Dita e mërkurë, 20 dhjetor ishte paksa më e veçantë për gratë e Lidhjes së Grave Orthodhokse të Tiranës “Përhapja e Dashurisë”, të cilat marrin pjesë në takimet shpirtërore në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses Mari” çdo të mërkurë ora 16.00 si edhe për të ato gra, që takimet shpirtërore i zhvillojnë çdo të shtunë ora 11.00 në kishën e Shën Prokopit, pranë kodrave të liqenit. Me rastin e festës së Krishtlindjeve Lidhja e Grave mendoi të organizonte ndryshe takimin e përjavshëm shpirtëror.
  
   
    
    Tema e këtij takimi ishte “Të festojmë së bashku Lindjen e Krishtit”. Çdo  gjë kishte ngjyrat e festës dhe vendi gjithashtu ishte i zbukuruar si për festë. Qendra Rinore Orthodhokse “Bethlehem” priti atë ditë 70 gra, të cilat kaluan së bashku 2 orë të këndshme në diskutim dhe njohje më të afërt me njëra – tjetrën. Të ftuar në këtë takim ishin Episkop Andoni, Arkimandrit Kozma Prifti dhe Atë Viktor Bërdufi, ky i fundit prift përgjegjës në aktivitetet e Lidhjes së Grave Orthodhokse të Tiranës.
    Në fillim të aktivitetit znj. Rajmonda Shqevi, përgjegjësja e Lidhjes së Grave Orthodhokse të Tiranës, prezantoi punën dhe aktivitetet e kësaj Lidhjeje, që në momentet e para të krijimit të saj dhe deri në ditët e fundit të këtij viti, i cili po largohet për ti lënë vendin një tjetër viti. Znj. Rajmonda në fjalën e saj falënderoi të gjitha ato gra, të cilat kishin ndihmuar në mënyrë vullnetare në kryerjen e aktiviteteve sociale si edhe të gjithë ato që kishin qenë pranë kësaj Lidhjeje, duke ndihmuar në mënyra të ndryshme.
   
     
    Më pas ajo ia dha fjalën Hirësisë së Tij Andonit, i cili theksoi rëndësinë e festës së Krishtlindjes, duke kujtuar edhe njëherë atë për të cilën Krishti erdhi në tokë, duke na bërë kështu dhuratën më të bukur.
 
 
    Pasditja festive vazhdoi me një diskutim të hapur ku të gjitha gratë patën mundësinë të shprehnin mendimet dhe idetë e tyre për përmirësimin dhe shtimin e aktiviteteve në këtë Lidhje, duke falënderuar të gjithë ata që deri tani kishin bërë të mundur realizimet e shume programeve sociale. Njëkohësisht u diskutua edhe për realizimin e aktiviteteve dhe takimeve të ndryshme me të dyja grupet e grave, në të dy kishat, e cila u prit me shumë dëshirë nga të gjitha pjesëmarrëset.
 
    
     
    Ky takim i ngrohtë përfundoi me një koktej, nën sfondin e këngëve të Krishtlindjes, një foto e përbashkët dhe të gjithë morën një fletëpalosje ku ishin përshkruar disa nga aktivitetet e Lidhjes së Grave Orthodhokse të Tiranës “Përhapja e Dashurisë”.
 
    Urimi, Krishtlindje të bekuara ishte urimi që u përcoll në këtë takim dhe njëkohësisht të gjithë uronin për aktivitete të tjera të këtij lloji.
 
 
 
 
  Sonila Dedja