NË KOHËN E KUNGIMIT

KUNGATA HYJNORE

DHIMITËR BEDULI

Në këtë pjesë mendojmë të flasim për mënyrën se si duhet të paraqitemi para Kupës së Shenjtë për t’u kunguar; për disa rregulla, që duhet të ketë meshtari parasysh në kohën kur kungon besimtarët; për nënat që sjellin fëmijët për t’i kunguar, si edhe disa rregulla që duhet të respektohen nga të martuarit që dëshirojnë të kungohen.

1. Mënyra e paraqitjes së besimtarëve përpara Kupës së Shenjtë

Në çastin kur meshtari del te Dera e Bukur me Kupën e Shenjtë në dorë e na thërret për t’u kunguar me fjalët: “Me frikë Perëndie, besim e dashuri, afrohuni”, ne nisemi nga vendi ku qëndrojmë, me heshtje të plotë e pa zhurmë e zëmë vend në rresht, me përkushtim të thellë të shpirtit e të mendjes te Misteri Hyjnor. Dhe, kur arrijmë para Potirit të Shenjtë, bëjmë me shpresëtari shenjën e Kryqit, mbajmë me të dyja duart Mbulesën e Shenjtë dhe e vëmë nën nofull, hapim gojën siç duhet dhe përcjellim brenda Margaritarin Hyjnor; pastaj, me

kujdes fshijmë buzët me Mbulesën e Shenjtë, bëjmë edhe një herë me shpresëtari shenjën e Kryqit dhe kthehemi po me heshtje e rregull në vendin tonë, ku, pas mbarimit të Liturgjisë Hyjnore, themi me respekt uratat e falënderimit pas Kungimit Hyjnor. Në shtëpi kthehemi pasi të kemi marrë nga dora e meshtarit naforën e bekuar dhe pasi të kemi puthur dorën e tij, dorën që ka bërë flijimin e frikshëm.

2. Prifti dhe kungimi i besimtarëve

Prifti, gjatë kungimit të besimtarëve, duhet të ketë parasysh disa rregulla, që na i imponon si struktura e vetë Liturgjisë Hyjnore, ashtu edhe tradita jonë orthodhokse 20-shekullore.

Ai duhet të ketë parasysh që:

a) Kungimi i besimtarëve duhet bërë gjithnjë para Derës së Bukur dhe në çastin kur ai del me Potirin e Shenjtë në dorë dhe i fton ata me fjalën: “afrohuni”.

E theksojmë këtë, sepse te ne, bashkë me zakonin jo të rregullt që të kungohemi vetëm katër herë në vit, ekziston dhe një zakon tjetër, gjithashtu jo i rregullt, që të kungohemi ose në mëngjes herët para fillimit të Meshës, ose pas mbarimit të saj dhe jo para Derës së Bukur, por nga Dera e Veriut, që hyhet në Altarin e Shenjtë. Të dyja këto zakone nuk janë të rregullta, prandaj prifti dalëngadalë e me bindje duhet t’i mënjanojë.

b) Të ketë kujdes që, kur kungon besimtarin, të ketë në lugë nga të dyja elementet e Kungatës Hyjnore, Trupin dhe Gjakun e çmuar të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht dhe jo vetëm Gjakun, siç vepron gabimisht ndonjë prift.

c) Ai, për çdo person që kungohet, duhet të theksojë qartë fjalët: “Kungohet shërbëtori i Perëndisë (thotë emrin e atij që kungohet) me Trupin dhe Gjakun e Zotit tonë Jisu Krisht, për ndjesë mëkatesh dhe jetë të pasosur”. Këto fjalë duhet t’i kuptojë mirë e qartë çdo njeri që kungohet.

d) Është mirë që së pari të kungohen fëmijët e vegjël me nënat e tyre, pastaj të moshuarit e invalidët dhe së fundi, mbarë besimtarët që vijnë për t’u kunguar, pa bërë preferenca personash. Para Kupës së Shenjtë jemi të gjithë një.

e) Kur fëmijët, të cilët i sjellin prindërit për t’u kunguar, përveç Kryqit të nderuar, mbajnë të varur ndonjë nuskë ose hajmali, prifti duhet t’i këshillojë prindërit t’ua heqin, e pastaj t’i kungojë.

f) Prifti, gjatë kungimit, duhet të jetë i qetë shpirtërisht, plot me besim, shpresëtari e dashuri, duke pasur gjithmonë kujdes, se lejohet të marrin Kungatën Hyjnore vetëm ata që janë pagëzuar.

