KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË
 

PASHKË 2006

 +Anastasi

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë  

 

 

 

    Klerit dhe besimtarëve shpresëtarë Orthodhoksë,

    Bij të shtrenjtë më Zotin,

 

 

“Krishti u Ngjall së vdekurish me vdekje vdekjen shkeli”
 

    Ky himn paskal do të tronditë tërë këtë kohë mendimet tona, duke përfshirë në mënyrë mistike gjithë qenien tonë. Dëshira për jetë na pushton, por njëkohësisht,  në çdo çast vdekja na kërcënon, në forma të ndryshme dhe neve na sundon frika e vdekjes. E kremtja e sotme vjen për të na kujtuar se në përleshjen gjigante midis jetës dhe vdekjes, që mbizotëron në historinë njerëzore, Jisu Krishti e shpartalloi vdekjen me Ngjalljen e Tij.

    Trupi që mori Zoti ynë kur u bë njeri, edhe pse pa mëkat, ishte, ashtu si trupi ynë, i nënshtruar ndaj vdekjes. Trupi që ngriti me Ngjalljen e Tij të triditëshme, është i tërëndritshëm dhe i paprishshëm. Fjala e Ngjallur e Perëndisë u ngjit lart drejt Atit të Tij, duke marrë me vete natyrën njerëzore, së cilës tashmë i ofrohet plotësia e jetës.

    Ngjallja e Krishtit i dhuroi njeriut çlirimin nga vdekja, lirinë nga frika e vdekjes dhe ankthit që ajo shkakton. “Askush të mos ketë frikë nga vdekja”, shpall Shën Joan Gojarti, “se ne na çliroi vdekja e Shpëtimtarit”. Dhe me fjalët e Dhiatës së Re, ai shprehet: “Ku është, o vdekje, thumbi yt? Ku është, o Hadh, fitorja jote? Dhe falënderojmë Perëndinë që na dha fitoren me anë të Zotit tonë Jisu Krisht” (1 Korinthianët 15:54,57).

    Me Pashkën zë fill shekulli i ri, që hyn në kohë dhe e përtërin atë. Pas Ngjalljes ndrit tashmë jeta dhe tek koha rrezaton përjetësia. Kjo siguri, që nga periudha e Apostujve, të cilët ishin dëshmitarë të ngjarjes unikale të Ngjalljes, deri në ditët tona, përfshin Kishën dhe përcakton identitetin e saj. 

 

*   *   *

 

    Që një ditë të gjithë do të vdesim, është e sigurt dhe e dimë. Por ajo që kërkohet është se si do ta kapërcejmë vdekjen, si do të rrojmë. Mesazhi i përhershëm i Kishës është se nuk sundon vdekja kur ne jemi në shoqëri me Krishtin. Sepse Ai është “Ngjallja dhe jeta” (Joani 11:25), që si Perëndi ua transmeton të gjithë atyre që bashkohen me Të.

    Kjo shoqëri para së gjithash është dhuratë, “hir”. Një hir që nuk imponohet, por që do të duhet të pranohet lirisht nga ndërgjegjja e njeriut. Ai ka të bëjë me njohjen, besimin, dashurinë, me përfshirjen dhe pjesëmarrjen në Trupin e Krishtit të Ngjallur, me misteret e Kishës së Tij. Jeta e re më Krishtin na jepet brenda Kishës me hirin e Shpirtit të Shenjtë. Çdo Liturgji Hyjnore është Pashkë dhe kungimi është dhuratë e hirit të Shpirtit të Shenjtë “për jetë të amshuar”. Liturgjia hyjnore e Vasilit të Madh e thekson: “E pamë  tipin e Ngjalljes sate; u mbushëm me jetën tënde të amëshuar…”. Jeta jonë merr kuptim nga ajo çka aspirojmë. Dhe ne “presim ngjalljen e të vdekurve dhe jetën e ardhshme të amshuar. Kështu, pas Kungatës Hyjnore, këndojmë himnin: “O Pashkë e madhe dhe e tërëshenjtë, o Krisht… na jep neve mundësinë për të marrë pjesë në ditën që nuk perëndon të mbretërisë sate”. 

