Predikimi i Fortlumturisë së Tij, Joani
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
Kisha e Shën Gjergjit, Durrës
23 prill 2026

Sot, në festën e madhe të shën Gjergj Trofeprurësit, erdha me gëzim për të meshuar këtu pas gati tre dekadash. Shenjtori i madh që përkujtojmë sot ka jetë dhe dëshmi të jashtëzakonshme. Ai lindi në Kapadoki dhe u rrit në mënyrë të devotshme nga prindër të krishterë. I ati i tij vdiq si martir kur ai ishte shumë i vogël dhe e ëma e tij, që ishte nga Palestina, e mori dhe shkuan në qytetin e vjetër Lidas, Lodi i sotëm në Palestinë. Ai u rrit me frymën e krishterë dhe ishte fëmijë jashtëzakonisht i zgjuar, i sjellshëm dhe i pashëm. Kur arriti në moshën 20 vjeçare, ngaqë vinte nga familje e dëgjuar fisnikësh, u fut në shërbimin ushtarak, dhe dalëngadalë filloi të merrte gradat më të larta, aq sa u bë kont dhe gjeneral i madh i ushtrisë romake të asaj kohe. Perandori Dioklician, një tiran i madh, i cili ishte idhujtar dhe filloi persekutim të tmerrshëm kundër të krishterëve, dha urdhër që në të gjithë perandorinë të krishterët jo vetëm të dënoheshin, ose t’u merrej pasuria, por të torturoheshin edhe të vriteshin. Gjergji i ri, 20 vjeçar, i frymëzuar nga mësimet e Zotit dhe nga besimi i madh që kishte, mendoi që tani kishte ardhur ora që ai të jepte dëshminë e vërtetë edhe me jetën e tij. Kur perandori kishte thirrur të gjithë senatin dhe guvernatorët e perandorisë, shën Gjergji u fut në sallën ku ishte perandori dhe iu drejtua atij, duke i thënë që nuk është mirë të vrasësh njerëz të pafajshëm, njerëz që nuk kanë bërë asgjë, ose njerëz që adhurojnë Perëndinë e tyre të vërtetë. Kur dëgjoi këto fjalë perandori u shtang, sepse nuk e priste që nga ky gjeneral, të cilin e donte aq shumë, të vinin ato fjalë. Madje as nuk po e kuptonte pse Gjergji po e kundërshtonte atë.

Ai e pyeti: Çfarë besimi ke ti?
Gjergji iu përgjigj: Unë besoj Krishtin e Kryqëzuar dhe të Ngjallur.
Perandori u tërbua nga zemërimi dhe urdhëroi ushtarët e tij që ta godisnin.
Në jetën e shën Gjergjit kanë ndodhur mrekulli të jashtëzakonshme, si dëshmi e madhe e besimit të tij.
Çfarë janë jetët e shenjtorëve?

Jetët e shenjtorëve janë vazhdim i Akteve të Apostujve. Në Dhiatën e Re kemi Aktet e Apostujve, (Veprat e Apostujve) që tregojnë çfarë bënë apostujt pas Ngjalljes së Krishtit. Jetët e shenjtorëve janë vazhdim i veprave të apostujve. Ne nuk i lexojmë jetët e tyre thjesht si biografi, por i lexojmë si ushqim shpirtëror. Ashtu si ikona, nuk është thjesht portret, por është dritare për të parë botën e përtejme, është lidhje me jetën e thellë shpirtërore. Prandaj, këto tekste i kemi si ushqim shpirtëror dhe duhet t’i lexojmë vazhdimisht, sepse duke i lexuar ato, mund të fillojmë të modelohemi sipas tyre. Siç na thotë edhe shën Pavli: “Bëhuni imituesit e mi, ashtu siç unë jam imituesi i Krishtit” (1 Kor.11:1). Duke lexuar jetët e shenjtorëve, mund të ndizet në shpirtin tonë drita e besimit. Nëse nuk e kemi mendjen te Librat e shenjtë dhe tek jetët e shenjtorëve, atëherë është shumë e vështirë të mbajnë besimin e vërtetë. Njerëzit mund të kenë një besim nga jashtë: vijnë në kishë për Pashkë, vijnë ndonjëherë për t’u kunguar, por nuk kanë jetë të thellë shpirtërore. Leximet na ndihmojnë.

