Fjala e Fortlumturisë së Tij, Joani

në Dorëzimin e Hirësi Ignatit, Episkop të Amantias, Tiranë, 03.05.2026

Çdo ditë Dorëzimi është një ditë gëzimi, sepse Kishës sonë i shtohet një klerik, në këtë rast një Episkop. Dhe pa dyshim që të gjithëve na vjen natyralisht të themi fjalët së bashku me Psalmistin: “Si t’ia shpërblejmë Perëndisë për gjithçka të mirë që ka bërë për ne” (Ps.116:12).
I dashur, Arkimandrit Ignati, pas pak Perëndia do të të thërrasë në Altar dhe do të lutemi që Shpirti i Shenjtë të vijë mbi ty. Dorëzimi i Episkopit ka diçka tjetër më të veçantë. Ai pasi ka marrë Shpirtin e Shenjtë, duhet ta përhapë atë edhe tek të tjerët, nëpërmjet Dorëzimit që ai u bën atyre. Prandaj përgjegjësia është akoma edhe më e madhe. Shën Pavli e porosit Timotheun dhe i thotë: “Gjallëroje dhuratën e Perëndisë (hirin) e cila është tek ti me anë të vënies së duarve të mia mbi ty” (2 Tim. 1:6). Këto fjalë duhet t’ia përsërisim vetes shpeshherë. Dhe sot do të doja t’ia thoshja këto të zgjedhurit Arkimandrit Ignatit, si Episkop i Episkopatës së Hirshme të Amantias edhe të gjithë të tjerëve: Duhet të mos harrojmë që Episkopi është pasardhës i Apostujve, sepse linja e pandërprerë nga Apostujt deri tek Episkopët në Kishën Orthodhokse është gjithmonë e vazhdueshme. Apostujtë ishin të dërguar. Të dërguar, për çfarë? Të përhapnin Ungjillin dhe të përhapnin kudo Fjalën e Mirë. Sot, më shumë se kurrë, bota ka nevojë për përhapjen e këtyre Fjalëve të Mira; për përhapjen e tyre me fuqi edhe pa frikë. Citove diçka shumë të mirë që ai njeri që ka dashuri për Perëndinë nuk ka frikë nga njerëzit. Çdokush që ka frikë Perëndinë nuk i trembet njerëzve. Ata që nuk kanë frikë Perëndinë, shpeshherë tremben nga njerëzit dhe fuqia që na jep dashuria për Perëndisë është shumë e rëndësishme. Nëse do ta duam Perëndinë, kjo është edhe gjëja më e rëndësishme. Madje në episodin e Ungjillit, përpara se t’i japi detyrën për të kullotur grigjën, Zoti i kërkon Shën Pjetrit tre herë me pyetjen: Simoni, biri i Jonait, a më do më shumë se këta të tjerët? Nëse do të kemi përgjigjen: “Po, o Zot, të dua” (Jn.21:15), atëherë asgjë nuk mund të na pengojë. Siç shkruan Shën Pavli te Letra e Romanëve që çdo gjë bashkëvepron për të mirë për ata që e duan Perëndinë (Shih Rom.8:28). Le të përpiqemi ta duam Perëndinë me të gjithë shpirtin tonë, se vetëm kështu mund ta përhapim Ungjillin edhe tek të tjerët.
Përhapja e Ungjillit nëpërmjet dashurisë ka disa faza. Shën Gojarti, një nga shenjtorët më të mëdhenj të Kishës tonë, thoshtë kështu për Episkopët: Që dikush të bëhet Episkop duhet të dijë dy gjëra – të qortojë dhe të falë. Të dyja këto gjëra vijnë nga dashuria, sepse nëse i duam njerëzit, do t’i qortojmë ata. Pa dyshim që do t’i qortojmë ata me dashuri, por do t’i qortojmë për t’i mësuar. Prindi që e do fëmijën, kur e shikon rrugë të gabuar, e qorton atë. Ai e qorton, jo se nuk e do, por sepse e do. Prandaj dhe Perëndia në Shkrimi i Shenjtë thotë që unë i dua ata që i qortoj (Shih Zbul.3:19, Fj. Urt. 3:12). Dhe gjëja më e rëndësishme është që Episkopi të ketë fuqinë për të falur. Nëse nuk i falim të tjeret, kjo do të thotë që nuk kemi dashuri. Nëse e duam Perëndinë, do t’i duam të gjithë njerëzit. Pikërisht, dashuria për Perëndinë është burimi i veprës apostolike.
Shën Pavli jep këshilla në lidhje me Episkopët, të cilat janë shumë të rëndësishme për gjithsecilin nga ne. Njëra prej tyre është shërbimi. Edhe ti e ke treguar shërbimin me të cilin i shërbeve Episkopit tënd për një kohë të gjatë me dashuri dhe përkushtim. Nëse njeriu di të shërbejë, ai mund të ketë sukses gjithmonë. Sepse vetë Zoti tha që nuk erdha që të më shërbejnë, po erdha që të shërbej. (Mk.10:45).
Detyra e Episkopit është pikërisht që të shërbejë, jo të sundojë. Shërbimi është shumë i rëndësishëm, sepse njerëzit kanë nevojë për shërbimin me anë të fjalës, të veprave, të mbështetjes dhe me anë të gjithçkaje tjetër. Fjalët janë shumë të rëndësishme, dhe detyra e Apostujve ishte pikërisht fjala: përhapja e Ungjillit. Në Veprat e Apostujve është një episod kur apostujt mblidhen dhe thonë që nuk është mirë që ne ta lëmë pas dore fjalën e Perëndisë për të shërbyer nëpër tryeza. Sepse ata u shërbenin të varfërve, duke u shtruar tryezat me ushqime (Shih Vep. Ap. 6:2). Dhe kështu caktuan disa dhjakonë për të bërë këtë detyrë dhe ata të vazhduan ungjillizimin me anë të fjalës. Dhe fjalët duhet të burojnë nga një zemër e pastër, sepse njeriu nuk mëson vetëm me atë që thotë, por mëson me atë që ai është. Shën Joan Gojarti thotë që, ashtu si muzikanti i cili me harmoninë e notave i ngren lart, në një dimension tjetër, shpirtrat njerëzorë, po ashtu edhe Episkopi duhet të ketë harmoninë e fjalëve, që t’i ngrerë shpirtrat drejt qiellit. Kjo është detyrë shumë e rëndësishme për gjithsecilin nga ne.
Unë lutem dhe besoj që ti je përgatitur për këtë punë. I përgatitur nuk do të thotë që jemi gati. I përgatitur do të thotë që jemi të përulur. Dhe përulësia do të sjellë hirin e Shpirtit të Shenjtë. Hiri i Shpirtit të Shenjtë nuk qëndron në një mendje dhe zemër krenare. Çfarëdo që të bëjë një mendje krenare, ajo nuk do sjellë ndërtim. Siç e cituat në fjalimin tuaj thënien e Shën Vasilit të Madh: Krenari shkatërron, edhe kur thotë diçka që duket e drejtë. Vetëm fjalët e të përulurit, i cili e do Perëndinë, janë fjalë që ndërtojnë. Mundohu të qëndrosh gjithmonë në këto fjalë dhe pranë Perëndisë. Pa dyshim që hiri i Perëndisë do t’i plotësojë të gjitha mangësitë tona. Lutem dhe uroj që Perëndia, Episkopin e ri që do të bëhet, ta ndriçojë, ta bekojë dhe ta shenjtërojë. Amin.