Oshënare Isidora.

Shenjti i shekullit të 4-t Pitiruni (29 nëntor), me nxitje engjëllore shkoi në manastirin e grave, në Tavenë, ishull në lumin Nil, për të njohur një shenjtore të madhe të kurorëzuar, që engjëlli nuk i kishte thënë emrin, por që ishte më shpresëtare se ai dhe që rronte duke pasur gjithnjë në mendje Perëndinë, me gjithë kushtet e vështira në të cilat jetonte. Katërqind murgeshat e pritën me nderime asketin e famshëm. “Nuk jeni të gjitha këtu”, u tha ai. “Jemi, ava”, iu përgjigjën ato. “Mungon ajo që kërkoj unë”. “Kemi vetëm një me probleme mendore në kuzhinë”. “Silleni këtu!”.

E sollën duke e tërhequr zvarrë me forcë, sepse ajo e dinte që më parë se çfarë do të ndodhte. Para se Isidora, virgjëresha e leckosur dhe e zbathur, të përkulej e t’i puthte dorën, Pitiruni pa në kokën e saj një leckë në vend të “kukulit” (kapuçit), dhe e kuptoi se kjo ishte kurora. Ndaj, ai ra në këmbët e saj duke i kërkuar bekimin. “Mos, o jeront! Ajo është e marrë!”, i thanë. “Ju jeni të marra!…”, u tha ai.

Atëherë ato e kuptuan se cila ishte ajo e braktisura, që shërbente me dëshirë dhe pa u ankuar në manastir, si një skllave e bindur. Duke qarë, ato rrëfenin sharjet dhe fyerjet që i kishin bërë. Pas disa ditësh, oshënarja u zhduk, me sa duket ngaqë nuk mund të duronte lavdinë. Nuk dimë se ç’u bë me të, ku vdiq, por dimë se ajo rron në Mbretërinë e qiellit.

Isidora në greqisht do të thotë: dhuratë.