Takimet vjetore të rinisë orthodhokse në dioqezat e Kishës sonë dhanë mesazhin e gëzimit dhe shpresës në Zotin Krisht. Këto veprimtari tradicionale kanë marrë një simbolikë të veçantë dhe të shumëpritur, sepse bashkojnë të rinjtë në “një shtëpi” të përbashkët, pikërisht në Kishë, aty ku adhurohet e lavdërohet Perëndia. Me këtë qëllim organizohen edhe takimet rinore për t’i njohur ata me njëri – tjetrin dhe për t’u afruar më shumë me Perëndinë.

    “Rruga drejt lirisë”, ishte kjo tema dhe mesazhi i takimit së rinisë orthodhokse “Bij të Dritës”, që u zhvillua në Pogradec, nga 19 – 21 tetor. Veprimtaria, ku morën pjesë 85 përfaqësues nga e gjithë dioqeza, u organizua nga Zyra e Rinisë pranë Mitropolisë së Shenjtë të Korçës, e mbështetur nga Zyra Kombëtare Rinore, pranë Kryepiskopatës së Shenjtë.

    Tema ishte interesante dhe të rinjve iu shpjegua nën këndvështrimin e krishterë, se frika vjen si pasojë e natyrës sonë të rënë. Si rrjedhojë, kjo frikë mund të kapërcehet vetëm duke qenë të lirë më Zotin. Gjatë aktivitetit, përveç shërbesave kishtare dhe veprimtarive kulturore e sportive u krye edhe një ekskursion në Volorekun e bukur dhe piktoresk.

    E diela, që ishte edhe dita përmbyllëse e takimit, filloi me pjesëmarrjen në Liturgjinë Hyjnore, e cila u krye nga Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Joani. Menjëherë pas saj, Imzot Joani zhvilloi një takim me të rinjtë dhe mbajti një fjalë mbi temën qendrore të veprimtarisë, ku ndër të tjera theksoi se: “Historia e gjatë e njerëzimit e ka provuar, ndonëse jo teorikisht, se jo çdo plotësim i kënaqësive trupore do të thotë një gjendje lirie për trupin; ai jo vetëm që nuk është i lirë, por dalëngadalë fillon dhe skllavërohet edhe më shumë, si nga jashtë ashtu edhe nga brenda dhe kufizimet e ndryshme janë ndihmë për njeriun që të arrijë lirinë e tij të plotë…”

    Pataj, në katin e poshtëm të kishës u shtrua edhe një drekë, në të cilën mori pjesë edhe Hirësia e Tij Joani. Në fund të rinjtë u ndanë me njëri – tjetrin, duke falënderuar Zotin, sepse ky aktivitet iu dha atyre një dritë tjetër në jetën e tyre.

    Qyteti 2400-vjeçar i njëmijë e një dritareve, Berati, mirëpriti nga datat 2 – 4 nëntor, të rinjtë orthodhoksë të kësaj Mitropolie, në takimin me temë: “Të gëzuar me shpresën e Zotit”. Në këtë takim merrnin pjesë disa nga studentët e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, Shën Vlash, Durrës, të cilët ishin dhe drejtuesit e grupeve.

    Referati i parë u mbajt nga Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij Ignati, i cili tha ndër të tjera se: “Ekzistenca jonë ngjan me një anije që çan detin e jetës dhe ka si paracaktim qiellin. Por shpesh herë ky det tronditet nga dallgët e ngasjeve dhe sulmohet nga erërat e fuqishme të provave të ndryshme.

    Dhe në këtë rast skafi i ekzistencës sonë lëkundet dhe rrezikon të përplaset në shkëmbinjtë nënujorë të dëshpërimit dhe të pabesisë. Kështu që na duhet spiranca, domethënë shpresa, por me një ndryshim, se kjo nuk mbështetet në rërën e fundit të detit të paqëndrueshëm, por në shkëmbin e palëkundur të Perëndisë së tërëfuqishëm. Nuk lëshohet poshtë, por depërton në qiellin, që mbahet nga vetë Zoti i gjithëpushtetshëm… II lumur, me të vërtetë, është ai, i cili ka shpresë të tillë në Perëndinë. Sepse “shpresa nuk të gënjen” (Rom: 5, 5).

