Përmirësimi i raportimit mbi fenë në media

    Kohët e fundit, po i jepet gjithnjë e më shumë rëndësi marrëdhënieve të medias me subjektet fetare si dy faktorë të rëndësishëm të shoqërisë civile. Për të ndikuar në përmirësimin e mëtejshëm në raportin midis tyre, në datat 19-20 prill, Instituti Shqiptar i Medias organizoi një seminar trajnimi me gazetarë të mediave lokale dhe qendrore. Të ftuar për të referuar ishin studiues dhe ekspertë të medias si edhe përfaqësues të marrëdhënieve publike në institucionet qendrore të komuniteteve fetare.

 
    Eksperti juridik, Ledio Bianku foli për kontributin e medias në trajtimin e raporteve midis fesë dhe legjislacionit shqiptar. Ai e vuri theksin në rregullimin ligjor si një faktor shumë i rëndësishëm në harmonizimin e marrëdhënieve ndërfetare, si dhe kontributin e medias për nxitjen e zbatimit të premtimeve të qeverisë për kthimin e pronave.
 
    Gazetari Virgjil Kule bëri një pasqyrë analitike të trajtimit në media të problemeve të fesë, marrëdhënieve ndërfetare dhe raporteve shtet-religjion në periudhën dhjetor 2005 – prill 2006 duke vlerësuar përgjegjësinë sociale dhe kombëtare të medias në raport me promovimin e vlerave të harmonisë ndërfetare.
 
    Pirro Misha, drejtor i Institutit për Dialog e Komunikim u ndal në çështjen e Shqipërisë multifetare në procesin e integrimit me Evropën. Ai trajtoi temën “Media si promovuese e idesë se Shqipëria hyn në Evropë me identitetin e saj origjinal historik dhe fetar” duke shtjelluar mënyrën se si mund të dallojmë prirjet bashkëkohore progresive në debatin botëror rreth fesë, civilizimeve dhe impaktit të globalizmit.
 
    Më pas referoi profesori i Universitetit të Tiranës, Artan Fuga, duke vlerësuar median si pasqyruese e raporteve të sotme midis fesë dhe prirjeve sociologjike. Ai shpjegoi mënyrën se si duhet të ndërgjegjësohemi për dallimet shoqërore e ato fetare. Si të shquajmë nuancat e sjelljes sociale si rrjedhojë e traditës fetare.
 
    Më tej diskutimi vazhdoi me përfaqësuesit e marrëdhënieve me publikun të ardhur nga komunitetet fetare. Ata folën rreth raportit në punën me gazetarët. Përfaqësuesi i Kishës sonë në këtë veprimtari, I.Koti iu sugjeroi gazetarëve se më shumë sesa ruajtja e subjektivizmit të politikës editoriale ku ata punojnë duhet të ruhen nga paragjykimet ndaj komuniteteve fetare dhe përfaqësuesve të tyre.
 
    “Nuk mund të niseni me një paramendim, dhe kur të shkruani mos i paraqisni publikut atë që mendoni por atë që shikoni në realitet. Nuk duhet të harrojmë që komunitetet fetare përfaqësojnë një masë të konsiderueshme njerëzish dhe prekja e interesit të njërit prej këtyre përfaqësuese cënon dinjitetin e tërë komunitetit”.
 
    Edhe përfaqësuesit e tjerë të komuniteteve fetare sollën përvojën e tyre duke patur një diskutim të ngrohtë me gazetarët. Në fund organizatorët vlerësuan këtë trajnim në të cilin u hodh një hap përpara duke ndihmuar të dyja palët për forcimin e marrëdhënieve mes tyre.