E kremtja e Fjetjes së Nënës të Zotit Krisht u festua me madhështi në të gjitha kishat dhe familjet orthodhokse të Kishës sonë. Kjo është një ditë e veçantë panairi për të gjithë besimtarët e krishterë orthodhoksë. Festa filloi mbrëmjen e 14 gushtit me Shërbesën e Mbrëmësores së Madhe dhe u kurorëzua të nesërmen me Liturgjinë hyjnore.
    Mitropolia e Tiranës
    Në Manastirin e Shën Vlashit pranë Durrësit ishin mbledhur me qindra besimtarë të ardhur nga disa qytete. Rrugët me kalldrëm dhe lëndinat e manastirit ishin mbushur plot dhe “jetonin” së bashku me njerëzit, të cilët me qirinj në dorë ndiqnin edhe jashtë kishës nëpërmjet megafonëve shërbesat e Kishës dhe me besim tek Perëndia dhe lutje drejtuar të Tërëshenjtës Mari, Nënës së Zotit, Asaj që mbarti dritën, drejtoheshin tek vendi i shenjtë.

    Në datën 14 shërbesat e Mbrëmësores dhe Pasdarkës u kryesuan nga Hirësi Nikolla, Episkopi i Apollonisë dhe ndihmësdrejtori i Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”. Psalën kori i Akademisë dhe të rinj të tjerë.
    
    Në datën 15 gusht, pasi kishin kaluar natën me lutje dhe meditim në ambientet e Manastirit, besimtarët morën pjesë në mëngjes në Liturgjinë Hyjnore, që u kryesua nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas.

    E veçanta e kësaj dite të gëzueshme ishte kur Kryepiskopi Anastas hirotonisi në prift, dhjakonin Mihal Prifti, i cili më tej do të shërbejë në zonën e Gramshit. Pas liturgjisë, të gjithë me besimin tek Jisu Krishti u larguan për ta shpërndarë në botë dritën e Pashkës së Vogël të verës.
    Mitropolia e Beratit
   Pashkët e vogla të gushtit kanë një bukuri mahnitëse në Berat, sepse besimtarët këtë ditë i drejtohen Kryenënës, Hyjlindëses Mari, në disa tempuj, si në Vodicë, Mbreshtan, Sinjë, Rrupaj, Zvërnec, Pojan etj. Në dy prej tyre celebroi sivjet dhe Mitropoliti i Beratit, Imzot Ignati. Me qindra besimtarë e kaluan natën në strehën e këtyre tempujve çudibërës.
    Në Vodicë Mbrëmësoren e drejtoi Hirësi Ignati, i cili në prani të shumë besimtarëve solli mesazhin e kësaj dite: “Hyjlindësja respektohet, himnohet, se ajo na dha Krijuesin e gjithësisë, Udhërrëfyesin e jetës, Dritën e paperënduar në udhën tonë”.
    Ndërsa të nesërmen, ne fshatin Rrupaj të Lushnjes, Imzot Ignati hirotonisi në gradën e dhjakonit, studentin e sapodiplomuar në Akademinë Teologjike “Ngjallja e  Krishtit” z. Anastas Vrapi.
    Mitropolia e Korçës
   Mes dhjetëra besimtarëve të ardhur nga qyteti dhe zonat përreth, në manastirin e ri që është në ndërtim e sipër “Fjetja e Hyjlindëses Mari” në Boboshticë, u kremtua me bukurinë e ditës së Nënës së Zotit 15 gushti.
    Qyteti me tradita të hershme në besimin orthodhoks përjetoi një mbrëmje të veçantë pangjirike disa kilometra larg tij, pikërisht në Boboshticë në Shërbesën e Mbrëmësores së Madhe ku dhjetëra besimtarë e kaluan natën në agripni, me lutje drejtuar Shën Marisë për të ndërmjetuar tek Biri i saj, Jisu Krishti.
     Të nesërmen në mëngjes, Liturgjinë Hyjnore e drejtoi Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani, i cili i përshëndeti besimtarët duke theksuar që të kërkojnë gjithmonë lutjet e Nënës së Zotit për begatinë e jetës së tyre.
    Shumë pelegrinë kishin ardhur në Boboshticë, midis të cilëve edhe emigrantë që jetojnë e punojnë në Greqi. Manastiri qëndroi i hapur deri në orët e vona të datës 15 gusht për arsye të vizitave të shumta nga besimtarët. Përveç urimeve, korçarët bënë edhe shumë vizita në shtëpitë e njëri-tjetrit, duke uruar për shumë vjet gëzuar festën.
    Mitropolia e Gjirokastrës
   Si rrallë herë, në qytet dhe në fshatrat e zonës së minoritetit në Dropull dhe të krahinave të Lunxhërisë e Zagorisë, mes banorëve të përhershëm kishin ardhur me mijëra emigrantë shqiptarë për të kaluar pushimet në atdhe dhe për të festuar 15 gushtin, ose siç quhet në gjuhën popullore “Pashka e vogël e verës”.

