Fjala e Fortlumturisë së Tij, Joani, në fund të Liturgjisë Hyjnore

Kisha e Ungjillëzimit, Tiranë, 8 maj 2026 (Tekst & Video)

Në Ungjillin e Shën Joanit përsëritet vazhdimisht: Doni njëri-tjetrin. Këto janë fjalët e Zotit, I Cili i përsërit vazhdimisht ato.
Përse Zoti e përsërit vazhdimisht këtë gjë? Ai e përsërit këtë që ajo të na ngulitet në mendje. Një gurë që të shpohet nga uji, nuk bëhet me dy a tre pika, por duhet me shekuj që pikojë uji mbi gur. Po kështu edhe zemrat tona të ngurta mund të shkrihen, pikërisht duke i përsëritur vazhdimisht këto mësime.
Sipas shembullit të Zotit, edhe Shën Joan Ungjillori i përsëriste vazhdimisht mësimet.
Tradita thotë që ai jetoi mbi 100 vjet dhe nga fundi i jetës së tij, kur nxënësit e mbanin prej krahu ai përsëriste po këto fjalë: Doni njëri-tjetrin. Pas shumë kohe, ngaqë i përsëriste shpesh këto fjalë, një nga nxënësit i thotë atij: Mësues, pse nuk na mëson edhe gjëra të tjera, se Ty Perëndia të ka shfaqur Misteret më të mëdha, ti ke qëndruar edhe pranë Zotit?
Ai i përgjigjet po me fjalët: Doni njëri-tjetrin, dhe i keni bërë të gjitha!
Kjo do të thotë që, nëse realisht do të kemi dashuri në shpirt, jemi me Krishtin. Nëse nuk kemi dashuri, edhe sikur në të gjitha Meshat të vijmë, në çdo shërbesë të marrim pjesë dhe të bëjmë çdo gjë tjetër, përsëri jemi larg Zotit, sepse emri i Zotit është DASHURI. Dhe kush qëndron në dashuri, qëndron në Zotin.
Ju uroj të gjithëve të keni bekimet e Shën Joan Ungjillorit, po ashtu edhe Kisha jonë. Dita e sotme, si çdo ditë shenjtorësh, është ditë festimi, por dhe ditë meditimi, për të parë se në çfarë gjendjeje shpirtërore jemi ne. Sot në botë, më shumë se çdo gjë tjetër, mungon jeta shpirtërore. Nëse nuk kemi jetë shpirtërore, nuk mund të bëhemi dot të krishterë.
Prandaj, le të përpiqemi të kemi jetë shpirtërore, sepse jeta shpirtërore do të na sjellë ndriçim, do të na bëjë të përulur; dhe përulësia do të sjellë hirin e Perëndisë.
Gëzuar ditën e sotme dhe për shumë vjet.
Krishti u ngjall!
Vërtet u Ngjall!

Video