Tiranë, 1 janar 2026
Me shkëlqim dhe përkushtim të veçantë u kremtua sot Liturgjia Hyjnore festive në Kishën Katedrale të Ngjalljes së Krishtit në Tiranë, me rastin e festës së Rrethprerjes së Zotit dhe kujtimit të Shën Vasilit të Madh. Liturgjia Hyjnore u krye nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë Fortlumturia e Tij, Imzot Joani, bashkë me Mitropolitin e Beratit Hirësi Astin dhe klerikë të Kryepiskopatës.
Kryepiskopi Joan në predikimin e tij theksoi rëndësinë e festës së dyfishtë të sotme – Rrethprerjes së Zotit dhe kujtimit të Shën Vasilit të Madh, i cili përbën model të përjetshëm episkopi, jo vetëm për veprën e tij baritore, por kryesisht për kontributin e tij shoqëror, i cili është një parametër thelbësor për jetën e çdo të krishteri. Duke iu referuar fillimit të vitit të ri, ai vuri në dukje se, edhe pse Viti i Ri nuk është festë fetare, Kisha në urtësinë e saj shenjtëron çdo aspekt të jetës njerëzore, sepse gjithçka që prek Zoti, shndërrohet në diçka të shenjtëruar.
Fortlumturia e Tij iu referua kërkimit të përgjithshëm të lumturisë nga njerëzit, duke kujtuar shembullin e Solomonit, i cili pavarësisht pasurisë së pamasë arriti në përfundimin se “kotësi e kotësive, gjithçka është kotësi”. Siç shpjegoi, të mirat materiale nuk mund ta ngopnin shpirtin e njeriut, sikundër mësojmë nga Shën Augustini: “O Zot, na krijove për Ty, dhe shpirti ynë nuk gjen prehje nëse nuk prehet tek Ti”. Pa jetën shpirtërore, ekzistenca e njeriut fillon e thahet – tha Kryepiskopi, duke theksuar se sot në të gjithë botën njerëzit janë të dëshpëruar; edhe kur janë të pasur, sepse u mungon ushqimi shpirtëror. Ai kujtoi edhe proverbën e lashtë të krishterë që nuk ka shenjtorë të trishtuar.
Veçanërisht iu referua fjalëve të Apostull Pjetrit drejtuar Krishtit: “O Zot, ku të shkojmë? Ti ke fjalët e jetës së përjetshme”, duke theksuar se vetëm fjalët e Ungjillit janë fjalë jete që i japin shpirtit gëzim dhe dritë.
Fortlumturia e Tij u drejtua me këshilla të veçanta të gjitha moshave: fëmijëve, që të lënë farën e Ungjillit të rrënjoset thellë në zemrat e tyre; të rinjve, që të kujdesen për vendimet e tyre, sepse një gabim i madh mund të shkatërrojë jetën e tyre; të pasurve, që të kujtojnë se “i Zotit është dheu dhe gjithçka që ndodhet në të” dhe të jenë administrues të mirë, duke bashkëndarë me të tjerët; familjeve, që të ruajnë dashurinë e parë dhe të kultivojnë paqen, sepse pa falje asgjë nuk qëndron; dhe të moshuarve, që të përgatiten për takimin me Perëndinë. “Nëse Zoti e aprovon jetën tonë, kemi fituar gjithçka, edhe sikur të kemi humbur gjithçka në këtë botë. Dhe e kundërta, nëse Zoti na dënon, ç’dobi kemi nëse kemi fituar tërë botën?” – përfundoi Kryepiskopi.
Urimet për 70-vjetorin e Kryepiskopit Joan
Në fund të Liturgjisë Hyjnore, Kryesekretari i Sinodit të Shenjtë, Arkimandriti Ignat Todri, në emër të klerikëve dhe të gjithë grigjës së Kishës uroi Fortlumturinë e tij, Kryepiskopin Joan për 70-vjetorin duke thënë:
“Fortlumturi! Kjo është dita që bëri Zoti, le të gëzohemi dhe le të ngazëllohemi në të! Me rastin e 70-vjetorit të ditëlindjes suaj, më lejoni që me gëzim dhe mirënjohje të thellë, t’ju shpreh dhe përcjell, në emër të të gjithë vëllezërve dhe motrave në Krishtin, urimet më të përzemërta dhe të ngrohta. Zoti t’ju bekojë dhe t’ju ruajë, sepse në qenien tuaj si hierark keni përgjegjësinë e drejtimit dhe të baritimit të Kishës sonë Orthodhokse.
