Mjedise dhe kushte mësimi bashkëkohore
 
     Sipas traditës, nisja e vitit të ri shkollor 2007-2008, në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të Kishës sonë u shënua ditën e parë me Shërbesën e Ajazmës, si bekim për mbarëvajtjen e tyre. Bashkë me përvojën e fituar vit pas viti dhe nivelin cilësor të mësimdhënies, për të përgatitur në mënyrë dinjitoze brezat e ardhshëm, veçohen kushtet bashkëkohore të klasave dhe niveli i mjeteve mësimore që ndihmojnë në përmbushjen e qëllimit. Këto shkolla shërbejnë si laboratorë të ringjalljes shpirtërore dhe morale të shoqërisë sonë.
    Në vitin e gjashtë të saj, shkolla shqiptaro-amerikane “Protagonistët” ndihet më e plotësuar me nxënës dhe staf. Sipas nëndrejtoreshës së saj, znj. Tatjana Dodbiba, këtë vit janë 11 klasa, me 172 nxënës dhe rreth 24 mësues, këta të gjithë të diplomuar sipas profileve. Në klasën e parë sivjet ka 34 nxënës të rinj.
    Mjediset e shkollës janë shumë të mira dhe fëmijët ndihen të kënaqur në to. Mësuese Irena tha se ky fillim viti ishte shumë domethënës. “Kuptohemi shumë mirë bashkë, janë fëmijë të dëgjueshëm dhe të dashur me njëri-tjetrin. Me librat, fletoret e punës dhe mjetet didaktike jemi pajisur si nxënësit ashtu edhe ne mësuesit.”
    Edhe shkolla fillore shqiptaro-greke “Frymë Dashurie”, në Durrës, hapi dyert në vitin e tretë të saj. Mësuese Elsa na tha se: “Viti i ri shkollor ka nisur mbarë. Në ditën e parë të shkollës, pas një programi festiv filloi mësimi.
    Klasat ishin të pajisura dhe të rregulluara mjaft mirë ndërsa nxënësit të pajisur me të gjithë librat. Që në ditën e parë të mësimit mësuesit dhe nxënësit filluan realizimin e programin mësimor. Nxënësve iu dha orari i mësimeve, i cili zbatohet me korrektësi”.
    Atmosfera e fillimit të shkollës u përjetua me gëzim edhe nga fëmijët e Shtëpisë së Fëmijëve “Shpresa”. Nga 30 që ajo mirëpret, 11 prej tyre ndjekin mësimet në shkollën “Frymë Dashurie”, duke pasur edhe ndihmën në edukim të personelit të Shtëpisë, prej 17 punonjësish. Kisha jonë me kujdesin e veçantë të Kryepiskopit Anastas ka mundësuar mbulimin e të gjitha shpenzimeve, përfshirë edhe ato shkollore.
    Edhe në Mitropolinë e Gjirokastrës nisi viti i ri arsimor me shumë bekime nga Perëndia. Në Shkollën e Mesme Kishtare “Kryqi i Nderuar” u krye Shërbesa e Ajazmës nga Mitropoliti Dhimitër, i ndihmuar edhe nga arkimandrit Nathanaili dhe murgu Serafim. Në ceremoni merrnin pjesë prefekti i Gjirokastrës, z. Spiro Ksera, drejtori i përgjithshëm i arsimit të rrethit, z. Vasil Muka, qeveritarë, si edhe personalitete të spikatura të kulturës dhe arsimit në qytet.
    Bekimi i fillimit të vitit të ri arsimor u zhvillua në oborrin e shkollës, ku 62 nxënësit, bashkë me mësuesit e tyre dhe të ftuar të tjerë nga zona të ndryshme të Mitropolisë morën bekimin për nisjen e një viti të mbarë shkollor. Atmosferën e bënin edhe më të veçantë fëmijët e kopshteve të Kishës, të cilët kishin mbushur mjedisin me harenë e moshës dhe zërat e gëzuar.
