Ikonat.jpg

     Ikonat janë piktura në të cilat janë pikturuar portretet e njerëzve të shenjtë (Krishtit, Virgjëreshës Mari dhe shenjtorëve) dhe ngjarjeve që lidhen me ta. Pikturimi i tyre karakterizohet nga një teknikë mjaft e stilizuar, që përcjell fuqishëm mesazhet e vërteta hyjnore nëpërmjet këtij arti. “Çdo gjë që fjala transmeton nëpërmjet të folurit, piktura e tregon heshtazi me imazhin” – thotë Shën Vasili i Madh. Ikona është një lloj gjuhe e përbashkët që shpreh mësimin e krishterë orthodhoks dhe jetën adhuruese (për çdo moshë, gjini, racë, komb, si për të shkolluarit ashtu edhe për të pashkolluarit). Në besimin e krishterë orthodhoks ikonat nuk janë piktura njerëzore për zbukurim apo një ndihmë vizuale për soditje, frymëzim dhe lutje, patjetër që edhe për këto ndihmojnë. Ato dëshmojnë për realitetin e Perëndisë me ne: të pranisë së Mbretërisë së Perëndisë te ne dhe të pranisë sonë te Mbretëria e Perëndisë në Kishë.

     Ikonat janë “simbole të besimit”, sepse kontribuojnë në kuptimin e saktë të realitetit që duan të shfaqin; kontribuojnë në shfaqjen e personit të Krishtit, i cili, si Biri i Perëndisë, u bë me të vërtetë njeri dhe si i tillë ai është me të vërtetë “ikona e Perëndisë së padukshëm” (Kolosianëve 1:15 etj).

     Nuk mundemi dot të paraqesim Perëndinë, por mundemi për aq sa Ai na zbuloi. E dukshmja dhe e padukshmja, materia dhe shpirtërorja bashkohen në ikonë në një unitet të pandarë. Pra, qëllimi i ikonave dhe i simboleve të tjera të Kishës është pikërisht dëshmia e veprave të shpëtimit, që solli bërja njeri e Krishtit.

     Nderimi i ikonave nga të krishterët orthodhoksë nuk i bëhet pikturës, por asaj që është pikturuar, pra personave të shenjtë që paraqet. Dhe nderimi që i bëhet imazhit të paraqitur në ikonë i shkon origjinalit d.m.th. personit që është shfaqur në ikonë. Kur rritet besimi, gjallërohet devotshmëria, shpresëtaria dhe dëshira e shenjtë e të krishterëve për imitim të jetës së krishterë të këtyre modeleve.

     Sepse, duke nderuar ikonën, nderojmë personin origjinal. Personi i pikturuar është i pranishëm në ikonë, sipas hirit, dhe ikona ndihmon në realitetin e treguar me anë të simbolikës. Prandaj edhe besimtarët mund të takojnë në mënyrë të ndjeshme e të prekshme personat e paraqitur në ikonë.

     Ne adhurojmë Perëndinë dhe Krishtin. Nuk adhurojmë shenjtorët, por i nderojmë ata si adhuruesit e vërtetë të Perëndisë. Nuk adhurojmë njerëzit, por admirojmë ata që jetuan dhe adhuruan siç duhet Perëndinë. Personat e shenjtë të paraqitur në ikona ushtrojnë fuqinë e tyre mirëbërëse nëpërmjet ikonave, për të mirën e atyre që luten dhe mundësojnë bekime shpirtërore, duke qenë edhe përcjellës të fuqishëm të Hirit Hyjnor. Prandaj edhe shumë ikona janë bërë të famshme për mrekullitë e tyre.

     Duke qenë se ikonat konsiderohen të shenjta, edhe nderimi i tyre shfaqet me shenja të dukshme si: lutje e përkulje përpara tyre, puthje, temjanisje e tyre, ndezje qirinjsh e kandilash përpara tyre, zbukurim i tyre me gurë të çmuar dhe lule, kryerje procesionesh (litanish) të tyre, në disa raste u drejtojmë edhe himne etj.

     Ikonat, pavarësisht materialit në të cilën paraqiten: dru, mozaik, mur, letër, e materiale të tjera, ato konsiderohen të shenjta. Ato i përdorim si në lutjet tona personale kudo që mund t’i bëjmë: në shtëpi, në punë etj., ashtu dhe në ato të përbashkëta në kishë.

     Theksojmë se paraqitja e ikonave në kishë e bën besimtarin të ndjehet se ndodhet në qiell. Brenda tempullit besimtarin e presin Zoti e Shpëtimtari ynë Jisu Krisht, e Tërëshenjta Mari, shenjtorët, profetët, engjëjt dhe kryeengjëjt, pra e gjithë Kisha triumfale.

     Ikonat e çojnë besimtarin në një botë të përmbidheshme, në të andejshmen, në “të lartën e lavdëruar e të pakuptueshme”. Ky element i përmbibotshëm nuk është ikje nga bota, por është një mbërritje në një vend të favorshëm, të shenjtë, të mbushur prej pranisë së Perëndisë, që na përcjell një vizion të së bukurës shpirtërore. Nga ky vend mund të vështrojmë më mirë dhe në mënyrë më të plotë realitetin e botës së tashme tokësore.