Të ndash kohën me njerëzit me aftësi të kufizuara është më shumë se një përvojë e rastit. Shërben dhe shërbehesh. Madje kur miqësohesh me ata kupton se nga një eksperiencë e tillë mëson dhe merr më tepër se sa kontribuon. Ti mund t’u falësh kohën, ndërsa ata një gjë edhe më të shtrenjtë: dashuri, falënderim, mirësjellje. Rreth 50 persona, midis të cilëve njerëz me aftësi të kufizuara dhe organizatorë e aktivistë të rinisë orthodhokse morën pjesë në datat 26-28 maj në veprimtarinë “Fundjava e miqësisë”. Një miqësi në fakt që nuk nis e përfundon në tre ditë, por vazhdon prej kohësh. U bënë katër vjet që Zyra e Rinisë Orthodhoksë në kalendarin e veprimtarive të shumta të saj ka shënuar në të kuq këtë aktivitet të shumëpritur.
Këtë vit kishte më shumë të rinj, ndërsa ata më të vjetrit zinin vendin e nderit, duke sjellë përvojën dhe entuziazmin e tyre. Tre ditë ishin një festë e vërtetë, si për të treguar se jeta është e bukur edhe pse mund të jetosh në karrige me rrota, të ecësh në paterica apo të vuash nga dhimbje psikologjike nga vështrime e fjalë të pahijshme.
Ndërsa të rinjtë orthodhoksë jo vetëm që organizuan shkëlqyer aktivitetin por edhe u bënë protagonistë të dashurisë që ofron një i krishterë, duke dhënë shembullin më të mirë. Këtë e mësuan dhe e përjetuan personat me aftësi të kufizuara, të cilët gjatë tre ditëve të miqësisë me të rinjtë orthodhoksë ofruan gjithçka nga zemra e tyre. Programi ishte i larmishëm me biseda, diskutime, njohje me njëri-tjetrin, lojëra e vallëzime dhe konkurse.
Një vend të veçantë në këtë veprimtari kishte edhe biseda me drejtorin e Akademisë Teologjike, episkop Ilia Ketri. Ai krijoi një ambient shumë familjar me fjalët e tij të urta dhe me historitë e mesazhet që transmetoi për personat me aftësi të kufizuara. Hirësi Ilia vlerësoi shërbimin dhe praninë e këtyre personave në çdo aspekt të jetës sepse ata në vuajtje sakrifikojnë gjithçka nga vetja e tyre, ashtu sikundër Krishti dha shembullin e dashurisë më të lartë. Ai theksoi se është shumë e rëndësishme që në jetën tonë duhet të ndajmë kohën me njerëzit në nevojë sepse kështu i shërbejmë njëri-tjetrit dhe Perëndisë.
Të gjithë pjesëmarrësit e vlerësuan këtë veprimtari dhe sugjeruan të marrë përmasa më të gjera sepse personat me aftësi të kufizuara janë të shumtë dhe kanë nevojë për të qenë aktivë ne jetën e përditshme, për të patur miqësi të reja dhe për të ofruar përvojën e tyre. Kisha jonë është gjithmonë pranë njerëzve në nevojë me ndihma dhe veprimtari të ndryshme kulturore, edukative dhe argëtuese. Të rinjtë orthodhoksë, duke qenë të pranishëm në këtë mision e kuptojnë se nën këtë shembull, me lutjen dhe praninë e tyre ofrojnë dashurinë e Krishtit.
Isidor Koti