Biografi e shkurtër e Hirësisë së Tij, Episkopit të Bylisit, Astit.
Episkopi i Bylisit, Hirësi Asti (Bakallbashi), lindi në Durrës, në vitin 1974. Kreu studime teologjike, me bursë të Kryepiskopit Anastas, në Seminarin Teologjik-Hieratik në Durrës (1993-1997); në Fakultetin Teologjik, në Degën Teologji, të Universitetit “Aristoteli” në Selanik (1998-2003); studimet pasuniversitare (master) në Homelitikë në Fakultetin e Teologjisë (Dega Teologji) në Selanik (2010-2012).
U dorëzua në vazhdim nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Imzot Anastasi, në të tre shkallët klerikale të Kishës Orthodhokse: dhjakon (gusht 2003), në kishën “Apostull Pavli e Shën Asti” në Durrës; kryedhjakon (i Kryepiskopatës) (nëntor 2006) në Tiranë; prift hieromonak (nëntor 2009), në kishën “Ungjillëzimi” të Tiranës; arkimandrit (nëntor 2009); episkop, si episkop titullar i Bylisit (janar 2012), në kishën “Ungjillëzimi” të Tiranës.
Që nga ky vit shërben si Episkop Ndihmës i Kryepiskopit dhe nga fillimi i vitit 2018 Protosingjel i Kryepiskopatës së Tiranës.
Krahas veprës liturgjike dhe baritore ka ofruar shërbimin e tij edhe në disa sektorë të tjerë të Kishës: në administratën e Kryepiskopatës së Tiranës; pedagog i jashtëm në Akademinë Teologjike në Shën Vlash të Durrësit, i lëndës së Liturgjikës (2004-2017) dhe i Homelitikës (2015-2017); bashkëpunëtor dhe bashkëpërgjegjës në Radio “Ngjallja” (nga 2005); bashkëpërgjegjës në veprimtarinë organizative rinore të Dioqezës së Tiranës (2010-2018); anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë (2018-sot).