Rrugëtimi juaj nuk ka qenë i lehtë deri këtu; i lindur dhe rritur në këtë qytet, në kohëra të vështira, keni ditur që me urtësi, mençuri dhe dëshirë të pakufij të ruani në thellësi të zemrës suaj besimin e patundur në Krishtin. Si pjesëmarrës i Kishës së nëndheshme, në kohët e shtrëngimit të madh, kur lutja dhe praktikat fetare qenë të ndaluara, arritët të mbanit ndezur flakën e besimit pa u trembur. “Zoti i njeh të vetët.”
Kur në vitet ’90, në portat e këtij vendi trokiti era e demokracisë dhe lirisë, ju si të gjithë të tjerët ndoqët Odisenë tuaj, por Kisha e Krishtit ishte Itaka përfundimisht. Ora e mirë trokiti; takimi me të lumurin dhe të paharrueshmin, Kryepiskopin Anastas, bëri të mundur që dëshira juaj të finalizohej, ju dorëzuat plotësisht Krishtit.
Pas mbarimit të studimeve tuaja theologjike u dorëzuat klerik, duke qenë njëkohësisht edhe pedagog i theologjisë dhe përkthyes i teksteve aq të domosdoshme kishtare. Perëndia i tërëmirë në gjithë urtësinë e Tij ju thirri në një detyrë më të lartë, atë të baritimit si peshkop. “Hiri u derdh në buzët e tua” – thotë Psalmisti.
Si një bari i mirë dhe i butë, i pajisur me cilësitë e duhura, barituat shpirtrat e besimtarëve të dioqezës së Korçës. Si një Atë i dhembshur dhe i kujdesshëm i ushqyet me fjalët e Hirit, duke qenë me ta, për ta dhe tek ata, i palodhur dhe i pandarë. Nuk ka asgjë më të lartë sesa shërbesa e përkujdesjes së shpirtrave, sepse bariu i Kishës nuk është vetëm kujdestar i trupave, por si mbikëqyrës dhe udhëheqës i Kishës – thotë Gojarti i Hirshëm.
Fortlumturi! Sot ju qëndroni si timonieri i Kishës sonë, edhe ne të gjithë, si pjesë e Trupit të Kishës, jemi përreth jush si bijtë dhe bijat tuaja të shtrenjta në Zotin. Çdo bir dhe bijë e Kishës e ndien si një obligim dhe përgjegjësi që t’ju mbështesë dhe përkrahë në çdo iniciativë të mirë për përparimin e komunitetit dhe përhapjen e Fjalës së Perëndisë. “Zoti i fuqishëm i jep forcë atij që shërben me përulësi dhe e mbështet në çdo hap të drejtë” – thotë Shën Grigori Theologu.
Fjala juaj, Fortlumturi, ka qenë dhe mbetet një dozë e saktë dhe e mirëpërcaktuar në çdo situatë dhe moment të udhëtimit të anijes së Krishtit, Kishës Orthodhokse. Përherë keni ditur t’i drejtoheni çdo kujt pa dallim, si një ikonë të Perëndisë dhe bij e bijë të Adamit dhe Evës.
Sot, në këtë jubile të rëndësishëm të 70-vjetorit të jetës suaj, ne të gjithë lutemi që Hiri i Shpirtit të Tërëshenjtë përherë t’ju mbulojë, t’ju ruajë, t’ju mbrojë dhe t’ju japë ndriçim, fuqi, energji, krijimtari dhe gatishmëri për të na udhëhequr, këshilluar, mësuar dhe dashur të gjithëve. Qofshin vitet tuaja të shumta dhe të bekuara! Me përulësi dhe dashuri puthim të djathtën tuaj! Për shumë vjet, o Kryezot!”
Urime të përzemërta përcolli edhe Hirësi Asti.
Dhoksologjia për Vitin e Ri
Në vijim, Kryepiskopi Joan drejtoi shërbesën e Dhoksologjisë për Fillimin e Vitit të Ri, gjatë së cilës iu drejtua lutje Zotit që është krijuesi dhe Zoti i shekujve të bekojë Vitin e Ri.
Pritja festive dhe keku i Shën Vasilit
Në atmosferën festive të ditës shtohet edhe përvjetori i 70-të i jetës së Kryepiskopit Joan, pasi sot, më 1 janar, feston ditëlindjen e tij – një përvjetor i veçantë që nuk shënon thjesht një moshë, por një jetë të tërë të jetuar si dëshmi e gjallë e hirit të Perëndisë, e besnikërisë ndaj Krishtit dhe e shërbimit të përulur ndaj Kishës dhe popullit.
