Prof. dr. Pirro Thomo

Kërkim nr. 3, Tiranë, 2010. 

“… Edhe pse mund të kenë ardhur stuhi dhe kanë mbuluar këto elemente të rëndësishme…, dinamika  e popullit,

kultura e popullit, shpirti i popullit, ADN-ja  e popullit janë nga më të rëndësishmit dhe më  dinamikët  në Evropë…”1

Kryepiskopi Anastas, krahas përpjekjeve kolosale që ka bërë dhe bën për rimëkëmbjen e Kishës nga gërmadhat, një kujdes të veçantë i ka kushtuar dhe i kushton promovimit të vlerave të kulturës materiale e shpirtërore të popullit shqiptar. Kriteri udhëheqës i veprimtarisë së Tij në këtë fushë ka qenë dhe mbetet “… përcaktimi dhe zbulimi i fuqisë dhe bukurisë së ADN-së së kësaj shoqërie”2, siç e quan këtë trashëgimi. Veprimtaria e shumanshme për botimet e shumta shkencore, organizimin e seminareve dhe simpoziumeve shkencore, restaurimin e monumenteve kishtare, ngritjen e institucioneve e shkollave dhe organizimin e aktiviteteve kulturore, janë disa nga arritjet që konkretizojnë zbatimin e këtij kriteri bazë. Por ne do të përqendrohemi në një çështje: Kujdesi për mbrojtjen dhe restaurimin e monumenteve kishtare.

Në Shqipëri ruhet një numër shumë i madh ndërtimesh të kultit të krishterë, duke filluar që nga shekujt e parë të krishterimit e deri në kohët moderne. Janë këto vlera që përbëjnë dëshmitë materiale të kulturës, shpirtit, ADN-së së popullit. Shumë prej tyre, për vlerat e veçanta arkitekto- niko – artistike, ishin vënë në mbrojtje të shtetit me cilësinë e Monumentit të Kulturës. Ato kishin mundur të mbijetonin, duke i rezistuar rrebesheve të shekujve që kishte kaluar vendi ynë. Por, sikur të mos mjaftonin plagët që ato kishin marrë nga e kaluara, një rrebesh akoma më të madh do të pësonin gjatë persekutimit shumëvjeçar të fesë nga regjimi diktatorial komunist. Ndonëse shumë prej tyre kishin statusin e “Monumentit të Kulturës”, ato nuk mundën t’i shpëtojnë braktisjes së plotë, ashtu siç e pësuan simotrat e tyre dhe të feve të tjera në mbarë vendin. Një pjesë e tyre u shkatërrua pjesërisht apo plotësisht. Ato u zhveshën nga funksioni i tyre fillestar dhe u lanë në mëshirën e fatit, duke u përdorur për qëllime banale e shpesh poshtëruese, si për stalla bagëtish, depo etj. dhe, krahas tyre, shumë objekte me vlerë, si ikona, ikonostase e objekte te tjera kishtare u zhdukën, duke i sjellë fondit të kulturës materiale një dëm të  pallogaritshëm.

Rivendosja e lirisë së besimit fetar pas rrëzimit të regjimit diktatorial komunist u përball me një gjendje tragjike të këtyre monumenteve. Nga ana tjetër, rivendosja e besimit fetar i gjeti shumë fshatra e qytete pa ndërtesat e tyre të kultit, ose, në rastin më të mirë, me kisha në gjendje të mjeruar dhe të zhveshura nga objektet e tyre fetare. Në më të shumtën e rasteve, dëshmon Kryepiskopi, ishim të detyruar ta kryenim Liturgjinë Hyjnore ose takime të tjera kulti në mjedise të hapura, aty ku më parë ekzistonin manastire ose kisha, në kisha gjysmë të  rrënuara ose nën pemë të mëdha.

