Në datat 26-28 maj u zhvillua pranë ambienteve të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në  Shën Vlash të Durrësit takimi 2-ditor i gjimnazistëve me temë “Udhëkryqi i jetës”. Në këtë takim morën pjesë rreth 100 gjimnazistë pothuajse nga të gjitha dioqezat kishtare si edhe nxënës të Liceut kishtar “Kryqi i Nderuar” të Gjirokastrës, pjesa më e madhe e të cilëve ishin maturantë. Programi dhe mbarëvajtja i takimit u organizua nga studentët e vitit të katërt të Akademisë Teologjike.
 
    Gjimnazistët që në momentin e mbërritjes u regjistruan dhe u akomoduan në ambientet e Akademisë. Më pas u ndanë në grupe, duke ndjekur në këtë mënyrë programin e konferencës. Rreth orës 18.30 të ditës së parë të aktivitetit të gjithë së bashku u mblodhën në kishën e Manastirit për të filluar aktivitetin me lutje, me shërbesën e Paraklisit. Ndërsa programi i mbrëmjes vazhdoi me veprimtari argëtuese  si valle,këngë dhe lojëra të ndryshme.
 
   Programi ishte shume i larmishëm, sepse përmbante aktivitete të ndryshme, duke përmendur këtu edhe diskutimet midis pjesëmarrësve gjimnazistë me studentët e Akademisë, diskutimet në grupe etj. Mjaft me interes ishte edhe prezantimi i Akademisë ku secili shikonte jo vetëm ndërtesat e këtij kompleksi madhështor, por njihej edhe me aktivitetin dhe programin e jetës akademike studentore. Ky prezantim përbënte edhe një ftesë për të gjithë gjimnazistët, për të parë Akademinë si pjesë të edukimit të tyre të mëtejshëm shpirtëror dhe formues, zgjidhje në udhëkryqet e jetës së tyre.
 
    Drejtori i Akademisë, Episkop Ilia Ketri, përshëndeti gjimnazistët duke i uruar mirëseardhjen dhe në fjalën e tij ai i këshilloi gjimnazistët të jenë vigjilentë në jetën e tyre dhe ta pranojnë thirrjen e Zotit në çdo drejtim të jetës, duke kryer gjithmonë vullnetin e Tij. Prezantimi përmbante një dëshmi nga një prej studenteve të vitit të katërt.
 
   Në pasditen e së shtunës pjesëmarrësit zhvilluan një shëtitje në plazhin e Durrësit, ndërsa në mbrëmje ndoqën programin fotografik të aktiviteteve 2-ditore.
 
    Ky aktivitet përfundoi ditën e diel pas Liturgjisë Hyjnore dhe gjimnazistët u larguan me përshtypjet më të mira dhe me shumë falënderime dhe mirënjohje për të gjithë ata që kishin mundësuar këtë aktivitet.

Sofia Bregu

studente në Akademinë “Ngjallja e Krishtit”