Sot, më 8 maj 2026, në të kremten e Shën Joan Theologut, Apostull dhe Ungjillor, Fortlumturia e Tij, Joani, drejtoi Liturgjinë Hyjnore në Kishën e Ungjillëzimit në Tiranë. Më Kryepiskopin bashkëmeshuan Mitropoliti i Elbasanit, Hirësi Andoni, Episkopi i Amantias, Hirësi Ignati edhe klerikë të Kryepiskopatës së Tiranës.
Shën Joan Theologu kremtohet dy herë në vit, në 26 shtator, ditën e jetëndërrimit të tij dhe më 8 maj, për nder të mrekullisë që bën “Mana”, e cila buron nga varri i tij. Pas fjetjes dhe varrosjes së tij në Efes, varri i tij u gjend bosh dhe u bë vend mrekullisht. Çdo vit në këtë ditë varri gjendej i mbuluar me një lloj hiri, të cilin të krishterët vendas e quajtën “Manë”. Kur ata lyheshin me të, shëroheshin nga sëmundje të ndryshme të shpirtit dhe të trupit. Kështu, nga kjo mrekulli, Kisha vendosi ta kremtojë dy herë në vit Shën Joan Theologun, nxënësin e dashur të Zotit.
Predikimin e kësaj dite e mbajti Hirësi Ignati, i cili bëri një paralelizëm të mrekullisë nga varri i Shën Joan Theologut me mrekullinë e Ringritjes së Kishës sonë.
Në fund të Liturgjisë, Hirësi Andoni uroi Kryepiskopin Joan, i cili mban emrin e shenjtorit të dashurisë. Edhe pse zyrtarisht ai feston në 26 shtator, kjo e kremte e Shën Joanit na mbledh për të festuar dhe medituar mbi jetën dhe mësimet e tij.
Në fjalën e tij, Kryepiskopi Joan theksoi porosinë që shenjtori përsëriste vazhdimisht: “Doni njëri- tjetrin” dhe i nxiti të gjithë të pranishmit në Liturgji të jetojnë jetë shpirtërore, sepse pa jetë shpirtërore, nuk bëhemi dot të krishterë.
Ky kremtim u mbyll me urimin “Për shumë vjet, o Kryezot” që nxënësit e shkollës “Protagonistët” dhe besimtarët i përcollën Kryepikopit tonë.
Fjala e Fortlumturisë së Tij, Joani, në fund të Liturgjisë Hyjnore
Kisha e Ungjillëzimit, Tiranë, 8 maj 2026 (Tekst & Video)
Në Ungjillin e Shën Joanit përsëritet vazhdimisht: Doni njëri-tjetrin. Këto janë fjalët e Zotit, I Cili i përsërit vazhdimisht ato.
Përse Zoti e përsërit vazhdimisht këtë gjë? Ai e përsërit këtë që ajo të na ngulitet në mendje. Një gurë që të shpohet nga uji, nuk bëhet me dy a tre pika, por duhet me shekuj që pikojë uji mbi gur. Po kështu edhe zemrat tona të ngurta mund të shkrihen, pikërisht duke i përsëritur vazhdimisht këto mësime.
Sipas shembullit të Zotit, edhe Shën Joan Ungjillori i përsëriste vazhdimisht mësimet.
Tradita thotë që ai jetoi mbi 100 vjet dhe nga fundi i jetës së tij, kur nxënësit e mbanin prej krahu ai përsëriste po këto fjalë: Doni njëri-tjetrin. Pas shumë kohe, ngaqë i përsëriste shpesh këto fjalë, një nga nxënësit i thotë atij: Mësues, pse nuk na mëson edhe gjëra të tjera, se Ty Perëndia të ka shfaqur Misteret më të mëdha, ti ke qëndruar edhe pranë Zotit?
Ai i përgjigjet po me fjalët: Doni njëri-tjetrin, dhe i keni bërë të gjitha!
Kjo do të thotë që, nëse realisht do të kemi dashuri në shpirt, jemi me Krishtin. Nëse nuk kemi dashuri, edhe sikur në të gjitha Meshat të vijmë, në çdo shërbesë të marrim pjesë dhe të bëjmë çdo gjë tjetër, përsëri jemi larg Zotit, sepse emri i Zotit është DASHURI. Dhe kush qëndron në dashuri, qëndron në Zotin.
Ju uroj të gjithëve të keni bekimet e Shën Joan Ungjillorit, po ashtu edhe Kisha jonë. Dita e sotme, si çdo ditë shenjtorësh, është ditë festimi, por dhe ditë meditimi, për të parë se në çfarë gjendjeje shpirtërore jemi ne. Sot në botë, më shumë se çdo gjë tjetër, mungon jeta shpirtërore. Nëse nuk kemi jetë shpirtërore, nuk mund të bëhemi dot të krishterë.
Prandaj, le të përpiqemi të kemi jetë shpirtërore, sepse jeta shpirtërore do të na sjellë ndriçim, do të na bëjë të përulur; dhe përulësia do të sjellë hirin e Perëndisë.
Gëzuar ditën e sotme dhe për shumë vjet.
Krishti u ngjall!
Vërtet u Ngjall!
———-