|
Gëzimi i periudhës së Pashkës u shoqërua me veprimtari të shumta shpirtërore dhe kulturore me të rinj e të rej orthodhokse në bashkëpunim me Zyrën Kombëtare të Rinisë. Këto aktivitete janë kthyer në një traditë të pasur të rinisë sonë orthodhokse. Kisha jonë u jep mundësinë grupmoshave të reja për të njohur besimin orthodhoks dhe të bëhen anëtarë të një komuniteti të madh dashurie, me Krishtin në qendër.
|
||
|
Një aktivitet ditor pikërisht gjatë kësaj periudhe u zhvillua në Manastirin e hirshëm të Ardenicës, në Kolonjë të Lushnjës më 21 prill. Merrnin pjesë rreth 50 të rinj nga Bubullima, Kolonja, Vajkani dhe Verria.
|
|
|
![]() |
Në këtë aktivitet të rinjtë ndoqën midis të tjerave edhe prezantimin e Akademisë Teologjike, fjalën e ndihmësdrejtorit të Akademisë, Episkop Nikollës, dëshminë e një prej studentëve për mënyrën se si u bë pjesëtar i kësaj Akademie si dhe u njohën me programin e jetën akademikë dhe ftesën që i bëhet gjithsecilit për t’u bërë pjesë e këtij komuniteti.
|
|
|
Pas njohjes dhe bisedave mes të rinjve, aktiviteti vijoi me programin argëtues dhe një drekë të përbashkët. Të gjithë u larguan me mbresat më të mira nga kjo veprimtari.
|
|
|
![]() |
Po një aktivitetet tjetër i bukur e i larmishëm u zhvillua edhe në fshatin Krutje të Lushnjes në datën 22 prill ku morën pjesë rreth 150 të rinj nga Krutja, Libofsha, Bubullima, Shën Pjetri, Pojani, Topoja, Kolonja dhe Vajkani. Ky aktivitet ishte konceptuar si një ditë spartakiade ku grupet rinore konkurruan me njëri-tjetrin në veprimtari të ndryshme sportive.
|
|
|
Kjo veprimtaria nisi me një lutje të përbashkët, me prezantimin e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” dhe më pas u zhvilluan ndeshje volejbolli e futbolli ndërmjet grupeve pjesëmarrëse. Atmosfera ishte entuziaste dhe shumë të rinj përjetuan gëzimin e njohjes me njëri-tjetrin, si dhe lutjeve e adhurimin së bashku të Perëndisë.
|
![]() |
|
![]() |
Një takim tjetër ditor u zhvillua në Shkodër më 22 prill ku morën pjesë rreth 60 të rinj nga qyteti dhe zona e Vrakës. Ky aktivitet filloi me Liturgjinë Hyjnore dhe më pas u mbajt një referat nga Atë Ilia Mazniku. Tema kryesore e këtij aktiviteti ishte: “Ngjallja e Krishtit, gëzim për të gjithë”. Atë Ilia theksoi se Ngjallja e Krishtit është ngjarje triumfale për mbarë njerëzimin dhe Ai na hapi rrugën e shpëtimit.
|
|
|
Të rinjtë orthodhoksë duhet të ndjekin rrugën e Krishtit për të qenë anëtarë të denjë të Kishës. Pas referatit u organizuan aktivitete të ndryshme sportive dhe argëtuese. Kjo ishte një ditë e veçantë për të rinjtë orthodhoksë të Shkodrës dhe bashkëmoshatarët e tyre, të cilët kishin ardhur për të ndjekur këto aktivitete kaq të veçanta që organizon Kisha. Në fund të veprimtarisë u ofrua një koktej për të gjithë pjesëmarrësit.
|
![]() |
|
![]() |
Aktiviteti i fundit u zhvillua në Manastirin e hirshëm të Shën Joan Vladimirit në Elbasan. Shumë grupe rinore nëpërmjet pjesëmarrjes së tyre veçanërisht në kampet verore kanë fituar eksperiencë në bërjen e punimeve të ndryshme fetare: si ikona druri, komboskina etj. Duke parë rritjen e interesit të të rinjve lidhur me këto punime, edhe këtë vit vazhdoi organizimi i këtij aktiviteti në ambientet e Manastirit të hirshëm të Shën Joan Vladimirit në Elbasan, nga data 27 deri në 29 prill.
|
|
|
Në këtë aktivitet morën pjesë 60 të rinj kryesisht nga Kavaja, Gramshi, Shtërmeni, Kuqani, Elbasani dhe Shën Joan Vladimiri. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte që të rinjtë të njiheshin me njëri-tjetrin dhe të rritnin më tepër frymën e bashkëpunimit ndërmjet tyre. Në qendër të këtij aktiviteti ishte puna në grup e të rinjve, por gjithashtu një vend të rëndësishëm zunë edhe veprimtaritë shpirtërore dhe argëtuese. Të ardhurat që do të mblidhen nga shitja e punimeve do të përdoren veçanërisht për të ndihmuar personat në nevojë.
|
|
|
|
Jezuela Bardhi
|
||
|
|
||







