Parimet bazë të antropologjisë Orthodhokse lidhur me të drejtat themelore të njeriut

 

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë
Fortlumturia e Tij Anastasi Përkthyer nga Kostandin N. Xhuba Globalizmi dhe Orthodhoksia, Tiranë 2004.

 

        Që të bëhet më i qartë imazhi rreth njeriut, që përbën bazën e mendimit orthodhoks, do t’i referohemi në mënyrë përmbledhëse pikëpamjes së krishterë orthodhokse rreth njeriut. Sigurisht, një referim i tillë nuk do të thotë dëshirë për të imponuar këto pikëpamje në dokumentet ndërkombëtare. Thjesht është fjala për një analizë më të kujdesshme të bindjeve themelore të krishtera, që automatikisht ndikojnë në qëndrimin dhe mendimin tonë për sa u përket të drejtave të njeriut.

    Një përmbledhje e antropologjisë orthodhokse

   1.    a) Guri themeltar i antropologjisë së krishterë mbetet bindja se Perëndia e krijoi Adhamin “sipas ikonës së Perëndisë” (Gjen. 5:1).

         Mbi këtë themel është ndërtuar çdo pikëpamje e mëtejshme biblike për njeriun. Dhiata e Re thekson, gjithashtu, se njeriu është krijim i perëndishëm (Matt. 19:4, Vepr. 17:28), se është bërë sipas ikonës së Perëndisë (Kol. 3:10) dhe sipas shëmbëllimit të Tij (Jak. 3:9). Perëndia zbulohet jo thjesht si “Qenie Supreme”, por si Perëndi personale, esenca e së cilës është njëshmëria dhe pjesëmarrja e personave. Njëshmëri në Tre dhe Trini në Një; “shoqëri dashurie” e përkryer. “Shëmbëllimi” i ofrohet njeriut si një mundësi dhe jo si një fakt i kryer. Përfundimisht, ai arrihet me veprimin e Shpirtit të Shenjtë.

       I tërë njerëzimi e ka prejardhjen nga çifti njerëzor që ka krijuar Perëndia; rrjedhimisht, të gjithë njerëzit, pavarësisht nga raca, ngjyra, gjuha, kultura, janë të pajisur me dinjitetin e prejardhjes së tyre hyjnore. Ndërsa mendimi perëndimor ka theksuar më tepër si karakteristikë të kësaj ikone të perëndishme mendjen, intelektin dhe vullnetin, theologjia lindore ka nënvizuar në veçanti elementin e lirisë dhe të dashurisë, duke vënë si qendër referimi shoqërinë e personave të Trinisë së Shenjtë në liri dhe harmoni dashurie.

b)    Por, Perëndia nuk është thjesht Krijuesi; është dhe Atë i të gjithë njerëzve. Kjo pikëpamje theksohet në mënyrë të përsëritur dhe me emfazë në Dhiatën e Re (p.sh. Matt. 6:9, 23:99; Rom. 1:7) dhe lidhet drejtpërsëdrejti me bindjen se të gjithë njerëzit, pa asnjë përjashtim, janë bij të Tij, rrjedhimisht janë vëllezër me njëri- tjetrin. Origjinën e përbashkët të të gjithë njerëzve nga fryma krijuese e Perëndisë, e ka theksuar në mënyrë shprehëse Apostull Pavli në Areopagun e Athinës:

       “Perëndia bëri botën dhe të gjithë sa janë në të… edhe bëri prej një gjaku çdo komb njerëzish” (Vepr. 17: 24, 26). Kështu, i tërë njerëzimi mbetet një unitet i madh, i pandarë me qendër bazë ekzistence Perëndinë Triadik të gjallë: “Një Perëndi dhe Atë i të gjithëve, i cili është përmbi të gjithë, edhe me anën e të gjithëve, edhe ndër të gjithë” (Efes. 4:6).