    Këtë vit Kisha jonë në Gjirokastër ka hapur kopshtin e tretë në lagjen Granicë, pas kërkesave të shumta dhe nevojave të besimtarëve, për të edukuar fëmijët e tyre në një mjedis shumë të ngrohtë.
    Në fjalën përshëndetëse, Mitropoliti Dhimitër nënvizoi: “Të gjitha këto vepra nuk bëhen pa mundim dhe sakrifica dhe i pari i mban Kryepiskopi Anastas. Interesimi që ai tregon mbulon të gjitha nevojat tona materiale. Besimi i tij është se ju përbëni ecjen përpara të Kishës sonë në shoqërinë njerëzore në çdo pikë të globit. Të jeni të parët në mësime, në moral dhe në ndjenjën e përpjekjes. Sjellja juaj të jetë në një vijë me emrin që mban shkolla jonë. Kur jemi të lirë në mendim atëherë gëzojmë liri të madhe në jetë”- iu tha Hirësia e Tij nxënësve.
    Shkolla e Mesme Kishtare “Kryqi i Nderuar” ka një eksperiencë 10-vjeçare dhe përgatit kuadrot e rinj të Kishës, të cilët ndjekin më pas studimet në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, në Shën Vlash të Durrësit, ose ndjekin studimet në universitetet brenda dhe jashtë vendit. Krahas lëndëve të programit të miratuar nga Ministria e Arsimit zhvillohen edhe disa lëndë fetare, të cilat përgatisin dhe forcojnë jetën shpirtërore të liceistëve.
     Sivjet, 16 nxënës të ardhur kryesisht nga zonat jugore të vendit, si Gjirokastër, Sarandë, Përmet dhe Tepelenë si edhe nga zonat e minoritetit u bënë pjesë e kësaj shkolle, së bashku me 12 nxënësit e vitit të dytë, 19 nxënësit e vitit të tretë dhe 15 maturantët e vitit të fundit. Mësimet nga 62 nxënësit e shkollës ndiqen përmes një burse vjetore të akorduar nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas.
Gjithashtu, në vitin e dytë të saj çeli dyert edhe shkolla profesionale në Mesopotam të Sarandës, ku studiojnë 104 nxënës në degët: Informatikë, instalime hidraulike, instalime elektrike dhe instalime frigoriferike. Në bisedën që patëm me drejtorin e kësaj shkolle z. Orfea Beci, mësuam se këtë vit ka pasur shumë kërkesa dhe numri i pranimeve të nxënësve ka qenë i kufizuar. Arsimi kishtar dhe profesional në Mitropolinë e Gjirokastrës po njeh nga viti në vit një përparim të dukshëm duke shërbyer si një fidanishte e të ardhmes së Kishës dhe të shoqërisë shqiptare.
    Për herë të parë këtë vit u hap në Sukth të Durrësit edhe Shkolla e Mesme Kishtare “Kryqi i Nderuar”, me 22 nxënës në vitin e parë dhe 15 në vitin e dytë. Stafi administrativ e pedagogjik i kësaj shkolle është mjaft i përgatitur për të kryer detyrën në formimin edukativ dhe shpirtëror të të rinjve. Përveç mjediseve të tjera, shkolla ka edhe një konvikt ku kushtet ashtu si gjithë ambientet e saj janë nga më modernet.
    Organizimi shumë i mirë për fillimin e mbarë të vitit të ri shkollor në shkollat e sistemit 9-vjeçar dhe të mesëm të themeluara dhe të mbështetura nga Kisha jonë, me bekimin dhe mundësitë e krijuara nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, tregon vlerësimin e madh që i jepet formimit të një brezi të ri me dije e kulturë, por edhe të formuar shpirtërisht për të ardhmen e vendit.
     Përgatitën: Isidor Koti, Julia Pjetri, Marina Marini, Gabriela Dalipi