Pendimi
Misteri i Pendimit (ose i Rrëfimit) është akti ynë i pajtimit me Perëndinë dhe me Kishën, kur mëkati na ka ndarë prej jetës së Kishës. Kështu pra, pendimi është mënyra e Kungimit me Perëndinë, kur ky Kungim është prishur prej mëkatit. Në Traditën e Kishës, shpesh është quajtur si rinimi i Pagëzimit, ose si rivendosja e asaj gjendjeje të jetimit me Perëndinë, që i jepet njerëzve në misterin themelor të inagurimit në jetën e krishterë.
Jo çdo mëkat kërkon nevojën e Pendimit zyrtar nëpërmjet ritualit misteror. Kjo është e qartë, sepse njerëzit kurrë nuk janë krejtësisht pa mëkate. Megjithatë, disa mëkate të rënda ose ndarja e gjatë prej Kungatës së Shenjtë, kërkojnë aktin zyrtar të misterit të Pendimit. Gjithashtu, të krishterët që jetojnë në Kungim me Perëndinë, duhet të shkojnë rregullisht në misterin e Pendimit, me qëllim që ta përunjin vetveten në mënyrë të ndërgjegjshme para Perëndisë dhe të marrin udhëzime për jetën e krishterë nga bariu i tyre në Kishë. Kisha Orthodhokse mëson që Pendimi misteror (me prift) është i nevojshëm për ata që marrin Kungatën e Shenjtë dhe kanë bërë mëkate të rënda ose kur kanë qenë ndarë nga Kungata për një kohë të gjatë.
Misteri i Rrëfimit ekziston në Kishë, që të lejojë pendimin dhe rikthimin e të krishterëve që janë larguar nga jeta e besimit. Në Pendim janë tre elemente kryesore. I pari, është një keqardhje dhe një vrasje ndërgjegjeje për mëkatet e kryera dhe për prishjen e Kungimit me Perëndinë. I dyti, është një rrëfim i sinqertë nga zemra i mëkateve. Dikur, ky rrëfim bëhej publikisht para gjithë njerëzve, në mes të Kishës, por, në kohët e mëvonshme, zakonisht bëhet në prani të priftit, i cili paraqet gjithë Kishën. Elementi i tretë i Pendimit, është lutja e zgjidhjes së mëkateve, nëpërmjet së cilës falja e Perëndisë, nëpërmjet Krishtit, jepet mistikërisht mbi mëkatarin e penduar. Përmbushja e Pendimit qëndron në marrjen e Kungatës së Shenjtë dhe në pajtimin e vërtetë të mëkatarit të penduar me Perëndinë dhe me të gjithë njerëzit, sipas porosive të Krishtit. Pendimi kërkon, gjithashtu, nevojën e një përpjekje të sinqertë nga ana e pendimtarit, për të qëndruar larg mëkatit dhe për të bërë një bindje besnike ndaj Perëndisë dhe për të jetuar me drejtësi para Atij dhe para tërë popullit.
Misteri i Pendimit, ashtu si të gjitha misteret, është një element i jetës së Kishës, që presupozon një besim dhe bindje të fortë, që vetë Krishti është i pranishëm në Kishë me anë të Shpirtit të tij të Shenjtë. Një person, pa përvojën e Krishtit në Kishë, nuk do ta kuptojë kuptimin e misterit sakramental dhe nevojën për një rrëfim publik dhe të hapur të mëkateve. Kur Kisha është përjetuar si një jetë e re në Krishtin dhe si një Kungim i pastër me Perëndinë në mbretërinë e tij, që është tashmë e pranishme tek njerëzit nëpërmjet mistereve, atëherë, Pendimi misteror dhe rrëfimi i mëkateve jo vetëm që do të kuptohen, por do të përgëzohet si misteri i madh i Perëndisë, i cili është: mundësia unike për ribashkimin me Perëndinë, me anë të faljes së Krishtit, i Cili ka ardhur të shpëtojë mëkatarët që i rrëfejnë mëkatet e tyre dhe që sinqerisht dëshirojnë të ndryshojnë jetën e tyre, sipas rrugëve që Ai vetë iu ka dhënë.
Me një fjalë, Kisha Orthodhokse qëndron strikt në mësimin e Shkrimit të Shenjtë, që thotë, se vetëm Perëndia mund të falë mëkatet, se ai e bën këtë me anë të Krishtit në Kishë dhe se kërkohet një pendim i pastër dhe një premtim për ndryshim, gjë që dëshmohet nga rrëfimi; dhe që ky rrëfim përkufizohet si njohja publike dhe e hapur e mëkateve para Perëndisë dhe gjithë njerëzimit.