Në këto rrethana, ndër prioritetet e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, ishte dhe ngritja e ndërtesave të kultit, në mënyrë që të mund të zhvillohej menjëherë kulti dhe jeta kishtare. Në këtë aspekt rigjenerimi dhe restaurimi i ndërtimeve të vjetra, një pjesë e mirë e të cilave kishte mbetur në listën e monumenteve të kulturës, mori përparësi ndaj ndërtimeve të reja. Dhe kjo përparësi favorizohej nga fakti se duheshin shpëtuar dhe restauruar ato vlera që ruheshin ende, rrënimi i mëtejshëm i të cilave do të kishte një kosto të madhe shoqërore, nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, një ndërtim i ri nuk do të mund të kishte atë ngarkesë emocionale të një kishe të vjetër, e cila lidhej me mbajtjen gjallë të kujtesës shekullore të banorëve.

Por, për restaurimin e objekteve të shpallura monumente kulture, thekson Kryepiskopi: “… përpjekja ishte më e ndërlikuar dhe kërkuese, duke marrë parasysh se më parë duheshin bërë studimet shkencore përkatëse nga specialistë dhe, në vazhdim, të zhvillohej procedura delikate e restaurimit nga ekipe të kualifikuara sipas kritereve shkencore që janë në fuqi sot në Evropë”4.

Janë pikërisht këto studime e kritere ku u bazuan ndërhyrjet restauruese të ndërtesave të kultit.

  1. Deri në vitin e ndalimit me ligj të besimevefetareishte krijuar një bazë e mirë studimore e ndërtesave të kultit, që përbëhej nga njohja e mirë e terrenit, grumbullimi i një materiali të bollshëm grafik e fotografik për arkitekturën, artin dhe mbishkrimet, të cilat ishin shoqëruar dhe me një veprimtari botuese. Mbas këtij viti, me përpjekjet e një grupi studiuesish u arrit të mbeteshin në listën e monumenteve një numër i konsiderueshëm ndërtesash kulti dhe u bë e mundur të grumbulloheshin dhe të shpë- tonin me mijëra ikona e objekte të tjera artistike kishtare, që sot ruhen në muze të ndryshme të vendit. Ndërkohë, ishte formuar një përvojë e mirë për punimet e restaurimit nga një veprimtari tepër e dendur në këtë fushë dhe krijimi i institucioneve dhe organizmave përkatëse. Kjo bazë e trashëguar do të shërbente si një mbështetje e sigurt menjëherë pasi u dha mundësia për rifillimin e restaurimit të ndërtesave të kultit, jo vetëm për njohjen e historikut dhe vlerave të tyre, por dhe për dokumentimin e pamjeve të tyre para shkatërrimeve që pasuan. Që në fillimet e veprimtarisë së saj për restaurimin e monumenteve kishtare, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë u mbështet mbi këtë bazë. Ajo vendosi raporte të mira bashkëpunimi me Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe institucione të tjera të specializuara, si dhe aktivizoi forcat më të mira shkencore të tyre për realizimin e objektivave të saj.
  2. Gradualisht restaurimii ndërtesave të kultit nga Kisha Orthodhokse u vu mbi baza më efikase organizative e shkencore. Për përballimin e kësaj pune kaq me përgjegjësi, u krijua Bërthama e Trashëgimisë Kulturore, që ka për qëllim dokumentimin, studimin, projektimin dhe restaurimin e monumenteve kishtare, si dhe rregullimin e marrëdhënieve reciproke profesionale e juridike me institucionet shtetërore përkatëse.

Njohja dhe dokumentimi i gjendjes aktuale të monumenteve, do të ishte një nga detyrat fillestare dhe të rëndësishme të kësaj Bërthame. Kjo njohje do t’i shërbente si përcaktimit të precedencës për ndërhyrjeve restauruese, ashtu dhe përcaktimit të problemeve që kërkonin zgjidhje nga këto ndërhyrje.

  1. Kriteretepërzgjedhjes së ndërhyrjeve restauruese do të ishin, në radhë të parë, gjendja e monumentit, si dhe vlera e tyre dhe kërkesa për plotësimin e nevojave për ndërtesa kulti.

