohet një klerik, në këtë rast një Episkop. Dhe pa dyshim që të gjithëve na vjen natyralisht të themi fjalët së bashku me Psalmistin: “Si t’ia shpërblejmë Perëndisë për gjithçka të mirë që ka bërë për ne” (Ps.116:12).
I dashur, Arkimandrit Ignati, pas pak Perëndia do të të thërrasë në Altar dhe do të lutemi që Shpirti i Shenjtë të vijë mbi ty. Dorëzimi i Episkopit ka diçka tjetër më të veçantë. Ai pasi ka marrë Shpirtin e Shenjtë, duhet ta përhapë atë edhe tek të tjerët, nëpërmjet Dorëzimit që ai u bën atyre. Prandaj përgjegjësia është akoma edhe më e madhe. Shën Pavli e porosit Timotheun dhe i thotë: “Gjallëroje dhuratën e Perëndisë (hirin) e cila është tek ti me anë të vënies së duarve të mia mbi ty” (2 Tim. 1:6). Këto fjalë duhet t’ia përsërisim vetes shpeshherë. Dhe sot do të doja t’ia thoshja këto të zgjedhurit Arkimandrit Ignatit, si Episkop i Episkopatës së Hirshme të Amantias edhe të gjithë të tjerëve: Duhet të mos harrojmë që Episkopi është pasardhës i Apostujve, sepse linja e pandërprerë nga Apostujt deri tek Episkopët në Kishën Orthodhokse është gjithmonë e vazhdueshme. Apostujtë ishin të dërguar. Të dërguar, për çfarë? Të përhapnin Ungjillin dhe të përhapnin kudo Fjalën e Mirë. Sot, më shumë se kurrë, bota ka nevojë për përhapjen e këtyre Fjalëve të Mira; për përhapjen e tyre me fuqi edhe pa frikë. Citove diçka shumë të mirë që ai njeri që ka dashuri për Perëndinë nuk ka frikë nga njerëzit. Çdokush që ka frikë Perëndinë nuk i trembet njerëzve. Ata që nuk kanë frikë Perëndinë, shpeshherë tremben nga njerëzit dhe fuqia që na jep dashuria për Perëndisë është shumë e rëndësishme. Nëse do ta duam Perëndinë, kjo është edhe gjëja më e rëndësishme. Madje në episodin e Ungjillit, përpara se t’i japi detyrën për të kullotur grigjën, Zoti i kërkon Shën Pjetrit tre herë me pyetjen: Simoni, biri i Jonait, a më do më shumë se këta të tjerët? Nëse do të kemi përgjigjen: “Po, o Zot, të dua” (Jn.21:15), atëherë asgjë nuk mund të na pengojë. Siç shkruan Shën Pavli te Letra e Romanëve që çdo gjë bashkëvepron për të mirë për ata që e duan Perëndinë (Shih Rom.8:28). Le të përpiqemi ta duam Perëndinë me të gjithë shpirtin tonë, se vetëm kështu mund ta përhapim Ungjillin edhe tek të tjerët.
Përhapja e Ungjillit nëpërmjet dashurisë ka disa faza. Shën Gojarti, një nga shenjtorët më të mëdhenj të Kishës tonë, thoshtë kështu për Episkopët: Që dikush të bëhet Episkop duhet të dijë dy gjëra – të qortojë dhe të falë. Të dyja këto gjëra vijnë nga dashuria, sepse nëse i duam njerëzit, do t’i qortojmë ata. Pa dyshim që do t’i qortojmë ata me dashuri, por do t’i qortojmë për t’i mësuar. Prindi që e do fëmijën, kur e shikon rrugë të gabuar, e qorton atë. Ai e qorton, jo se nuk e do, por sepse e do. Prandaj dhe Perëndia në Shkrimi i Shenjtë thotë që unë i dua ata që i qortoj (Shih Zbul.3:19, Fj. Urt. 3:12). Dhe gjëja më e rëndësishme është që Episkopi të ketë fuqinë për të falur. Nëse nuk i falim të tjeret, kjo do të thotë që nuk kemi dashuri. Nëse e duam Perëndinë, do t’i duam të gjithë njerëzit. Pikërisht, dashuria për Perëndinë është burimi i veprës apostolike.
Shën Pavli jep këshilla në lidhje me Episkopët, të cilat janë shumë të rëndësishme për gjithsecilin nga ne. Njëra prej tyre është shërbimi. Edhe ti e ke treguar shërbimin me të cilin i shërbeve Episkopit tënd për një kohë të gjatë me dashuri dhe përkushtim. Nëse njeriu di të shërbejë, ai mund të ketë sukses gjithmonë. Sepse vetë Zoti tha që nuk erdha që të më shërbejnë, po erdha që të shërbej. (Mk.10:45).