c)    Nuk është vetëm fakti i origjinës së përbashkët që i lidh njerëzit në një familje, por dhe destinacioni i tyre. Qëllimi i ekzistencës së tyre është që, me hirin e Perëndisë, të aktivizojnë mundësitë e tyre të dhëna nga Perëndia dhe të lëvizin drejt: “sipas shëmbëlltyrës”. Të lartësohen, nga një bashkekzistencë e thjeshtë biologjike, në një shoqëri thelbësore personash, në harmoni me të gjitha krijesat dhe me mbarë botën, me dashuri të painteres sipas modelit të qenies së Trinisë së Shenjtë, kësaj “shoqërie supreme të dashurisë

d)    Por, veç origjinës dhe qëllimit të përbashkët, ekziston edhe një pikë tjetër kryesore e njëllojshmërisë së njerëzimit: pjesëmarrja e njerëzve në të njëjtën fatkeqësi, në të njëjtën fajësi. Në pikënisjen e historisë njerëzore, njeriu, në vend që të orientohej drejt Perëndisë Triadik dhe, duke marrë pjesë në shoqërinë e dashurisë të personave të perëndishëm, të realizonte qëllimin e ekzistencës së tij, “hyjnizimin”, ai iu ngjit egos së tij individuale, refuzoi dashurinë e Perëndisë dhe kërkoi që të ecë, duke pasur si bazë kriteret e veta dhe sugjerimet e “djallit”, drejt “hyjnizimit” (“dhe do të bëheni porsi Perëndi”, Gjen. 3:5).

       Kjo peripeci e njeriut ka të bëjë me karakteristikën bazë të lirisë, me të cilën është pajisur. Ishte i lirë që ta refuzonte edhe vetë dashurinë e painteres. Ashtu si dhe e refuzoi, për t’u obliguar në dashurinë me interes të vetvetes. Por, me gjithë vetinternimin e tij, ai vazhdon të mbajë identitetin dhe trashëgiminë e origjinës së tij të perëndishme, si dhe nostalgjinë e parajsës së humbur.

       Ndërgjegjja orthodhokse e di se ka fuqi kundërshtare që veprojnë në historinë e njerëzimit dhe në historinë e çdo njeriu. Por edhe në botën natyrore mund të konstatohet, nga njëra anë, një harmoni mahnitëse, që dëshmon për veprimin e perëndishëm dhe, nga ana tjetër, ekzistenca e një fuqie parazitare, që shkakton pështjellime dhe disharmoni të çdo lloji.

e)    Në këtë atmosferë të zymtë, trashendenca deçizive vjen brenda njerëzimit përsëri me iniciativën e Perëndisë Triadik, me një lëvizje supreme dashurie, kur “Fjala u bë mish dhe zuri vend tek ne… plot me hir dhe të vërtetë” (Jn. 1:14). Trupëzimi i Birit, predikimi i të cilit përbën kontributin vendimtar të zbulimit të krishterë, i jep njerëzimit një drejtim të ri ecjeje drejt “shoqërisë” të çdo personi njerëzor me Perëndinë Triadik, me njerëzit e tjerë, që janë shëmbëlltyra të Tij.

 

    Të drejtat themelore.

 2.    Në bazat theologjike, që u përpoqëm t’i përmblidhnim në vija të përgjithshme, mbështetet çdo ndërtim i mëtejshëm i parimeve të dinjitetit, të barazisë dhe të lirisë së njeriut nga pikëpamja orthodhokse. Konkretisht:

a)    Dinjiteti njerëzor nuk është një krenari civile e papërcaktuar, por siguria se njeriu është vërtet një person i shenjtë, krijim i Perëndisë vetjak. Dinjiteti i njeriut nuk lidhet me mendjemadhësinë egoiste për vetveten, por me ndjesinë e madhështisë njerëzore dhe limiteve të saj. Kemi të bëjmë me një dinjitet plot takt, mirësjellje dhe respekt ndaj të tjerëve. Dhe ky nocion nuk mbeti një skemë teorike, por u përjetua nga mijëra njerëz, të cilët përbëjnë grupin e shenjtorëve të Kishës dhe mbeten modele udhërrëfyese për besimtarët dhe bekim për njerëzimin.

b)    Liria është një nga idetë më qendrore të Krishterimit. Siç thotë në mënyrë të goditur Berdjajevi, “E tërë doktrina e krishterë për krijimin e botës, për rënien në mëkat dhe për shpëtimin e njerëzve, mbështetet në vetë idenë e lirisë. Pa lirinë është e pamundur theodikia dhe i pakuptimtë zhvillimi botëror” . Mesazhi për lirinë me akorde të ndryshme rikthehet në Dhiatën e Re (Matt. 17:26. Jn. 8:32, 36. Kor. 3:17, Gal. 5:1-13).

