Studentët orthodhoksë të fakulteteve të ndryshme të Universitetit të Tiranës u mblodhën së bashku pasditen e së martës në Qendrën Studentore, më 19 dhjetor për të festuar ardhjen e Krishtlindjes. Salla e takimeve ishte e mbushur nga më shumë se 70 studentë, të cilët morën pjesë në programin festiv që ishte organizuar nga drejtuesit e kësaj qendre.Bashkë me urimet, këngët e festës, dhuratat dhe fishekzjarret, atmosfera festive krijoi një ngjarje të veçantë në Qytetin Studenti.
   
    I ftuar për të folur në takimin e fundit të këtij viti me studentët orthodhoksë ishte dhjakon Hektori. Ai foli për rëndësinë e kësaj feste në jetën e çdo të krishteri “Ne festojmë Krishtlindjen dhe harrojmë Krishtin. Krijuesi i universit bëhet pjesë e krijimit të Tij. E bëri këtë gjë në mënyrën më të thjeshtë. Midis shumë dritave të botës, ne të krishterët thirremi të meditojmë për këtë mister”
    Më pas, studentët lexuan histori të ndryshme Krishtlindjesh, iu lutën së bashku Krishtit foshnje, duke përgatitur një kartolinë të veçantë urimi, të cilën e vendosën në grazhdin e vendosur në një cep të sallës. Edhe pse në një shi të imët, ata dolën në ambientin e jashtëm të qendrës dhe ndezën fishekzjarrët e festës, duke uruar njëri-tjetrin për më shumë gëzim dhe besim më Krishtin.
 
  
     
    Nga kjo festë mbresëlënëse, të gjithë studentët u larguan me një dhuratë të bukur, e cila përmbante një mesazh Krishtlindjesh, një qiri dhe një bllok shënimesh – kujtim i paharruar nga Qendra Studentore e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
    
  
Isidor Koti