Detyra e Episkopit është pikërisht që të shërbejë, jo të sundojë. Shërbimi është shumë i rëndësishëm, sepse njerëzit kanë nevojë për shërbimin me anë të fjalës, të veprave, të mbështetjes dhe me anë të gjithçkaje tjetër. Fjalët janë shumë të rëndësishme, dhe detyra e Apostujve ishte pikërisht fjala: përhapja e Ungjillit. Në Veprat e Apostujve është një episod kur apostujt mblidhen dhe thonë që nuk është mirë që ne ta lëmë pas dore fjalën e Perëndisë për të shërbyer nëpër tryeza. Sepse ata u shërbenin të varfërve, duke u shtruar tryezat me ushqime (Shih Vep. Ap. 6:2). Dhe kështu caktuan disa dhjakonë për të bërë këtë detyrë dhe ata të vazhduan ungjillizimin me anë të fjalës. Dhe fjalët duhet të burojnë nga një zemër e pastër, sepse njeriu nuk mëson vetëm me atë që thotë, por mëson me atë që ai është. Shën Joan Gojarti thotë që, ashtu si muzikanti i cili me harmoninë e notave i ngren lart, në një dimension tjetër, shpirtrat njerëzorë, po ashtu edhe Episkopi duhet të ketë harmoninë e fjalëve, që t’i ngrerë shpirtrat drejt qiellit. Kjo është detyrë shumë e rëndësishme për gjithsecilin nga ne.
Unë lutem dhe besoj që ti je përgatitur për këtë punë. I përgatitur nuk do të thotë që jemi gati. I përgatitur do të thotë që jemi të përulur. Dhe përulësia do të sjellë hirin e Shpirtit të Shenjtë. Hiri i Shpirtit të Shenjtë nuk qëndron në një mendje dhe zemër krenare. Çfarëdo që të bëjë një mendje krenare, ajo nuk do sjellë ndërtim. Siç e cituat në fjalimin tuaj thënien e Shën Vasilit të Madh: Krenari shkatërron, edhe kur thotë diçka që duket e drejtë. Vetëm fjalët e të përulurit, i cili e do Perëndinë, janë fjalë që ndërtojnë. Mundohu të qëndrosh gjithmonë në këto fjalë dhe pranë Perëndisë. Pa dyshim që hiri i Perëndisë do t’i plotësojë të gjitha mangësitë tona. Lutem dhe uroj që Perëndia, Episkopin e ri që do të bëhet, ta ndriçojë, ta bekojë dhe ta shenjtërojë. Amin.
Katedralja “Ngjallja e Krishtit”, Tiranë
E diel, 3 maj 2026
Fjala e Episkopit të sapozgjedhur, Ignat në Dorëzimin e tij
Katedralja “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, E diel, 3 maj 2026, (Tekst)
Këndojini Perëndisë, o mbretëritë e dheut, psalini Zotit!
Kryepriftërinj të shenjtë të Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, priftërinj dhe dhjakonë, hieropsaltë të hirshëm, popull i zgjedhur i Perëndisë,
Gjithë qëllimi i ekzistencës së njeriut në tokë nuk është asgjë tjetër veçse falënderim për gjithçka që Perëndia ka bërë, bën dhe do të bëjë për njeriun deri në fund. Thënia më klasike e dëgjuar ndonjëherë është ajo e Shën Joan Gojartit të hirshëm: “Lavdi Perëndisë për të gjitha”.
Fortlumturi!
Duke qëndruar sot këtu përpara jush me ndjenjë të thellë respekti dhe mirënjohje për hir të dashurisë ndaj Perëndisë, Ungjillit, Traditës dhe Etërve të shenjtë, dhe veçanërisht ndaj domosdoshmërisë për shërbim ndaj njeriut, më shtyn që t’i bindem sërish Kishës së Krishtit dhe të pranoj një tjetër detyrë të shenjtë dhe të vështirë: të qenit Episkop në një moshë kaq të re. Shën Dhositheu i Gazës shkruan tekstualisht këto fjalë: “Kush i dorëzohet Perëndisë, nuk shqetësohet më për veten, sepse e di që Perëndia kujdeset për të më mirë se ai vetë”.
Shumë njerëz sot pyesin se si të fton Perëndia në shërbim ndaj Tij? Dhe përgjigjja është e thjeshtë, e thënë prej jush: “Kur shikon një njeri në nevojë dhe në vështirësi, mos prit që të dëgjosh më tepër. Personi që ndodhet në shtrëngim është thirrja e Perëndisë”. “Isha i urritur dhe më dhatë të ha, isha i etur e më dhatë të pi, isha i zhveshur dhe më veshët”.