Kështu perandori urdhëroi që të torturohet Gjergji. Ndoshta e keni dëgjuar shpeshherë jetën e tij, por disa nga torturat që i bënë atij ishin të tmerrshme: E lidhën në pranga, e shtrinë, i vunë një gurë shumë të madh në gjoks. Çdokush tjetër do të kishte vdekur nga këto, por ai, duke pasur një fizik të fortë, nuk pësoi asgjë.

Ditën tjetër e thirrën përsëri në pallatin e perandorit, ku ai filloi t’i fliste përsëri duke thënë që nëse i bën fli perëndive tona do të të jap gjithçka që do të dëshirosh. Ai iu përgjigj përsëri me guxim, duke i thënë që ato besime që ju keni janë qesharake. Ju nuk mund të besoni tek gurët, drurët, edhe tek njerëzit që nuk kanë asnjë lidhje me Perëndinë e vërtetë. Pastaj filloi t’i fliste për besimin e tij të krishterë. Perandori urdhëroi që të torturohej përsëri. Pasi e zhveshën e lidhën në një rrotë të madhe, poshtë së cilës kishte tehe shpatash, gozhdash dhe e rrotullonin.

Në fillim, ai filloi të lutej me zë shumë të lartë, pastaj heshti. Perandori mendoi se kishte vdekur dhe shkoi të lavdëronte perënditë pagane në tempullin e Apollonit, duke kujtuar që e mundi shenjtorin. Por ndodhi një mrekulli tjetër. Ai jo vetëm që nuk vdiq, por Perëndia i shëroi atij çdo plagë. Kur i thanë perandorit që Gjergji që menduam se vdiq është shëruar, ai erdhi i zemëruar, duke menduar që ai bën magji, prandaj ndodhin këto gjëra. Dhe i tha të largohet nga magjitë dhe do të të jap gradat më të mëdha; madje nëse i flijon perëndive pagane, do të të bëj të dytin në perandori, pas meje. Dhe shën Gjergji iu përgjigj përsëri me guxim dhe me qetësi: Gjithçka që mund të më japësh ti në botë, mua nuk më duhet. Ajo që është kryesorja është të shpëtohet shpirti i njeriut. Siç thotë Krishti në Ungjill që çfarë dobie do të ketë njeriu në fitoftë të gjithë botën, dhe të humbasë shpirtin e tij? (Mt.16:26).

Sot këto fjalë mund të duken të habitshme për njerëzit, sepse jetojmë në një kohë kur njerëzit janë materialistë, mendojnë vetëm për pasuri, për të grumbulluar gjëra, dhe harrojmë që shumë shpejt një ditë do t’i lëmë të gjitha këto. Por çfarë do të japin në këmbim të shpirtit të tyre?

I suksesshëm nuk është ai njeri që bëhet i pasur, as ai që bëhet i pushtetshëm. Le të jesh më i pasuri i botës, përsëri nuk je i suksesshëm. I suksesshëm je, nëse do të shpëtosh shpirtin tënd.
Çfarë do të japim në këmbim të shpirtit kur të paraqitemi para Zotit?
Suksesi i botës është i përkohshëm, suksesi në jetën shpirtërore dhe në lidhje me Perëndinë është i përjetshëm. Duke pasur këtë besim të madh, ai pati edhe guxim të madh.

