Ungjilli – Joani 5:30-6:2.

Unë s’mund të bëj asgjë prej vetes sime. Siç dëgjoj, gjykoj; edhe gjyqi im është i drejtë; sepse s’kërkoj dëshirën time, po dëshirën e Atit që më dërgoi. Në dëshmofsha unë për veten time, dëshmia ime nuk është e vërtetë. Tjetër është ai që dëshmon për mua; edhe e di se dëshmia që dëshmon për mua është e vërtetë. Ju dërguat tek Joani, edhe ai dëshmoi të vërtetën. Ndërsa unë nuk e marr dëshminë prej njeriu; por i them këto, që të shpëtoni ju. Ai ishte kandili që digjej e ndriçonte; edhe ju deshët të gëzoheni për pak kohë në dritën e tij.

Por unë e kam dëshminë më të madhe se të Joanit; sepse ato punë që më dha Ati që t’i mbaroj, ato punë që bëj unë, dëshmojnë për mua se Ati më ka dërguar. Edhe Ati që më dërgoi, ai ka dëshmuar për mua. As zërin e tij s’e keni dëgjuar kurrë deri tani, as pamjen e tij s’e keni parë. Edhe fjalën e tij nuk e mbani brenda jush, sepse ju nuk i besoni këtij që dërgoi ai. Shqyrtoni shkrimet, sepse ju duket se në ato keni jetë të përjetshme; edhe këto janë ato që dëshmojnë për mua. Por nuk doni të vini tek unë, që të keni jetë. Nuk marr lavdi prej njerëzish. Por ju njoha ju se s’keni dashurinë e Perëndisë në veten tuaj. Unë kam ardhur në emrin e Atit tim, e nuk më pranoni. Në ardhtë tjetër në emrin e tij, do ta pranoni atë. Si mund të besoni ju që merrni lavdi nga njëri-tjetri, edhe nuk kërkoni lavdinë prej të vetmit Perëndi? Mos kujtoni se unë do t’ju akuzoj tek Ati. Ka kush t’ju akuzojë, Moisiu, tek i cili ju shpresuat. Sepse po t’i kishit besuar Moisiut, do të më besonit edhe mua; sepse ai shkroi për mua. Por në qoftë se nuk u besoni shkronjave të tij, si do t’u besoni fjalëve të mia?

Pastaj Jisui shkoi përtej detit të Galilesë, të Tiberiadës. Edhe shumë njerëz i shkuan pas, sepse shihnin çuditë e tij, që bënte mbi të sëmurët.