 

*   *   *

 

    Me vdekjen përballemi përditë; me sëmundjet, me humbjen e njerëzve tanë të dashur, me ndarjet tragjike. Në këtë kufi të frikshëm, vetëm besimi tek Krishti i Ngjallur hap horizontin e mbyllur dhe na jep ngushëllim dhe mundësinë për të mbajtur lidhjet me të gjithë ata që ikën – me lutjen, dashurinë, heshtjen paqësore. “Kujtimi i vdekjes” bëhet kujtim ngjalljeje; na çliron nga ankthi dhe nga tronditja. “Askush të mos ketë frikë nga vdekja, se ajo nuk është prishje, por pikënisje e jetës”, ngushëllon Vasili i Madh.

    Megjithatë, veç shijes së drejtpërdrejtë të vdekjes reale, në jetën e përditshme kakundërmime vdekjeje, që i lëshojnë në mënyrë indirekte jo vetëm rreziqet e shumta që ushtrojnë trysni në jetën tonë, por gjithashtu mëkati, padrejtësia, shpifjet, smira, urrejtja. Në këto kundërmime helmuese, që përcjellin frymën e Hadhit në jetën tonë të përditshme, ekziston dhe antidoti. Ai është përjetimi i së vërtetës së Ngjalljes me besimin, mendjen, me himnin, me tërë qenien tonë. Duke fuqizuar brenda nesh sigurinë e Ngjalljes së Krishtit, Kisha na jep qëndresë të brendshme për t’iu kundërvënë qetësisht frymës së çdo lloji vdekjeje. Duke e jetuar brenda  Kishës ngjarjen e Pashkës, ne marrim energji të reja për të qenë mbartës të jetës së re, të vërtetë, krijuese.

    Ritmi i Ngjalljes, që koordinon jetën adhuruese Orthodhokse, që mbështet qenien tonë, që përtërin vazhdimisht shpresën tonë, që na jep vizion të ri dhe entuziazëm për jetën, sundohet nga përjetësia. Morali i Ngjalljes transformon fytyrën e ashpër të së përditshmes. Na ndihmon për të parë edhe në kushte melankolie, një pashkë, pra një “kalim”, një dalje në dritë. Ngjallja, qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme, është bërë burim i përtëritjes së botës. Njerëzit që i besuan Krishtit të Ngjallur, mundën, me fuqinë e Tij, të transformojnë armiqësinë në pajtim, urrejtjen në dashuri, dhembjen në gëzim, poshtërimin në triumf, të përditshmen pa kuptim në krijimtari. Brenda rrezatimit të Ngjalljes, të gjithë e të gjitha mund të transformohen dhe të mbushen me dritë. 

 

*   *   *

 

    “Krishti u Ngjall së vdekurish me vdekje vdekjen shkeli”

    Dy probleme, në mënyrë të veçantë, mundojnë njeriun: “I pari, që do të vdesë. I dyti, që do të rijetojë”. Të dyja, gjejnë kuptim dhe zgjidhje brenda dritës së Ngjalljes së Krishtit, i cili është Mundësi i vdekjes dhe jeta e botës. Në besimin dhe në adhurimin e Orthodhoksisë gjendet një dinamizëm shumë i madh Ngjalljeje.

    Besimi dhe dashuria jonë ndaj Zotit të Ngjallur, le të mbushin qenien tonë për të kuptuar dhe për të përballuar këto dy çështje të mëdha qenësore: të vdekjes dhe të jetës.

    Me vështrimin dhe mendjen të përqendruar tek Krishti i Ngjallur, le të përballojmë çdo formë ose çdo frymë vdekjeje që transmeton mëkati, smira e padrejtësia dhe le të bëhemi frymë ngjalljeje në mjedisin tonë.

 

 

                        Gëzuar Pashkët! Me Ngjalljen brenda nesh!