    Për herë të parë kjo e kremte e shënuar u festua me Mitropolitin e Gjirokastrës, Hirësi Dhimitrin, i cili mes qindra besimtarëve kreu në fshatin Dervician shërbesat e Mbrëmësores së Madhe ditën e martë në mbrëmje dhe Liturgjinë Hyjnore të nesërmen në mëngjes, më 15 gusht.
    Për banorët e shumtë të Dervicianit do të mbetet e paharruar kjo ditë, pasi i gjithë vendi ishte i pushtuar nga përgatitjet e festës së Tërëshenjtës Mari. Në pragun e shtëpive shikoje ikonën e Tërëshenjtës Mari dhe kandili që ndriçonte gjatë gjithë mbrëmjes. Pasdite vonë u krye shërbesa e Mbrëmësores dhe bashkë me Mitropolitin Dhimitër dhe klerin, radha e gjatë e besimtarëve bëri litani rreth kishës “Fjetja e Hyjlindëses Mari” dhe më pas u drejtua në qendër të fshatit. Me qirinj në duar dhe duke kënduar psalme, atmosfera dukej më shumë se emocionuese.
    Një panair i jashtëzakonshëm, i mbushur me lutje dhe himne. Mitropoliti Dhimitër i përshëndeti besimtarët e shumtë, kryesisht ata të ardhur nga emigracioni, duke iu bërë thirrje të përpiqen që, përveç të mirave materiale, të sigurojnë gjatë jetës së tyre edhe shpëtimin e shpirtit. Të nesërmen, sërish në kishën e fshatit Dervician, u krye Liturgjia Hyjnore ku morën pjesë edhe përfaqësues të ndryshëm të politikës dhe shoqërisë civile në këtë zonë, si dhe besimtarë të shumtë të fshatrave të Dropullit dhe me tej.
    Vlen të përmendet edhe ardhja në këtë të kremte e një grupi të Lidhjes së Grave Orthodhokse nga Durrësi, të cilat kishin qenë të pranishme një natë më parë edhe në Labovë të Kryqit, duke bërë lutje së bashku në kishën e të Tërëshenjtës Mari. Atmosfera festive vazhdoi edhe pas Liturgjisë Hyjnore, ku qindra besimtarë ishin mbledhur në sheshin përreth kishës.
    Festa e Tërëshenjtës u kremtua me panaire, me bukurinë dhe veçantinë e saj, edhe në qytetet e tjera të Mitropolisë së Gjirokastrës: Sarandë, Delvinë, Përmet dhe Himarë. Në to ka shumë kisha që mbajnë emrin e Tërëshenjtës Mari dhe sipas disa besimtarëve me të cilët kontaktuam përmes linjës telefonikë, atmosfera festive u shoqërua me lutje të përbashkëta dhe përfundoi me drekën tradicionale.
Julia Pjetri & Thoma Dhima
Dhjakon Dhimitër Loshi & Sotiraq Mishaxhiu
At Jani Trebicka & Theodhor Peci
Isidor Koti & Joan Meni