U festua dhe sivjet me madhështi kujtimi i Hierodëshmorit të shenjtë Kozmait në Kolkondas (nga Etolia). Siç është bërë zakon prej shumë dekadash, dita e festës së tij mbledh besimtarët shpresëtarë jo vetëm nga zona përqark vendit të prehjes dhe manastirit të tij në Kolkondas, por edhe nga krahina më të largëta dhe nga njerëz që u përkasin feve të ndryshme. Kështu vërtetohet edhe një herë fjala e psalmistit që thotë për njerëzit e Perëndisë, shenjtorët: “Në tërë botën u përhap fama e tij…” , d.m.th. se ata nderohen jo vetëm nga besimtarët e një krahine dhe një kohe, por edhe nga njerëz jo-besimtarë të vendeve dhe kohërave të ndryshme.
               
    Edhe pse kjo verë, jo vetëm për vendin tonë, por edhe për tërë zonën e Ballkanit ka qenë shumë e thatë por edhe e nxehtë (konsiderohet si vera më e nxehtë e 100 vjetëve të fundit), kjo gjë nuk pengoi aspak besimtarët dhe gjithë të tjerët të merrnin rrugën për në Manastirin e Shën Kozmait në Kolkondas, për të nderuar shenjtorin, për të lënë tek ikona e tij dhimbjet e zemrave të tyre, për ta falënderuar atë, për të marrë bekimin e tij në vendin ku përreth 200 vjet prehet trupi i tij.
    Në prag të festës që një ditë përpara, ata filluan të drejtoheshin tek manastiri. Vargu i tyre sa vinte edhe përzgjatej kaq sa ishte e vështirë t’i afrohej lirshëm dikush. Të gjithë me durim prisnin t’i afroheshin territorit të manastirit dhe të merrnin bekimin e shenjtorit. Në vigjilje të festës u krye shërbesa e Mbrëmësores së Madhe. Gjithë natës kisha e manastirit qëndroi hapur dhe gjatë saj kaluan me qindra besimtarë.
               
    Në mëngjes u krye nga Hirësia e Tij Mitrpoliti i Beratit, Vlorës, Kaninës, dhe gjithë Myzeqesë Imzot Ignati me madhështi Liturgjia Hyjnore ku morën pjesë shumë klerikë dhe dhjakonë, ndërsa në psaltir dominonin zërat e tingëllues të të rinjve orthodhoksë që kishin ardhur nga zona të ndryshme të vendit, të cilët në mënyrë korale i psalën himnet përkatëse me ritme të hijshme të muzikës bizantine. Predikimi u bë nga vetë Hirësia e Tij Imzot Ignati, i cili foli me mënyrë të thjeshtë dhe të kuptueshme për jetën dhe veprën e Shën Kozmait. Në fund të Liturgjisë Hyjnore u krye edhe litania rreth kishës së manastirit dhe u nda si bekim nafora.
   
    Përshtypje dhe mbresa të mira la dhe pjesëmarrja e disa besimtarëve nga vendi fqinj grek; klerikë, profesorë universiteti si dhe besimtarë të tjerë nga qytete të ndryshme erdhën për të nderuar shenjtorin. Pas kryerjes së Liturgjisë Hyjnore të gjithë morëm rrugën e kthimit, duke falënderuar Perëndinë për mrekullitë e Tij që ka bërë me shenjtorët. Të gjithë bëmë një urim që edhe ky vend i shenjtë të banohet një ditë me njerëz që do t’i përkushtohen Perëndisë, Kishës, njerëzve dhe atdheut me dashuri siç bëri edhe mësuesi ynë, Ati i shenjtë Kozma.
Atë Kozma Sovjani dhe Harallamb Meci