|
Fundviti i gjeti aktivistet e Lidhjes së Grave Orthodhokse “Përhapja e Dashurisë” në Tiranë të impenjuara në aktivitete të larmishme. Në aspektin shpirtëror, ato kanë marrë pjesë në takimet e përjavshme në drejtimin e etërve të Kishës. Gjatë muajve shtator – tetor janë zhvilluar tema interesante mbi lutjen, pendimin dhe besimin nga folës të ndryshëm, si: Hirësi Ilia, Hirësi Andoni, atë Ilia dhe z. Miron Çako. |
|
|
|
Veprimtaret e Lidhjes së Grave Orthodhokse “Përhapja e Dashurisë” në Tiranë, kanë bërë vizita të vazhdueshme në shtëpitë e disa grave të sëmura. Ato kanë mbështetur shpirtërisht në çastet e vështira që kalonin Kristinën, Elenin, Ana-Marian etj., por edhe i kanë ndihmuar ato edhe materialisht. |
|
|
|
Një tjetër veprimtari e Lidhjes së Grave Orthodhokse të Tiranës janë vizitat tek personat e moshës së tretë, kategori që përjeton vështirësi shëndetësore dhe shpirtërore, ndërsa disa të tjerë janë braktisur nga fëmijët. Lidhja e Grave Orthodhokse të Tiranës i viziton shpesh këto njerëz dhe përkujdesen me shërbime të ndryshme vullnetare si blerje ilaçesh, gatim, pastrim shtëpie etj. Të moshuar, gra edhe burra kanë shprehur edhe dëshirën për vizitën e një prifti në shtëpitë e tyre, për të kryer misterin e Pendim – Rrëfimit dhe marrjen e Kungatës Hyjnore. Janë organizuar gjithashtu edhe veprimtari argëtuese dhe Tryeza Dashurie, me pjesëmarrjen e të moshuarve në mjedise të ndryshme të Kishës, si në Qendrën shpirtërore – arsimore “Thavor”, në Tiranë ashtu edhe në manastirin e shën Vlashit, në Durrës. |
|
|
|
Në mjediset e zyrës, pranë Kishës “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë, çdo të martë dhe të enjte të çdo muaji, bëhen pritje për njerëzit në nevojë. Gratë orthodhokse njihen me problemet e tyre dhe shpeshherë i mbështesin me këshilla shpirtërore, por edhe me ndihma me ushqime dhe veshmbathje. Ndihmohen kështu rreth 200 persona, si dhe shumë të sëmurë mbështeten financiarisht për të blerë ilaçe, ndërsa disa të tjerë të pastrehë ndihmohen për të pagur një pjesë të qerasë mujore etj. |
|
|
|
Çdo muaj në azilin shtetëror të Tiranës përgatitet një drekë për 35 të moshuar. Fondi i këtij aktiviteti, ashtu sikurse të gjitha shpenzimet që kryhen për të ndihmuar personat në nevojë, sigurohet nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas. Të moshuarit presin me padurim ditën që gratë e Kishës do t’i vizitojnë. Mendja e tyre nuk është përqendruar vetëm tek ushqimi, por kryesorja është dashuria që ata lexojnë në zemrat e tyre. |
|
Gjithashtu, dy herë në muaj kryhen vizitat në burg, me objektiv përhapjen e dashurisë së krishterë për të ngjallur shpresën në zemrat e të dënuarve, të privuar përkohësisht nga liria. Këto vizita kanë përfshirë mbështetjen shpirtërore dhe emocionale, por nuk kanë lënë mënjanë edhe ndihmesën sociale. Kështu për shembull, gjatë muajit tetor krahas bisedave të zakonshme që zhvillohen me gratë e dënuara, u dhuruan disa prodhime ushqimore për 90 persona. |
Përgatitën: I.Koti, R.Shqevi