Bariu i Perëndisë është në vetvete një luftëtar, i cili i ka këmbët të veshura me gatishmërinë e Ungjillit, dorën të vendosur në parmëndë, zemrën të bashkuar me Krishtin dhe mendjen e tij të ngjitur në soditjen e të Gjithëpushtetshmit, sytë si ata të Apostujve, tek vështronin Krishtin në ngjitjen e Tij, në të djathën e Atit dhe gjithë qenia e tij psiko-somatike në shembullin e papërsëritshëm të profetit Isaia, tek tha: “Ja ku jam, më dërgo mua!” (Is. 6:8).
Puna në vreshtin e Zotit është një bekim i madh dhe një privilegj, por mbi të gjitha është edhe një përgjegjësi. Në përditshmërinë e saj, puna e ungjillëzuesit kërkon shumë sakrificë, dashuri, gatishmëri, por mbi të gjitha duhet të ketë në themelin e saj edhe durimin, pa të cilën asnjë sukses nuk mund të arrihet. Zoti thotë në Ungjill: “Me durimin tuaj do të fitoni shpirtrat tuaj” (Llk. 21:19).
Personalisht këtë gjë e kam parë në dy persona, që për të gjithë ne që jemi të pranishëm këtu, por edhe për të tjerët që janë larg, i kemi të njohur dhe e dimë se cilët janë. I pari është Apostulli i kohëve moderne, njeriu që ngjalli nga varri Kishën tonë të Shqipërisë, i lumuri Kryepiskopi Anastas, buzëqeshja e të cilit ngrohte çdo zemër njerëzore. Dhe i dyti, jo më pak i rëndësishëm, i përulur, i dashur, mikëpritës, por mbi të gjitha i shumëduruari, Imzot Ignat Triandis, personi që me durimin e tij më tregoi sesi mbahet një kryq burrërisht. Fraza e tij karakteristike ishte: “Ka Zoti”.
Fortlumturi!
Pozicioni i të qenit Episkop është një kryq, të cilin asnjë nga ne që ftohet nuk duhet ta neglizhojë, por ta konsiderojë si bekim me anë të të cilit udhëhiqet grigja. Kur Apostujt u larguan nga kjo jetë, ata ua dorëzuan episkopëve stafetën, që ata të vazhdonin punën e tyre ungjillëzuese, për shpëtimin e shpirtave dhe për drejtimin e Kishës së Perendisë. “Fjala që vjen nga dashuria, ajo ndërton, ndërsa fjala që del nga krenaria, ajo shkatërron, madje edhe kur duket e drejtë” – thotë Shën Vasili i Madh.
Bota e sotme, tepër e trazuar, që vuan nga konfliktet e pafundme dhe ngjarje që trondisin thellësisht qenien njerëzore, ka nevojë përherë për një zë që të thotë të vërtetën prer dhe drejt, për qetësim dhe pajtim.Besoj që prania e një Episkopi me fjalën e tij ngushëlluese do të jetë mbështetje dhe bekim në çdo përpjekje dhe dialog për mbarëvajtjen e paqes, aq të dëshiruar për të gjithë njerëzimin.
Apostulli i shenjtë Pavël në letrën e tij drejtuar Thesalonikasve thotë: “Lutuni pa pushim” (1 Thes. 5:17). Do të doja që sot, në praninë tuaj dhe të të gjithë Kishës së Krishtit, t’ju drejtohesha përulësisht të luteni për mua, që Perëndia të më japë forcë dhe ndriçim, dhe mbi të gjitha përulësi, sepse me këtë armë paqësore, misioni bëhet më i lehtë dhe i pëlqyer nga Zoti.
“Ora et labora”- “Εν τῇ προσευχῇ εὐρίσκεται ἡ εἰρήνη” – “In prayer, peace is found”!
Sot qenia ime, duke qëndruar përpara jush, përshkohet nga ndjenja e thellë e frikës së Perëndisë, sepse në prani të Perëndisë Triadik, kuptoj se asgjë nuk vjen nga aftësitë e mia, por gjithçka është dhuratë nga i Shumëlarti.
Në fund të librit të Psaltirit është një psalm i vogël, por me kuptim të thellë. Davidi i shenjtë thotë: “Isha më i vogli dhe më i riu në shtëpinë e ati tim… ai dërgoi engjëllin e tij dhe më mori nga delet e atit tim, dhe më leu më vajin e mirosjes së tij. Nderi dhe bekimi sot për mua është shumë i madh, përgjegjësia akoma edhe më e madhe. Fjalët e profetit Isaia nuk mund të shmangen, ato flasin qartë dhe prerë: “Ja ku jam, më dërgo mua”. Amin.
Episkopi i zgjedhur i Amantias +Ignati
Post Views: 0