3. Nëna dhe Kungata Hyjnore

Nëna, e cila interesohet më tepër se çdo person tjetër në familje për edukimin e fëmijëve dhe në veçanti për edukimin e tyre fetar, që i pagëzon dhe u mëson si ta bëjnë Kryqin e të thonë lutjet, si dhe i bën anëtarë të Kishës, duhet të dijë disa gjëra lidhur dhe me kungimin. Së pari, duhet të dijë që fëmija, gjer në njëfarë moshe, nuk është në gjendje të kuptojë çfarë është Kungata Hyjnore, prandaj ai nuk e do dhe qan. Por, edhe kur nëna i jep ushqim ose ilaç, fëmija qan, pra, kungimi është “ilaç për pavdekshmërinë”. Gjithashtu bashkë me fëmijët duhet të kungohen edhe prindërit. Në qoftë se nëna i thotë fëmijës se është mirë që të kungohet, fëmija mund ta pyesë: “Atëherë ti pse nuk kungohesh?”.

Secili e ka për detyrë që gjatë kungimit të thotë me vete këtë uratë: “O Zoti im, mos e merr parasysh padenjësinë time, por nga dashuria Jote e madhe, shenjtëro dhe forco këtë fëmijë me Trupin dhe Gjakun Tënd të çmuar, që të bëhet qytetar i Mbretërisë Sate Qiellore”. Në kishë, nëna duhet t’i mbajë fëmijët pranë vetes, t’i këshillojë të rrinë qetë e me respekt, të mos krijojnë shqetësime për të tjerët, si dhe t’i mësojë që të mos largohen nga kisha pa mbaruar Liturgjia dhe pa marrë naforë. Është mirë që foshnjat të kungohen në ditët e javës, meqë Liturgjia në këto ditë është më e shkurtër
dhe fëmijët nuk lodhen, si dhe nuk krijojnë shqetësime gjatë Liturgjisë të së Dielës, e cila kryhet më e gjatë dhe më madhështore.

4. Disa sqarime që duhen pasur parasysh

1. Asnjë njeri që nuk është pagëzuar, fëmijë ose i rritur, nuk lejohet të kungohet. Pa u pagëzuar, ai nuk mund të konsiderohet pjesëtar i bashkësisë së krishterë, i trupit mistik të Krishtit, i Kishës.

2. Për të martuarit, të cilët, për arsye të ndryshme nuk e kanë kryer shërbesën fetare të martesës, këshillohet që ta kryejnë atë.

Megjithëse që të dy mund të jenë orthodhoksë, por meqë nuk kanë bërë Misterin e Martesës, atëherë nuk kemi të bëjmë me dy bashkëshortë të bekuar, por me njerëz moralisht të parregullt. Pra, nuk lejohet të kungohen. Nëse një orthodhoks është martuar gjatë periudhës kur feja ishte e ndaluar me një jo të krishterë dhe, kjo e fundit nuk do të pagëzohet e kurorëzohet, atëherë bashkëshorti orthodhoks mund të kungohet.

Njëkohësisht, atyre u këshillohet që, kur dëshirojnë të kungohen, të mos kenë kryer kontakte seksuale më përpara.

3. Femrat që janë me cikël, domethënë, sipas kanonit “të papastra”, nuk u lejohet të kungohen gjatë periudhës së papastërtisë.

4. Femrat që vijnë për t’u kunguar dhe, në përgjithësi, kur marrin pjesë në Liturgjinë Hyjnore, duhet të jenë të veshura në mënyrë dinjitoze. Nëse është e mundur, jo me pantallona, me paraqitje të jashtme serioze etj., ashtu siç e kërkon shenjtërimi dhe respekti i shtëpisë së Zotit; në të kundërt përdhoset kisha, që është vendi më i shenjtë.