    Më pas, murgu Serafim foli mbi temën e vetëvrasjes dhe pasojave të saj. Programi vijoi në kalanë e lashtë të qytetit, të njohur për kishat e saj orthodhokse, ku kush nuk e kishte vizituar më parë u njoh me vlerat e saja historike.

    Takimi vazhdoi me referatin e z. Miron Çako, me temë: “Mos kini frikë, unë e munda botën”. Ai foli rreth frikës nga Perëndia, vetvetja, njerëzit, natyra dhe vdekja, duke theksuar se duke zbatuar porositë e Perëndisë një i krishterë nuk duhet të ketë frikë nga asgjë, sepse për të kujdeset Zoti. Në mbrëmje, studentët e Akademisë prezantuan veprimtarinë dhe jetën e shkollës me anën e pamjeve nga mësimi dhe veprimtaritë e ndryshme.

    Ditën e diel, Liturgjia Hyjnore u krye në kishën e Shën Spiridhonit dhe u drejtua nga Hirësia e Tij Ignati. Momenti kulmor i saj ishte kur pjesa më e madhe e të rinjve u kunguan me Trupin dhe Gjakun e Krishtit. Të rinjtë u larguan nga ky takim, duke marrë bekimet e Imzot Ignatit, i cili me dashurinë e tij atërore i ftoi të merrnin pjesë sërish në veprimtaritë e ardhshme të gëzuar me shpresën e Zotit.

***

    Në mjediset e hotel “Universi”, në qytetin e Elbasanit, nga 23 – 25 nëntor, rreth 90 të rinj të ardhur nga Shkodra, Durrësi, Kavaja, Tirana, Gramshi, Elbasani, Fikasi, Shtërmeni, Librazhdi dhe Shijoni, morën pjesë në takimin e tyre të përbashkët, duke shkëmbyer përvoja të dobishme. Për herë të parë në historinë shumëvjeçare të këtyre takimeve, morën pjesë edhe të rinj nga Bajram Curri, ku Kisha jonë po organizon veprimtari të larmishme me të rinj dhe të reja.

    Referati i parë u mbajt nga znj. Ekaterina Papadhopulli. Ajo e organizoi referatin duke i ndarë të rinjtë në grupe, ku secili fliste rreth një historie, që kishte lidhje me temën e takimit.

    Referatin e dytë e mbajti Hirësi Nikolla, me temë: “Krishti, shpresa jonë”.

    “Të rinjtë e humbin shpeshherë shpresën dhe kjo i çon ata në vetëvrasje, në depresion etj., por nëse ekziston Krishti në zemrat tona shpresa nuk shuhet kurrë. Hiri i Perëndisë na forcon dhe na jep potencial për të përballuar çdo vështirësi, sepse Krishti është shpresa jonë e vetme”- theksoi ai.

    Gjatë referateve të rinjtë i drejtuan shumë pyetje folësve rreth çështjeve që i përkasin problematikave më aktuale.

    Në takim u zhvilluan shërbesa lutjesh të ndryshme si: Mëngjesorja, Mbrëmësorja, Pasdarka dhe Paraklisi. Nuk mungonin edhe lojërat e ndryshme, programet argëtuese, dikutimet në grupe etj. Të dielën, të gjithë së bashku morën pjesë në Liturgjinë Hyjnore, që u krye në Kishën e Shën Thanasit, për të falënderuar Perëndinë për të gjitha bekimet që jep në jetën tonë. Pas saj u bënë falënderime të veçanta nga çdo grup rinor.

***

    Takimi i fundit për këtë vit me të rinjtë dhe të rejat orthodhokse ishte veprimtaria studentore në Manastirin e hirshëm të Shën Vlashit, pranë Durrësit, që u zhvillua në datat 15 – 16 dhjetor, me temë: “Pse lindet Jisu Krishti?” Morën pjesë rreth 80 studentë nga disa qytete të vendit. Referues mbi temën ishin Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani dhe Episkopi i Apolonisë, Hirësi Nikolla, të cilët folën për mesazhin kryesor të Krishtlindjes dhe për ringritjes e Kishës sonë në këto vite.

 

 

     Përgatitën:

     Ana Baba, Mihal Sonellari, Harallamb Meçi, Emanuel Pupi