     Etërit grekë të Kishës analizojnë me ngulm të vërtetën se Perëndia i lirë e ka krijuar njeriun të lirë dhe, rrjedhimisht, përgjegjës për veprimet e tij . Përgjegjshmëria lidhet me dinjitetin njerëzor.
Me kalimin e kohës, natyrisht, nuk munguan edhe ata të krishterë që kërkuan ta kufizonin këtë liri, për të ndihmuar gjoja rendin e shoqërisë. Por, në fund ndërgjegjja e krishterë i hodhi tej.

c)    Në këtë kuadër, paraqitet edhe siguria për barazinë e njerëzve. Më se e njohur është deklarata e Dhiatës së Re se “nuk ka më grek dhe jude, barbar, skit, skllav e të lirë, por gjithçka dhe në të gjitha është Krishti” (Kol. 3:11). Gjithashtu, edhe bindja se nëpërmjet Trupëzimit të të Birit dhe Fjalës së Perëndisë dhe shpëtimit më Krishtin, e tërë gjinia njerëzore u lartësua.

      Këto të vërteta bëhen më të ndjeshme dhe më të qarta në aktin liturgjik të Kishës. Në adhurimin e krishterë orthodhoks të gjithë, pavarësisht nga ofiqet shoqërore, klasat, racat, kombësitë, gjenden para Perëndisë të barabartë, dhe para Tij secili ka të njëjtën vlerë.

        Këto teza, që janë në vijë të parë të kërkimeve botërore, janë pika qendrore në doktrinën e Etërve të Shenjtë, të cilët flasin me ngulm për barazinë e njerëzve, “njëvlershmërinë [homotimia] dhe barasvlershmërinë [isotimia]” . Barazia, sipas tyre, qëndron në vetë esencën e natyrës njerëzore. Dhe “largimin”, pra devijimin nga barazia, e quajnë pa rezerva padrejtësi .

d)    Ekziston edhe një e drejtë njerëzore, e cila nuk është përfshirë në asnjë Kartë përkatëse, por që vazhdimisht theksohet brenda mendimit orthodhoks si cilësi bazë e njeriut: e drejta për të dashuruar dhe për t’u dashuruar, sepse vetëm atëherë bëhet i plotë. Këtë të drejtë ia ka dhënë në mënyrën më tronditëse vetë Perëndia, i Cili e deshi deri në ato limite saqë truri njerëzor e ka të vështirë ta imagjinojë. Të gjitha të drejtat e tjera që përmendëm më parë e gjejnë pikërisht plotësinë e tyre organike dhe dinamike tek shpallja e krishterë e dashurisë së Perëndisë për njerëzit dhe i njerëzve për Perëndinë dhe për krijesat që Ai krijoi “sipas ikonës”. Që këtej ndriçohen dhe marrin frymëzim dhe fuqi realizuese të gjitha sa kanë të bëjnë me dinjitetin dhe barazinë njerëzore.

         Me këtë dashuri, që mund ta quajmë shqisë të gjashtë, besimtari i krishterë zbulon esencën më të thellë të gjërave dhe e shikon çdo njeri ashtu si është: krijim të Perëndisë, ikonë të Perëndisë, bir Perëndie, vëlla. Dashuria e krishterë ka një liri katalizuese; nuk obligohet nga bindjet e tjetrit. Asnjë pengesë nuk mund t’ia frenojë iniciativën.

        Mendimi se miliona njerëz nuk i pranojnë  pikënisjet theologjike të të krishterëve, natyrisht nuk e pakësojnë rëndësinë që ato kanë në ndërgjegjen e krishterë si themele të respektimit të të drejtave të njeriut. Gjithsesi, pikëpamjet e ndryshme të të tjerëve nuk na pengojnë që të përballojmë me respekt lirinë e tyre për të besuar si të duan; as të vëmë në diskutim sadopak barazinë dhe të drejtat e tyre që bashkekzistojnë me qenien njerëzore, e cila, të paktën për ne, është e vulosur në mënyrë të pashlyeshme me ikonën e perëndishme.