Edhe në këtë përzgjedhje ndihet preokupimi i Kryepiskopit Anastas. Më ka qëlluar që për dy ditë me radhë të shoqëroj Kryepiskopin në vizitën e tij në disa monumente të rrethit të Gjirokastrës dhe të Sarandës. Energjia e Tij e pashtershme, pa përfillur moshën dhe të nxehtit e padurueshëm të atyre ditëve, flisnin qartë për interesimin e vazhdueshëm, dashurinë dhe respektin për monumentet dhe preokupimin për gjendjen e tyre.

  1. Ruajtjaeautenticitetit të veprës, si një tregues primar në karakterizimin e një monumenti, ishte një kërkesë, e cila është arritur në mënyra të ndryshme.

Në ndërhyrjet për konsolidimin e ndërtesës, të cilat ishin më të përgjithshmet dhe nga të ngutshmet, për vetë gjendjen që kishin arritur monumentet, kriteri udhëheqës ka qenë riaftësimi i gjendjes ekzistuese, duke mos tjetërsuar skemën statike fillestare. Shëndoshja e konstruksionit ekzistues me ndërhyrje lokale, tashmë të pranuara dhe të zbatuara gjerësisht nga praktika e huaj dhe ajo vendëse, ishte ndërhyrja parë konsoliduese. Vetëm atëherë kur këto masa lokale ishin të pamjaftueshme për të arritur aftësinë e kërkuar mbajtëse të konstruksionit, atëherë u kalua në ndërhyrjet konsoliduese me anë të masave ndihmuese. Këto masa u ndërmorën kryesisht për zëvendësimin e elementeve konstruktive të dala kryesisht jashtë përdorimit, siç ishin p.sh. tirantat prej druri në kishat e mbuluara me një sistem harqesh e qemerësh, ose konsolidimet e themeleve, kur ndërtesa paraqiste probleme gjeologjike të terrenit.

Riaftësimi i gjendjes ekzistuese të ndërtesës u arrit pa prishur dhe rindërtuar elementet e saja strukturale të dëmtuara, duke riaftësuar çdo element përbërës konstruktiv. Në rastet kur këto elemente kishin pësuar cedime apo inklinime të rrezikshme, që vinin në pikëpyetje qëndrueshmërinë e gjithë ndërtesës, u veprua duke i rikthyer ato në pozicionin fillestar të tyre. Rindërtimi u kufizua vetëm në ato pjesë apo elemente që kompromentonin qëndrueshmërinë statike të ndërtesës dhe tërësinë arkitektonike dhe kur këto elemente mungonin.

Duke u nisur nga gjendja në të cilën ndodheshin monumentet, ndërhyrjet e karakterit shpëtues janë konsideruar si masa tepër efikase për shmangien e rrezikut të shkatërrimit dhe për parandalimin e dëmtimeve të mëtejshme, me fjalë të tjera, për zgjatjen e jetës së tyre, në pritje të ndërhyrjeve më të plota restauruese.

  1. Kujdesi për evidentimin dhe ruajtjen e historikut tëmonumentit,si një tregues gjithashtu thelbësor për karakterizimin e një monumenti, ka qenë gjithmonë një kërkesë që është pasur parasysh gjatë restaurimeve të kryera nga Kisha Orthodhokse. Njohja e thellë e monumentit nëpërmjet literaturës, por dhe nga vrojtimet në vend, kryerja e sondazheve dhe vlerësimi i çdo gjurme të zbuluar, do të shërbenin për përcaktimin e morfologjisë së elementeve të cunguar ose të humbur, ashtu dhe të fazave të ndryshme ndërtimore të monumentit. Të dhënat e grumbulluara në këtë mënyrë do të çonin disa herë deri në rishikimin dhe përmirësimin e projektit fillestar, në të mirë të eventimit të fazave të ndryshme ndërtimore të monumentit dhe plotësimit të historikut të tij.