Pastaj perandori urdhëroi ta hidhnin në një gropë me gëlqere të pashuar, që të digjej dhe t’i shkrihej i gjithë trupi. Shën Gjergji iu lut përsëri Perëndisë me lot dhe shumë fort. Kur erdhën pas tre ditësh për të marrë kockat që t’ja hidhnin, u habitën që trupi ishte i plotë, pa asnjë lloj dëmtimi. Duke parë këto mrekulli, shumë njerëz besonin dhe bëheshin të krishterë. Dhe perandori, atyre që thoshnin diçka për Jisu Krishtin, pa u bërë asnjë gjyq, ua priste kokën, Dhe duke menduar që këto që bën Gjergji janë magji, thirri Athanasin, një magjistar shumë i madh i perandorisë. Ai solli dy lëngje: një që ishte si drogë e tjetri ishte helm i madh që shenjtori të vdiste menjëherë. Ia dhanë perandorit dhe i thanë t’ia jepte shenjtorit dhe e siguruan që ai do të vdesë. Perandori ia dha Gjergjit dhe ai e piu me qetësi gotën e parë, por nuk i ndodhi gjë. Piu të dytën, po përsëri nuk i ndodhi gjë. Edhe vetë magjistari u mahnit nga kjo gjë, duke menduar që si ka mundësi që ky njeri nuk vdes nga helmi. Zoti në Ungjill na e ka thënë që nëse kemi besimin e vërtetë, edhe helm t’ju japin nuk do të helmoheni (shih Mt.16:18). Fuqia dhe mrekullia e besimit është jashtëzakonisht e madhe, por duhet të kemi parasysh që nuk duhet ta tundojmë Zotin. Ka njerëz që e tundojnë Zotin, të cilët mund të kthehen sot në shtëpi dhe të pinë helm, duke menduar që do t’i shpëtojë Zoti. Nëse do të pini helm, do të vdisni!

Zoti nuk plotëson teka, Ai plotëson nevoja. Siç e dini, një i ri në Rusi shkoi te guva e luanëve në kopshtin zoologjik dhe mendoi të futej atje, duke menduar që Zoti do ta shpëtonte. Kur u fut atje, e shqyen luanët. Zoti ka shpëtuar shpeshherë njerëz të tillë, por jo ata që e kanë tunduar Atë, jo ata që kanë teka. Kur të jemi në një nevojë të madhe dhe të kemi besim, Zoti do të na ndodhet pranë. Zoti nuk plotëson teka, se nuk na përkëdhel, Ai plotëson nevoja. Po ashtu edhe prindërit, nuk duhet të plotësojnë tekat e fëmijëve, por vetëm nevojat, vetëm ato që u duhen atyre.

Prandaj edhe Perëndia nuk na i plotëson dëshirat e kota, sepse e di që nuk janë për të mirën tonë.
Duke parë këto mrekulli, edhe magjistari u kthye dhe thirri me zë të madh që Perëndia i Gjergjit është Perëndia i vërtetë.
Si magjistarit edhe një të vdekuri që u ngjall nga fuqia e besimit dhe nga lutja e shën Gjergjit, perandori të dyve ua preu kokën. Pastaj urdhëroi që edhe Gjergjit t’i pritet koka. Në 23 prill, kur festojmë edhe ditën e tij, perandori e ekzekutoi atë. Po ashtu ekzekutoi edhe gruan e tij, sepse edhe ajo u bë e krishterë.

Jeta e shën Gjergjit nuk është jetë e një heroi tragjik. Ai e dinte që Zoti e kishte mundur vdekjen. Prandaj, apostujt dhe shenjtorët kishin fuqi kaq të madhe, sepse e dinin që Krishti e kishte mundur vdekjen, armikun e përbashkët të të gjithë njerëzve.