Ndaj në vijim klerikë dhe besimtarë të shumtë morën pjesën në pritjen e organizuar te Qendra Sinodike, pranë Katedrales, ku sipas traditës Fortlumturia e tij, Joani bekoi dhe ndau për secilin pjesëmarrës kekun e Shën Vasilit të Madh. Të gjithë i përcollën urime të përzemërta dhe plot mirënjohje Kryepiskopit Joan për 70-vjetorin dhe për Vitin e Ri.
Udhëtimi i jetës së tij nga atezimi te njohja me Besimin Orthodhoks në kohën e komunizmit; nga studimet në Amerikë te kthimi në Shqipëri për të ringritur Kishën Orthodhokse; nga veprimtaria e tij 27-vjeçare në Mitropolinë e Korçës te froni i Kryepiskopit të Shqipërisë, dëshmon dorën e Zotit me shërbëtorin e tij besnik, i cili ndjek gjurmët e figurave të shquara të Etërve të Kishës sonë. Për shumë vjet, o Kryezot!
70 vjet jetë dhe dëshmi
Fortlumturia e Tij lindi në Tiranë më 1 janar 1956, në një Shqipëri të mbyllur, të persekutuar dhe zyrtarisht ateiste. U rrit në vitet më të errëta të diktaturës komuniste, në një kohë kur besimi ishte i ndaluar me ligj dhe shprehja fetare ndëshkohej me burg, internim apo edhe me vdekje. Megjithatë, siç dëshmon vetë ai, “nuk mundën ta mbyllnin derën e Zotit”.
Takimi i tij i parë me Krishtin ndodhi në mënyrë të mrekullueshme, përmes leximit të Dhiatës së Re në frëngjisht – në kohë kur të zotëroje një Ungjill ishte më e rrezikshme sesa të kishe eksploziv. Fjalët e Krishtit i rikthyen gëzimin e humbur të fëmijërisë dhe ndezën një etje të thellë shpirtërore, e cila do ta udhëhiqte gjithë jetën e tij.
Në fshehtësi të plotë, në vitin 1974, në bodrumin e një shtëpie private të Priftit Hero në Bestrovë të Vlorës, atë Kozmait, nën frikën e vazhdueshme të Sigurimit të Shtetit, u pagëzua dhe u bë pjesë e Kishës Orthodhokse të nëndheshme – një Kishë e vogël, por e gjallë, e ushqyer nga martirizimi, sakrifica dhe besimi i palëkundur. Në ato rrethana, gëzimi i Krishtit përjetohej me një intensitet të rrallë, që vetë Kryepiskopi Joan e ka cilësuar si të papërsëritshëm.
Pas rënies së regjimit komunist, studioi teologji në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Seminarin Teologjik Holy Cross në Boston, i mbështetur nga Kisha Orthodhokse Shqiptare, por me një premtim të qartë: kthimin në atdhe sapo Kisha të rihapte dyert e saj. Dhe ashtu bëri.
Në një Shqipëri të shkatërruar shpirtërisht e materialisht, u kthye për të shërbyer, duke zgjedhur vështirësinë dhe sakrificën. U bë njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Kryepiskopit Anastas duke qënë në të djathtë të tij në të gjitha sfidat, vuajtjet dhe persekutimet si bir besnik dhe i denjë i Kishës së shenjtë dhe Kryebariut të saj.
Prej 27 vitesh, Fortlumturia e Tij, Imzot Joani shërbeu si Mitropolit i Korçës, duke u bërë figurë atërore për dhjetëra priftërinj, mijëra besimtarë dhe për gjithë qytetin. Nën kujdesin e tij baritor, Mitropolia e Korçës u shndërrua në qendër të gjallë shpirtërore, kulturore dhe shoqërore. Restaurimi i katedrales historike të qytetit “Burimi Jetëdhënës” është jo vetëm projekt ndërtimor, por akt rikthimi i kujtesës historike dhe identitetit shpirtëror të Korçës.
Si anëtar i Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, nën drejtimin e Kryepiskopit të lumur Imzot Anastasit, Fortlumturia e Tij, Imzot Joani ka qenë dëshmitar dhe bashkëpunëtor i ringjalljes së mrekullueshme të Kishës në Shqipëri – ringjallje që shumëkush e quan mrekulli të kohëve moderne.
Mësimi i tij është thellësisht i bazuar mbi Ungjillin dhe mësimin e Etërve të mëdhenj të Kishës: “Pa sakrificë nuk ka gëzim, pa kryq nuk ka ngjallje, pa dashuri nuk ka jetë”. Ai na kujton se urrejtja shkatërron gjithçka, ndërsa egoizmi është e kundërta e dashurisë. Vetëm duke parë ikonën e Perëndisë në çdo qenie njerëzore, njeriu mund të quhet me të vërtetë i krishterë.






