Ripërtëritja e kujtesës historike ishte një tjetër faktor që plotësonte kriterin e historizmit. Në rastet kur monumentet kishin arritur deri në ditët tona në gjendje gjysmë të rrënuara dhe, shpeshherë, me elemente përbërëse arkitektonike e morfologjike munguese, të shkaktuara kryesisht vitet e fundit, si rezultat i mungesës së përkujdesjeve sistematike, ndërhyrjet integruese ose rikonstruksioni i pjesëve munguese u konsideruan të pranueshme. Këtë e kërkonte gjithashtu dhe rikthimi i funksionit fillestar të tyre. Ekzistenca e dokumentacionit grafik dhe fotografik të nevojshëm, i grumbulluar vite më parë, si dhe gjurmët e qarta të mbetura mbas prishjeve, e lehtësonte së tepërmi kryerjen e këtyre lloj ndërhyrjeve, me shumë besnikëri ndaj origjinalit.

  1. Ruajtja e tërësisë së vlerave të monumentit nisej nga fakti se një monument kulti kuptohet i tillë për tërësinë e vlerave që ai përmban, qoftë arkitektonike e konstruktive,ashtudhe ato artistike. Për këtë arsye, në shumicën e rasteve, ndërhyrjet restauruese kanë pasur karakter kompleks. Ato nuk janë mjaftuar vetëm në ndërhyrjet e konsolidimit statik të ndërtesave dhe në restaurimin morfologjik të tyre, por dhe në konservimin e veprave të artit, pikturës murale, ikonostaseve dhe objekteve të tjera dekorative e funksionale të pajisjeve të brendshme, tavaneve dekorative etj. Plotësia e restaurimeve do t’i shërbente njëkohësisht dhe rijetëzimit të monumenteve për rikthimin e funksioneve fillestare, si funksion më i rekomandueshmi në përgjithësi dhe më i natyrshmi në rastin konkret, si dhe do t’i rikthente besimtarëve një tempull të denjë për kryerjen e liturgjisë fetare.

Si rezultat, deri më sot nën kujdesin e drejtpërdrejtë dhe mbështetjen e plotë financiare të Kryepiskopit Anastas është bërë e mundur të kryhen ndërhyrje restauruese në mbi 60 monumente kishtare dhe me një fond që i kalon 8 milionë euro. Projektet për restaurimin e tyre janë diskutuar dhe miratuar nga instancat përkatëse, Këshilli Shkencor i Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, pranë Ministrisë së Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve. Meriton të vihet në dukje se këto ndërhyrje ishin shumë të hershme. Ajo filluan që në vitin 1992, me ndërhyrjet në kishën e Kryeengjëjve në Gjirokastër dhe në atë të Gjithë Shenjtorëve në Himarë, dhe kanë vazhduar pa ndërprerje deri në ditët e sotme. Dhe në një kohë kur shteti shqiptar kalonte një periudhë të vështirë tranzicioni dhe restaurimi i monumenteve nuk mund të ishte ndër prioritetet e saj, veprimtaria e Kishës Orthodhokse në këtë drejtim duhet konsideruar si kontribut tepër i vlefshëm dhe si një fat i madh për shpëtimin e këtyre dhjetëra monumenteve nga rrënimi i mëtejshëm i tyre.

E gjithë kjo ndërmarrje kaq voluminoze nuk ishte kaq e lehtë. Por, siç thekson Kryepiskopi: “… me gjithë këto, vazhduam këtë përpjekje të vështirë e të shumanshme me entuziazëm të shenjtë, me sigurinë se restaurimi dhe rehabilitimi i ndërtesave kishtare historike në origjinalitetin e tyre nuk mbulon vetëm nevojat e sotme për sigurimin e vendeve të përshtatshme të kultit, por përbën edhe tregues nderimi dhe respekti ndaj brezave të mëparshëm, të cilët për shekuj arritën të krijojnë vepra të tilla, dhe, njëkohësisht, përkujdesje për brezat e ardhshëm, të cilët kanë të drejtë të krenohen dhe të frymëzohen nga vlerat e së kaluarës.

  1. Fjala e Kryepiskopit Anastas në promovimin e Akteve të Simpoziumit “2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri”, gazeta Ngjallja, korrik 2004.
  2. Po aty.
  3. Parathënia e librit Restaurimi i Monumenteve të Kishës Orthodhokse në Shqipëri, Tiranë 2005, f.  11.
  4. Po aty, f. 15.