Në Ngjalljen e Krishtit duhet të gëzohemi të gjithë. Fitoret e tjera janë gjysmake: fiton një parti, hidhërohet partia tjetër, fiton një skuadër, hidhërohet skuadra tjetër, fiton një komb, hidhërohet kombi tjetër. Vetëm me fitoren e Krishtit mbi vdekjen, duhet të gëzohen të gjithë njerëzit, sepse Zoti mundi armikun e përbashkët të të gjithë njerëzve: vdekjen. Të gjithë njerëzit, pa përjashtim, do të vdesin. Vdekja është armiku i përbashkët i të gjithë njerëzve, dhe festa e Pashkës është pikërisht kjo: Mundja e vdekjes.

Ngjallja e Krishtit i fuqizoi apostujt dhe të gjithë shenjtorët, për të përhapur besimin. Shenjtorët janë martirë, sepse dëshmojnë. Fjala ‘martir’ ka të bëjë me dëshmuesin. Ky është kuptimi i parë i fjalës martir: ai që dëshmonte në gjyq. Edhe fjala shqipe ‘dëshmor’ vjen nga ai që jep dëshmi. Martirët janë njerëz që dëshmuan, edhe kur jeta e tyre ishte në rrezik. Ndërsa sot besimi është vakur dhe është ftohur. Njerëzit kanë turp të bëjnë edhe shenjën e kryqit në sy të njerëzve të tjerë, sepse nuk e kanë besimin e fortë. Askush nuk do të dënohet se bën shenjën e kryqit, askush nuk do t’i thotë gjë atij. Nëse e kemi besimin të fortë, do ta dëshmojmë atë. Besimi më i madh nuk është nga jashtë, se mund ta bëjmë edhe shenjën e kryqit, por dëshmia jonë nuk ka shumë fuqi. Besimi më i madh është me veprat tona, me ndryshimin tonë shpirtëror. Njeriu nuk ndryshohet nga jashtë, as se ndryshon xhaketën, edhe pse njerëzit mund të bëjnë reforma pafund. Në fakt, asgjë nuk ndryshohet nga jashtë.

I vetmi ndryshim është ndryshimi nga brenda, ku njeriu fillon të pastrojë zemrën e tij nga smira, ligësia, xhelozia, inatet, mëria, lakmia. Këto janë ato që e shkatërrojnë njeriun. Dhe jo vetëm atë, por edhe ata që janë rrotull tij.

Prandaj modeli i shenjtorëve është kaq i rëndësishëm për ne, dhe modeli i një shenjtori të madh si shën Gjergji, i cili ka bërë mrekulli jo vetëm kur jetonte, por gjatë gjithë shekujve. Prandaj, edhe fama e tij u përhap në të gjithë botën. Ai është një nga shenjtorët më popullor. Nuk ka vend ku ai të mos nderohet; mijëra kisha i janë kushtuar emrit të tij; shumë kombe e kanë zgjedhur si shenjtorin mbrojtës si Anglia, Gjeorgjia, etj. Edhe në vendin tonë kulti i shën Gjergjit ishte shumë i përhapur. Prandaj ka mbetur edhe në memorje që festohet në 6 maj me kalendarin e vjetër që përdorte atëherë kisha, sepse kulti i tij ishte shumë përhapur. Mrekullitë e tij të shumta ndodhnin përherë, ndaj kemi edhe shumë kisha që i kushtohen atij. Çdo ditë që festojmë këtë shenjtor të madh, le të kujtojmë jetën e tij dhe dëshminë tij të madhe, së bashku me të gjitha sakrificat që ai bëri për ta përhapur besimin e krishterë. Dëshmorët dhe martirët jo vetëm që shpëtojnë veten e tyre, por shpëtojnë edhe qindra njerëz rrotull. Sepse kur njerëzit shohin realisht dikë që dëshmon për të vërtetën, pa dyshim që do të tronditen prej saj dhe do të kthehen. Dhe kthimi i tyre do të thotë që jeta e tyre do të ndryshojë, do të largohen nga e keqja dhe do të përqafojnë të mirën, paqen dhe qetësinë.

Gëzuar dhe për shumë vjet të gjithë ata që festojnë ditën e sotme.