_________________________

1   Siç kemi sqaruar në parathënie, në studimet e këtij vëllimi (të cilat janë paracaktuar për lexues të ndryshëm), rikthehen, zakonisht me një formulim tjetër, disa të vërteta përcaktuese theologjike; sepse ato formojnë piedestalin teorik për mbështetjen e pikëpamjes orthodhokse. Që të mos prishet struktura dhe autonomia e çdo studimi, kemi parapëlqyer që t’i ruajmë në formën e tyre fillestare.
2   K.E. Tsiropoulos, “Tentativë e vështrimit theologjik të të drejtave bazë të njeriut”, Të Drejtat e njeriut,Efthyni, Athinë 1977, bot. gr. fq, 154-160. I të njëjtit autor, Dinjiteti njerëzor,Athinë 1967.

3   N. Berdjajev, Fryma dhe liria,Manual i Filozofisë së Krishterë (1927), përkth. i Mitropolitit të Samos, Irineut, Apostoliki Diakonia, Athinë 1952.

4   Sipas Grigor Theologut, kjo liri nuk është e pakontrollueshme; kufijtë e saj përcaktohen nga porositë e perëndishme. “Ai që bëri njeriun që në fillim, e la të lirë dhe të vetëpushtetshëm, të sunduar vetëm nga ligji i porosisë”, Rreth Përkujdesjes ndaj të varfërve,fjalim i 14-të, PG35:892A. “Liria dhe pasuria ishte atëherë vetëm respektimi i porosisë”, po aty,892AB. Grigori i Nisës sqaron: “Liria është përngjasimi me mospasjen njeri mbi krye dhe me mëvetësinë që fillimisht na është dhuruar vërtet nga Parëndia”. Rreth shpirtit dhe ngjalljes, PG46:101CD. “Më e mira dhe më e çmuara e të mirave”, që u dha si dhuratë nga Perëndia, ishte “dhurata e lirisë së plotë dhe e mëvetësisë”, Grigor i Nisës, Fjala Katekiste, § 5, PG45:24C. Keqpërdorimi i kësaj dhurate e çon njeriun drejt rënies në mëkat, Shih gjithashtu: A. Marinos, Liria fetare,Athinë 1972.

 Shih gjithashtu: Vasili i Madh, Rreth Shpirtit të Shenjtë,20, PG32:160C-161D.

6  Shih pikëpamjet përkatëse të Etërve të Shenjtë më poshtë, kap. VI: Dinamika e një ndryshimi të përgjithshëm e të vazhdueshëm.Shekujt që kaluan adoptuan mendimet e tyre bazë për dinjitetin, barazinë dhe lirinë.

7   Agnosticistët p.sh. mohojnë çdo diskutim për pikëpamje të këtij lloji; ithtarët e traditës budiste lëvizin në një sistem mendimi krejt të ndryshëm, pa iu referuar Perëndisë ose mëkatit, dhe me superoptimizëm për sa i përket mundësisë së njeriut për të arritur me fuqinë e vet në “ndriçim”. Disa shkolla të induizmit do të ishin të gatshme për të pranuar – duke modifikuar brenda sistemit të tyre konceptor ekuacionin Brahman-Atman – parimin trashendental të shkëndijës së shenjtë të qenies njerëzore dhe drejtimin për t’u rikthyer tek Absolutja. Në disa forma fetare të gjetura në popuj që jetojnë në gjendje natyrore (në Afrikë, Oqeani etj.) mund të gjurmosh dyshime të zbehta dhe frymëzime paralele; por, përgjithësisht, as pranim të menjëhershëm dhe as refuzim ngulmues nuk bënin. Sa për Islamin dhe Judaizmin, ndërsa bashkohen për krijimin e Adhamit nga Perëndia dhe prejardhjen e të gjithë njërëzve nga çifti i parë njerëzor, hedhin poshtë çdo mendim lidhur me Perëndinë Triadik, për Atin Perëndi, për veprën shpëtuese të Krishtit. Shih. A. Yannoulatos, Islami,Vështrim fetarologjik, Athinë 1976, bot. gr. fq. 135-137.