KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË
Deklaratë për Manastirin e Shenjtë të Sinait
Manastiri historik i Malit të Shenjtë të Sinait përbën një thesar të paçmuar të trashëgimisë kulturore dhe spiritualitetit orthodhoks dhe botëror, duke i dhënë Kishës një përvojë të pasur shpirtërore. Aty janë ruajtur për shekuj me radhë dorëshkrime dhe kodikë të çmuar, përfshirë edhe Codex Sinaiticus të famshëm.
Prania e murgjve orthodhoksë në Manastir është respektuar nga të gjitha pushtetet ndër shekuj, duke u bërë një simbol i bashkëekzistencës ndërmjet krishterimit dhe islamit. Shpërndarja e vëllazërisë ose kthimi i Manastirit në muzé në rast të ndryshimit të pronësisë do të ishte shkatërruese me pasoja të pallogaritshme.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë shpreh mbështetjen e saj të plotë për Vëllazërinë e Manastirit dhe Hirësinë e tij, Kryepiskopin e Sinait, z. Damian, në këtë provë të vështirë. Gjithashtu u bën thirrje autoriteteve përkatëse dhe organizatave ndërkombëtare për t’u përpjekur në mbrojtjen e statusit historik të Manastirit dhe vazhdimin e papenguar të misionit të tij të shenjtë.
I lutemi Perëndisë që të mbizotërojë paqja, drejtësia dhe urtësia.
Nga Sinodi i Shenjtë